Kur erdhi At Zef Valentini në Shqipëri pa se në vend ziente një debat i madh mbi të drejtën zakonore, ku një palë e quanin atë një mbeturinë arkaike, një sëmundje të shoqërisë, dhe pala tjetër e lartësonin si një vlerë shoqërore. At Zef Valentini kishte meritën se arriti të kuptonte se shoqëria shqiptare do të vuante për një kohë të gjatë për shkak të Kanunit, gjë që para së gjithash ndodhte për shkak të mosnjohjes së ligjit zakonor. Nga përplasja e dy sistemeve ligjore, ligjit shtetëror dhe atij zakonor, ishte krijuar një situatë e rëndë konfliktesh, dhune dhe gjaku, që askush nuk dinte të thoshte se si do të zgjidhej. John Rawls thotë: Drejtësia asht virtyti i parë i institucioneve shoqërore” (John Rawls: “A theory of Justice”, Oxford University Press, Oxford 1977, f. 3.) Derisa njerëzit nuk e gjenin drejtësinë nga shteti ata do ta bënin vetë atë. Për At Zef Valentinin kjo situatë ishte e barasvlershme me atë që ishte Kalkuta për Nënë Terezën: një vend që lëngonte nga sëmundjet më të këqija dhe nga mjerimi i skajshëm, vuajtje këto të cilat ajo ishte e vendosur të luftonte për t’i lehtësuar sa të mundte. Të njëjtën gjë vendosi të bënte dhe At Zef Valentini. Ai e kuptoi se shoqëria shqiptare do ta vuante gjatë si një lëngim marrëdhënien me Kanunin. Nuk ishte Kanuni ai që ishte një sëmundje shoqërore e trashëguar, por qasja e shoqërisë dhe e shtetit ndaj tij e bënin të tillë. ekuivalenti
Albanologu i njohur Peter Bartl, që në vitin 1970, në një studim për At Valentinin, me rastin e 70-vjetorit të lindjes së tij, ka thënë:
Sidomos në mënyrë intensive G. Valentini, siç është thënë tashmë, u mor me të drejtën zakonore të shqiptarëve. Në vëllimin I të “Studime dhe tekste” të botuar nga Instituti i Studimeve Shqiptare ai hulumton “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, të drejtën zakonore të krahinave të Shqipërisë veriore. Këtu ai merret sidomos me historinë e “Kanunit” dhe të ndryshimeve që ai pësoi si pasojë e ndikimit venedikas, turk, malazez dhe përmes ndikimit të klerit katolik roman. Valentini arrin në përfundimin e përligjur sipas mendimit tim se mungesa e një autoriteti politik krijoi domosdoshmërinë për të mbrojtur nderin e vet; faktorë të tjerë për ndikimin e gjatë të së drejtës zakonore të Shqipërisë së Veriut duhen parë në përgjegjësinë kundruall komunitetit farefisnor dhe në përpjekjet për të shmangur një intervenim të autoritetit shtetëror. (At Giuseppe (Zef) Valentini): “Studime dhe tekste historike”, Shtëpia botuese “Plejad”, Tiranë 2010, f. 17-18)
At Zef Valentini iu vu studimit të thellë të së drejtës zakonore. Ai pa se shoqërisë shqiptare, e para së gjithash elitës intelektuale të saj, i mungonin konceptet mbi atë që duhet të ishte pikënisje e këtij debati: Filozofinë e së drejtës zakonore shqiptare. Filozofia e së drejtës është një degë e së drejtës që ka si objekt studimi të gjitha fushat e së drejtës, duke përfshirë dhe të drejtën zakonore. Filozofia e së drejtës zakonore shqiptare ishte një fushë djerrë deri në momentin që nuk u mor me të At Zef Valentini. Ai përcaktoi parimet e filozofisë të së drejtës zakonore shqiptare. Ai shkruante:
Kanuni, thelbësisht është një mentalitet i veçantë etik i themeluar mbi ndjenjën e nderit, besnikërisë dhe lirisë, pajisur me cilësinë e përgjegjshmërisë, në substancë, ai cakëzohet në pak parime të llojit statutori që paracaktojnë se cila është qeveria e komunitetit, monarkike në familje, republikane me senatin (e pleqve) dhe gjyqësore (tribunale) për komunitetet më të shtrira; pjesa tjetër e tij, duke përfshirë gjithë bagazhin folklorik dhe ligjin mbresëlënës të gjakmarrjes, që janë përdorur aq shpesh nga shkrimtarë sipërfaqësorë për t’u dhënë sa më shumë “ngjyrime” kronikave të tyre; pra gjithçka tjetër, delegohet me të drejtë nga autori, si pjesë rastësore e Kanunit.
Kur At Zef Valentini shkruante këto rreshta ai mendonte me siguri se do të vinte një ditë që studiuesit shqiptarë të shkruanin libra mbi filozofinë e së drejtës zakonore shqiptare, dhe atëherë këto mendime të tij do t’u shërbenin. Por ka kaluar rreth një shekull qëkur At Valentini i shkroi këto rreshta dhe megjithatë ne ende nuk kemi një libër mbi filozofinë e së drejtës zakonore në Shqipëri, madje as një libër mbi filozofinë e së drejtës shqiptare në përgjithësi. Në librin “Akte Shqiptaro- Juridike”, At Valentini ka përfshirë dhe një studim me titull “Tradicionalizmi i konceptit juridik shqiptar”, që mund të konsiderohet si e vetmja përpjekje serioze e bërë deri më sot për të përpunuar një tezë mbi filozofinë e së drejtës shqiptare në përgjithësi. Në këtë studim thotë:
Është karakteristikë në mentalitetin juridik shqiptar justifikimi i institucioneve, qoftë për përdorimin teorik, ashtu dhe për përdorimin praktik, nëpërmjet pohimit: kështu ka kenë gjithmonë “ose kështu na e kanë lënë të parët”. Mirëpo, na lipset të mendojmë thellë se këtu nuk kemi të bëjmë me një kryeneçësi të kulluar dhe të verbër besnikërie ndaj traditës ose me një pranim të bindur, në sajë të një përtacie të caktuar mendore. Është shumë e vështirë të gjesh ndonjë ekspert të mirë jurist e njohës të historive të maleve shqiptare që të mos dijë në një lloj mënyre t’u japë arsye institucioneve, të nxjerra zakonisht nga konsideracionet e një gjykimi të shëndoshë). Në rast se pyeten se për ç’arsye ajo që u është trashëguar prej etërve duhet ruajtur, ata të përgjigjen menjëherë, ashtu siç m’u përgjigjën mua: “do ta kenë mendue”, që në termat e sotëm, do të barazvlerësohej me shprehjen: “do të jenë stërvitur nga përvoja. E çdo jurist do ta pranonte se udhëheqja më e mirë në korpusin legjislativ është gjithmonë përvojë. Përballë risive apo ndryshmeve, të propozuara nga cilido, mentaliteti juridik shqiptar kundërvendos proverbin, që është gjithashtu edhe një fakt juridik: në katund të vjetër bidat i ri nuk qitet. Termi përdoret përgjithësisht për çfarëdolloj inovacioni juridik; u përdor në mënyrë të veçantë në epokën e Reformave të Turqve të Rinj për gjithë inovacionet e tyre moderne, e posaçërisht për taksat e reja (të ashtuquajtura kalimtare, pasi në konceptin juridik shqiptar të lidhjeve midis enteve lokale, o gjithsesi komunale dhe autoriteteve shtetërore, mbizotëron një lloj e drejtë capitolazioniste, kësisoj asnjë taksë e re nuk mund të diktohet nëse nuk pranohet, sipas rastit nga komunitetet ose korporatat).
Nuk ia vlen të ndalemi këtu për të vërtetuar arsyen e fobisë shqiptare për “të renë”, në rast se bëhej fjalë për taksa; por për rastet e tjerë, të konsideruar si të arsyeshëm, ç’mund të them? Lipset të mendojnë se tradita juridike shqiptare është formësuar dhe ruajtur në epoka në të cilat risitë objektive për t’u rregulluar juridikisht qenë shumë të rralla; le të themi, p.sh. se e vetmja risi e verifikuar në Shqipëri përgjatë gjithë sundimit shumëshekullor të regjimit turk, ka qenë ndërfutja e armëve të zjarrit, e kësisoj edhe të legjislacionit vijues për vlerësimin e krimeve të vrasjeve të qëllimshme ose në tentativë, që me armët e vjetra do të kishin një hapësirë veprimi shumë më të paktë. Një risi tjetër, jo e anashkalueshme nga ana e së drejtës së brendshme shqiptare, qe për katolikët legjislacioni i ri i martesës, i ndërfutur nga Koncili i Trentos; gjithsesi do ta shohim më poshtë se si u sistemua një gjë e tillë. Nuk ia vlen të marrim në konsideratë risinë që pati, përdorimin më të gjerë, siç qe ndërfutja e shkëmbimeve me para në dorë përgjatë gjithë shekullit të kaluar: kjo gjë u sistemua thjesht nëpërmjet stabilizimit për çdo fis të një ligji lokal, mbi barasvlerësimin me para në dorë të gjobave në natyrë (praktikisht me kokë bagëtish).
Dora-dorës me përshpejtimin e kohëve, edhe e drejta në dukje statike tradicionale shqiptare nisi të përshtatej përmes një fictio iuris të dukshëm: me përjashtim të patjetërsueshmërisë tradicionale të së drejtës, përfaqësuesit e familjeve të fisit angazhohen t’i zbatojnë këto parime në bazë të faktorëve të rinj në një mënyrë të caktuar; po e njëjta gjë thuhet edhe kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndërfisnore, që rregullohen përmes kuvendimit të përfaqësuesve të tyre legjitimë.
Sigurisht, që në një epokë si kjo e jona, në të cilën ndryshuesh- mëria e fakteve vijon me një ritëm aq të përshpejtuar, sa nuk ka legjislacion që arrin t’u përshtatet, nëse do të mund të ekzistojë ende e drejta tradicionale shqiptare (tërësisht ose gati e mbytur nga regjimi aktual), ajo do të gjendej në shumë vështirësi. Si vijim shembullor për metodën dhe suksesin e saj, do të citojmë reformat e kryera nga kleri katolik sipas kërkesave të moralit kristian dhe të së drejtës kanonike, veçanërisht në lëndën e martesës dhe në atë të paqes dhe rendit publik.
Me shpalljen e legjislacionit të ri martesor, është një fakt që kleri në Shqipëri (asokohe në masën më të madhe jo shqiptar) nuk u ngut aspak në zbatimin e tij, madje as në popullarizimin e ligjit në vend: ende deri në fund të shekullit XVIII, kemi dokumentacione të vonimit të popullarizimit të tij. Gjithsesi kishte kohë që kleri punonte për ta bërë të depërtueshëm, përderisa Koncili i parë kombëtar shqiptar (1710) të mund ta ligjvendoste atë sipas rregullave kanonike, dhe Koncilët e mëpasshëm të shekullit XIX ta supozonin atë të popullarizuar dhe të pranuar; legjislacione të ndryshme lokale kishtare të fundit të shekullit të shkuar dhe të fillimit të këtij shekulli, merren tashmë vetëm me çështje konkrete të detajeve. Po cila vallë qe metoda? Mbështetja te parimet e përgjithshme të së drejtës tradicionale shqiptare dhe demonstrimi se ky legjislacion i rishikuar nuk ishte një inovacion i vërtetë, e jo vetëm që pajtohej me ato parime, por përkundrazi ishte një zbatim logjik dhe i mrekullueshëm i tyre. Kështu, ndërsa i gjithë legjislacioni i shteteve që vijuan në sundimin e vendit, (Roma, Bizanti, Serbia dhe Bullgaria, Angjiot dhe Venecia, e së fundi Turqia) u refuzuan nga e drejta shqiptare si të papajtueshme logjikisht me të, një pjesë e konsiderueshme e legjislacionit kishtar u pranua prej saj. Një gjë e tillë mund të jetë, padyshim një provë e shëndetshmërisë natyrale të parimeve të së drejtës shqiptare, e kjo në një lloj mënyre duhet t’i atribuohet edhe lojës së hollë të klerit që, si parim të së drejtës shqiptare, paraqiste edhe ndonjë që nuk qe i tillë, edhe pse ai nuk i kundërshtonte radikalisht në parimet e saj të vërteta. Megjithatë, nuk besoj se argumentuesit e hollë të maleve të binin ashtu symbyllur në grackë, por përkundrazi, e ato qenë të kënaqur ta linin veten të mistifikoheshin për arsye të vlefshme. Një tjetër mendësi e mirëstudiuar dhe e ndjekur shpesh nga ana e klerit (veçanërisht për pagëzimin dhe rregullin publik), qe ai i shfrytëzimit të mundësive të gjërave të afruara në të drejtën shqiptare nga institucioni i besës, domethënë të paktit, të shprehur a të heshtur, ndaj të cilit çdo shqiptar e çdo komunitet, për arsye të nderit, ndihet i lidhur fort deri në atë masë, sa nuk ka çnderim më të madh se sa të cilësohesh i pabesë dhe që nuk meriton kurrfarë besimi. Është një procedurë, siç thamë, e shpeshtë në botën juridike shqiptare: ajo çka ligji tradicional, – kanuni – nuk trajton, nëse mund të arrihet pa rënë në kundërshti me të, mund të fitohet nëpërmjet ujdisë midis familjeve të fisit ose midis fiseve; dispozitat e marrëveshjeve të tilla quhen dhe dallohen nga kanuni, me termin në shumës kanune. Kjo gjë ndodh në rastin kur bëhet fjalë për dispozita të përhershme; përndryshe, si p.sh. për në armëpushim me qëllim pajtimin e gjaqeve, apo për të lejuar zhvillimin paqësor të një aktiviteti, feste, ceremonie veprimi të përbashkët çfarëdo, që merr emrin e përgjithshëm të besës.
Një numër i madh i besa-ve dhe kanuneve të tilla, të ndërmarra me iniciativën e klerikëve nga ana e komuniteteve të ndryshme, është botuar në mes të dokumenteve të “Studime dhe Tekste”të sipërpërmendur, e po kaq të tjerë zotëroj edhe unë të pabotuara. Mund të arrijmë kështu në përfundimin se i ashtuquajturi tradicionalizëm juridik shqiptar idealisht nuk është gjë tjetër, veçse ai stabilitet i fortë juridik i domosdoshëm për një shoqëri, duke mbajtur parasysh se në një shoqëri arkaike, detyrimisht që palëvizshmëria do të ketë një karakter shumë më të spikatur; por nga ana tjetër, ajo mund të zhduket pa shkatërruar bazat e kësaj shoqërie e aq më pak të strukturës së vet juridike.
Fjalët e mësipërme të At Valentinit dëshmojnë për një njohje të thellë të fushave të ndryshme të së drejtës shqiptare, si dhe të historisë të së drejtës në përgjithësi. Fragmenti i mësipërm mund të shërbejë si bërthamë për të shkruar një libër mbi filozofinë e së drejtës zakonore shqiptare, që ende na mungon në bibliotekën e botimeve juridike shqiptare. Fakti është se edhe sot e kësaj dite At Valentini mbetet ende i vetmi studiues që ka lëvruar këtë fushë djerrë që është filozofia e së drejtës shqiptare. Nuk është në nderin e studiuesve tanë të së drejtës që kanë neglizhuar këtë fushë kërkimesh kaq të rëndësishme, dhe akoma më tepër nuk i nderon ata fakti që ende nuk i kanë njohur së paku At Valentinit meritën që ka në këtë fushë. Dhe kur këto gjëra nuk i thotë një shqiptar, por një i huaj atëherë bëhet edhe më e domosdoshme që mendimet e tij të evidentohen për atë që përfaqësojnë realisht, se kështu nuk mund të na thonë se këto gjëra i ka bërë ndonjë shqiptar i ekzaltuar. Nuk është se jemi të rrëmbyer nga entuziazmi valentinian kur themi se ajo që mund të quhet si Kanunologji, pra studimet mbi Kanunin, u vu në shinat e duhura shkencore nga studimet e At Valentinit. Ai gjeti paradigmën e Kanunologjisë. At Valentini ndryshon kryekëput nga studiuesit e huaj të Kanunit, të cilët ose janë mrekulluar nga Kanuni, por duke i parë shqiptarët si një popull ekzotik, ashtu si eksploratorët që shkonin në fiset afrikane dhe indiane, ose e kanë quajtur Kanunin se shenjë primitivizmi dhe mungese qytetërimi. At Valentini e çmoi Kanunin, por duke e parë si shenjë qytetërimi. Edhe të tjerë para tij e kishin bërë këtë gjë, por e veçanta e këtij ati jezuit është se diti të na përshkruajë se si lima e qytetërimit kishte kaluar mbi “thepat” e Kanunit, dhe kjo kishte qenë një punë e kryer nga shqiptarët. Te libri “Të drejtat e Shqipnis etnike”, ai thotë:
Por qytetnimi nuk përbahet qensisht as nga të mirat landore as nga të mirat kulturore, por nga të mirat morale e shpirtnore. Këndej çashtja temelore: Populli Shqiptar a i ka këto të mira morale e shpirtnore, të cilat, mvehtsue nga pjestarët e tij, i vulosin me vulën, si me thanë kombtare, dhe i pajisin me atë mënyrë të ndjesisë, të mendesisë, të shprehjes e të veprimit qi e dallon Shqiptarin nga të gjithë tjerët?
Shprehja ma besnike e ma e njimendtë e visarit shpirtnuer e moral të Popullit t’inë mijvjeçar asht Kanuni i Lekë Dukagjinit, përmbledhë nga i vlerti At Shtjefën Gjeçovi O. F. M. Atje janë përshkrue e kristalizue doket e zakonet ma të vjetra e ma tiparike të Popullit Shqiptar, doke e zakone qi trajtojnë e rregullojnë edhe sot nji pjesë të madhe të jetës së katundarve e të malcorve t’inë
Siç shihet At Zef Valentini vazhdon të këmbëngulë që Kanuni duhet të shihet si produkt i veçantë juridiko-shoqëror i kombit shqiptar, si provë se shqiptarët kanë ditur të krijojnë vlera morale dhe shoqërore baras me popujt e tjerë. Sa më tepër që Zef Valentini me të ardhur në Shqipëri konstatoi se shqiptarët intelektualë nuk e kishin kuptuar si duhet atë që përfaqësonte Kanuni, si dhe thelbin e tij. At Zef Valentini u shpreh kundër atyre që e quanin Kanunin si pagan, duke tërhequr vëmendjen te thelbi fetar i krishterë i tij. Te “Të drejtat e Shqipnis etnike”, ai thotë për Kanunin:
E mirë, në shfletsojshin ketë vepër të pavdekshme, qysh nga faqet e para na bjen në sy vendi i randsishëm qi Shqiptari u shenjon sendeve e personave qi kanë ndërlidhje të posaçme me Perendi, si asht Kisha e Meshtari. E njimend Kanuni çelet shi me përcaktim të gjendjes juridike e të tagreve të Kishës e të Meshtarit.
Kisha gjindet e vendosne nën sundim të të Parit të Fés e jo nën ligjë te Kanunit: prandej Kanuni s’mund t’i vejë kurrnji barrë Kishës, veçse ka detyrë me i dalë zot, kur kjo hupë ndihmën e tij. Me bîjtë ndonji kundershtim ndermjet Kishës e famullís, famullija s’mund t’i lypë peng Kishës; veç do të bajë vaj te i Pari i Fés – te Ipeshkvi – e gjygjit të këtij, si Kisha si famullija, do t’i rrijn pa fjalë.
Kisha ka tagër pasunijet si per gja, si per tokë e shtëpija mbrenda e jashta famullijet; ka tagër me blé e me shitë, si edhè me marrë e mbajtë të falunat qi i vinë prej bujarisë së bamirve e me i vendue si t’a shofi vetë me udhë.
Sa për nderë të Kishës, Kanuni thotë: Kisha shpatë e konop s’ka: kush dhunon Kishën, dhunon Famullín: nderën e Kishës e lypë Famullija.
Nga shqyrtimi i të drejtës zakonore shqiptare At Valentini arrin në një përfundim që fiton një rëndësi dhe vlerë të veçantë për shkak se thuhet nga një i huaj i ditur. Po te “Të drejtat e Shqipnis etnike”, ai thotë:
Gabon randë kush e mban Popullin Shqiptar si popull afetar, pse jeta e kurrnji popullit nuk asht ndoshta zotnue e rregullue nga ideja e Zotit, sa jeta e Popullit Shqiptar. E pohojmë jo për nji smadhnim retorik, por të pshtetun në landë e ndër shenjime të mbledhuna nga bashkëpuntori i ynë, të cilat, megjithse të paplotsueme, na zbulojnë idenë përnjimend të lartë qi Populli i ynë ka ndaj Perendisë.
Me këtë At Valentini polemizonte me ata të huaj, të cilët shpesh duke pasur prapamendime të këqija, i quanin shqiptarët si një popull afetar dhe pagan. Në kohën kur shkruante At Valentini një mendim të tillë e kishin edhe jo pak shqiptarë intelektualë, të cilët e shprehnin me të madhe atë. Rezultati i kësaj ishte që shqiptarët të dukeshin si një popull primitiv. Se qytetërimi europian kishte pasur si stad të domosdoshëm atë fetare të krishterë. Prandaj afetar do të thoshte i paqytetëruar. Pikërisht këtë gjë ka parasysh At Zef Valentini kur thotë në vazhdim të zhvillimit të mendimit të tij, te “Të drejtat e Shqipnis etnike”:
Populli Shqiptar asht në nji shkallë qytetnimi shumë të naltë, pse jeta e tij si private si shoqnore asht krejt e përshkueme dhe e zotnueme nga Besimi.
Jemi ndalun pak gjatë në përshkrim e sidomos në dokumentim të ndjesisë fetare të Popullit t’inë, pse na duket nji ndër pika ma temelore e ma karakteristike të qytetnimit Shqiptar, e këta duem t’ua kujtojmë jo vetëm të huejve qi thonë se besimi i Shqiptarit asht una religiosità superficiale, a nji pretexte commode pour piller leurs voisins; por ua kujtojmë edhe Ligjbasvet, Sundimtarvet, Deputetenvet e Gazetarve t’inë të tashëm e t’ardhshëm. Thuhet gjithmonë e prej gjithkuj se Shqiptarët do të jetojnë shqiptarisht, simbas ndjesish e traditash së tyne kombtare të trashigueme nga të Parët, e se ligjët, masat, institucjonet e reja do të përkojnë me këto tradita e zakone kombtare. E mirë, besimi e nderimi ndaj Zotin e ndaj institucjonet fetare asht nji ndër tipare ma të thellat, ma karakteristiket, e ma të mirat e Popullit Shqiptar. Prandej Ligjëbasit, Sundimtarët, Deputetët, Gazetarët… qi duen përnjimend të mirën e Kombit, do të diftohen gjithmonë të kujdesshëm e të zellshëm për shpirtin fetar të Popullit t’inë, tue luftuem e tue ndaluem rrebtsisht, ma rrebtsisht se deri tash, çdo propagandë afetare e antifetare, e tue përkrahë gjithshka synon shtimin e ndjesisë fetare, por të nji ndjesisë fetare t’arsyeshme e të ndriçueme.
Komentet