Censi i vitit 2023 na tregoi se Shqipëria po përjeton një transformim të thellë demografik, duke u zbrazur e plakur para syve tanë, gjë që megjithëse shpesh kalon pa u vënë re në zhurmën e përditshmërisë, mbart pasoja të thella e të rënda për të ardhmen e vendit. Me këtë prirje dhe sistemin ekonomik të ngritur nga kjo qeveri, është e qartë se po gërmon vetë varrin e buxhetit të shtetit, por edhe të aleatëve të saj biznesorë. Shpopullimi masiv dhe plakja e popullsisë po krijojnë një bombë me sahat, që do të shpërthejë nën këmbët e qeveritarëve dhe bizneseve të mëdha që kanë ortakë, të cilët mbështeten kryesisht te tregtimi i mallrave që importojnë. Me modelin aktual ekonomik që ka ndërtuar kjo qeveri, duket qartë se po sharron degën ku është varur vetë, sepse po shkurton ndjeshëm kontributet për sigurime shoqërore dhe tatimet mbi konsumin. Kur popullsia e aftë për punë largohet dhe fuqia blerëse bie, pakësohen paratë si për buxhetin e shtetit, ashtu edhe për xhepat e këtyre tregtarëve importues të mëdhenj, që kanë partneritet me qeveritarët.
Në regjistrimin e fundit të popullsisë, të kryer gjatë vitit 2023, numri i përgjithshëm i banorëve është ulur në rreth 2.4 milionë banorë. Ndërsa mosha mesatare e popullsisë është 42,5 vjet (nga 35,3 vjet që ishte në Censin 2011) duke u afruar me mesataren prej 44 vjet që ka Bashkimi Evropian. Kjo rritje e moshës së popullsisë, që është ndikuar kryesisht nga emigracioni masiv dhe deri diku nga rritja e jetëgjatësisë dhe rënia e lindshmërisë, po e ndryshon rrënjësisht mënyrën se si jetojmë, punojmë dhe ndërtojmë të ardhmen tonë. Pra, rritja e numrit të të moshuarve dhe emigrimi i të rinjve e bën demografinë tonë si një orë me rërë, që po shkon drejt fundit.
Bazuar në të dhënat e EUROSTAT-it, del se gjatë periudhës 2010-2022, 652 993 shtetas të Shqipërisë që janë pajisur me leje qëndrimi për herë të parë, pra kanë emigruar legalisht në një vend të Bashkimit Evropianë. Kuptohet që kjo shifër nuk tregon totalin e emigrimit, sepse aty nuk përfshihen shqiptarët që qëndrojnë ilegalisht, si dhe ata që kanë emigruar në shtete perëndimore që nuk janë në BE si SHBA, Britani të Madhe, Kanada etj.. Për me tepër, prirja e braktisjes së vendit duket se sa vjen e përkeqësohet, sepse vetëm vitin e kaluar rezidencën evropiane e kanë marrë 74938 veta, shifër kjo që përfaqëson 3.12% të popullsisë sonë totale.
Vazhdimi i largimit masiv nënkupton që Shqipëria humbet jo vetëm fuqi punëtore, por edhe breza të të rinjve që do të mund të kontribuonin në zhvillimin e vendit. Emigracioni po na merr të rinjtë më të mirë, si një stuhi që shkul pemët më të larta, gjë që dëmton rëndë bizneset, të cilat gjithnjë e më shumë po hasin vështirësi për të gjetur punonjës të kualifikuar (edhe ata pak që gjejnë, detyrohen t’i paguajnë me fatura të kripura). Më pak të rinj do të thotë gjithashtu më pak biznese të reja apo start-up-e, më pak inovacion e teknologji, më pak fleksibilitet për t’u përshtatur me kërkesat e tregut, më pak gatishmëri nga krahu i punës për t’u rikualifikuar për të qenë kompetentë për dinamikat e ekonomisë.
Kjo metamorfozë demografike që po pësojmë, gjithashtu, zvogëlon ndjeshëm aftësinë konkurruese në tregjet ndërkombëtare, sepse mungesa e fuqisë punëtore si dhe tkurrja e fuqisë blerëse e bëjnë vendin tonë më pak atraktiv për investitorë të huaj. Nëse vazhdojmë të katandisemi në një azil pleqsh, ne njëherazi do ta përjashtonim vendin nga revolucioni teknologjik bashkëkohor, që po ndodh sot me epokën e inteligjencës artificiale. Popullsia e moshuar është më rezistente ndaj përqafimit të inovacionit dhe teknologjive moderne, të cilat sot nuk janë më luks, por domosdoshmëri, nëse duam të kemi një rritje të qëndrueshme të ekonomisë.
Megjithatë, duhet theksuar se pasoja me e rëndë e këtij fenomeni është padyshim shkatërrimi potencial i skemës sonë pensionale. Censi tregon një rënie dramatike të popullsisë aktive, që manifestohet nga ulja e ndjeshme e grup-moshave që janë aktive në tregun e punës. Të dhënat e tregojnë se një në pesë individë (19.7 për qind) janë 65 vjeç e lart, krahasuar 11.3% në 2011 dhe 7.5% 2001. Për rrjedhojë, sot kemi më shumë pensionistë se kurrë më parë, nga 570 mijë në vitin 2013, numri i tyre është rritur në 717 mijë në vitin 2024, duke reflektuar një popullsi që plaket me ritme të shpejta. Nga ana tjetër, të dhënat e fundit tregojnë se numri i të punësuarve me rrogë është diku te 730 mijë veta (ndër të cilët rreth 25% janë të punësuar në administratë dhe ndërmarrje me pronësi publike).
Kjo rritje e pensionistëve vjen në një kohë kur të rinjtë po largohen masivisht nga vendi, duke lënë pas një boshllëk të madh në fuqinë punëtore dhe në burimet që mbështesin skemën aktuale të pensioneve. Prandaj pyetja e parë që shtrohet në këtë situatë është: Çfarë ndodh kur ka gjithnjë e më pak kontribuues për të mbështetur një numër gjithnjë në rritje përfituesish të pensioneve? Në vitin 2023, kontributet e sigurimeve përbënin rreth 24% të të ardhurave tatimore për shtetin dhe ky largim i forcës aktive të punës po hap gradualisht një vrimë shumë të madhe në thesin e qeverisë.
Ky problem bëhet edhe më i ndërlikuar nga fakti që një popullsi më e moshuar kërkon më shumë kujdes shëndetësor dhe social prej shtetit. Kërkesa në rritje për shërbime shëndetësore po vë nën presion një sistem tashmë të mbingarkuar, të përballur me mungesë fondesh dhe të kërcënuar më së shumti nga hemorragjia e mjekëve dhe infermierëve drejt Gjermanisë e vendeve perëndimore. Në kulturën shqiptare, solidariteti mes brezave brenda familjes ka qenë tradicionalisht mbështetja kryesore për të moshuarit. Mirëpo shkuarja në kurbet i të rinjve shpesh lë pas të moshuarit pa mbështetjen e duhur nga fëmijët, duke sjellë shtim të kërkesave për shërbime sociale të posaçme për këtë grup-moshë, të janë shpesh të mangëta tek ne.
Për më tepër, plakja e popullsisë kërcënon rëndë buxhetin e qeverisë, sidomos për shkak të zvogëlimit të taksave indirekte me të cilat mbahet në këmbë shteti. Me një popullsi më të plakur, numri i personave me të ardhura të rregullta zvogëlohet dhe kjo çon në uljen e fuqisë blerëse agregate për mallra dhe shërbime. Dihet që të moshuarit zakonisht janë më të kujdesshëm me shpenzimet dhe konsumojnë mallra të domosdoshme (ushqime bazike, ilaçe), që shpesh kanë TVSH të reduktuar ose janë të përjashtuara nga taksat indirekte ose tarifat doganore. Me pak fjalë, ndryshimi demografik sjell edhe ndryshimin e strukturës së konsumit, sepse të moshuarit priren të mos blejnë mallra afatgjata me taksa të larta që kërkohen nga të rinjtë, si pajisjet elektronike, mobiliet, mallrat e luksit, veshjet e modës, automjetet etj.. Gjithashtu, efekti domino i emigrimit të të rinjve sjell një ulje të ndjeshme të konsumit për shërbimet më të tatueshme si restorantet, klubet, hotelet, udhëtimet etj.. Këtu duhet vënë në dukje se sipas të dhënave të vitit 2023, TVSH-ja, e cila mblidhet kryesisht falë blerjes së mallrave dhe shërbimeve të sapopërmendura, kontribuoi me rreth 32% të të ardhurave tatimore totale, duke përbërë burimin kryesor të të ardhurave të qeverisë.
Njëkohësisht është fakt i njohur që krahasuar me kohortat e të rinjve, mosha e tretë konsumon shumë më pak duhan dhe alkool dhe e përdor më pak makinën, duke ulur ndjeshëm konsumin e karburanteve. Këto produkte janë subjekt i akcizave, të cilat gjithashtu kontribuojnë ndjeshëm në të ardhurat buxhetore, duke përbërë rreth 10.1% të totalit. Në mënyrë të veçantë vlen të theksohet se të moshuarit nuk investojnë në blerjen e shtëpive të reja ose projekte të mëdha, duke ulur të ardhurat e majme që qeveria vjel prej sektorit të ndërtimit dhe vënë në pikëpyetje të ardhmen një sektori, që së fundmi ka arritur të zërë 12% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Sipas të dhënave më të fundit, nga 1,082,529 banesa në Shqipëri, 32.9% (nga 21.7% që ishin në censin e 2011) rezultojnë të pabanuara si rezultat i boshllëkut demografik, që po krijohet nga largimi në shkallë të gjerë i njerëzve. Fluska e ngritur në këtë sektor rrezikon njëherazi të pëlcasë, edhe për shkak të bllokimit të rubineteve të parave të pista që e ka fryrë ndërkohë që kërkesa reale bie prej rënies së numrit të banorëve. Nga njëra anë SPAK-ku me luftën kundër parave të korrupsionit dhe krimit në Shqipëri nga ana tjetër policitë evropiane me goditjet masive ndaj rrjeteve kriminale shqiptare (ndihmuar deshifrimet e kriptofonëve ‘Sky Ecc’, ‘EncroChat’ dhe ‘Matrix’), po ia ndalin rrjedhën kapitalit të vrullshëm të krimit që e ka ushqyer tej mase tregun e ndërtimit dhe patundshmërisë.
Pakësimi i konsumit të mallrave nga një popullsi që rritet në moshë, por zvogëlohet në numër dhe fuqi blerëse, është një goditje e drejtpërdrejtë edhe për bizneset më të mëdha të Shqipërisë, të cilat sot duket se po lundrojnë drejt një deti të trazuar. Po të analizohet lista bizneseve më të mëdha në vend, që shpesh konsiderohen të privilegjuara nga politika, shihet se ato janë kryesisht importues të mëdhenj dhe shitës të mallrave me shumicë e pakicë. Nëse baza e konsumatorëve reduktohet dhe fuqia blerëse e popullsisë bie, këto kompani do të përballen me ulje të fitimeve, ngushtim të tregut dhe rritje të kostove për të mbajtur aktivitetin. Me një strukturë ekonomike që mbështetet kryesisht në tregti dhe importe, ky model po bëhet i pambrojtur ndaj ndryshimeve radikale demografike dhe po krijon një spirale destruktive, që dëmton jo vetëm shtresat e gjera të popullsisë, por edhe vetë oligarkinë ekonomike që ka përfituar nga ky sistem. Thënë më shkoqur, modeli aktual ekonomik po hyn në një cikël vicioz, që kërcënon të ardhmen e ekonomisë kombëtare dhe vetë burimet e fitimit të këtyre aktorëve të mëdhenj. Për pasojë, shteti jo vetëm që do të humbasë të ardhurat nga këto biznese, por ka gjasa që ne do të përjetojmë një ortek që mund ta prekë të gjithë ekonominë.
Nëse nuk ndërmerren reforma të guximshme dhe politika të mirëstudiuara për të adresuar sfidat e moshimit dhe shpopullimit, Shqipëria rrezikon të zhytet në një dinamikë të rrezikshme të krizës ekonomike dhe sociale. Humbja e fuqisë punëtore aktive, tkurrja e konsumit dhe shtimi i presionit mbi sistemet publike të shëndetësisë dhe pensioneve janë duke kërcënuar themelet e ekonomisë shqiptare. Struktura e brishtë aktuale, e cila mbështetet kryesisht te konsumi dhe importet, si dhe te fluksi i parave të pista të hedhura në ndërtim e turizëm, është e paqëndrueshme dhe nuk mund të mbajë dot mbi supe peshën e një popullsie, që zvogëlohet dhe plaket me ritme kaq të shpejta. Pa masa për të frenuar emigrimin, për të rikthyer fuqinë punëtore, për të nxitur lindshmërinë dhe për të transformuar modelin ekonomik drejt një ekonomie që mbështetet në prodhim dhe inovacion, vendi do të rrezikojë të përballet me një kolaps ekonomik. Çdo vonesë do të përkeqësojë problemet dhe do ta fundosë vendin në një krizë nga e cila mund të jetë shumë vonë për të dalë.
/Gazeta Panorama