“Numërimi mbrapsht i Tiranës drejt katastrofës”. Me këto fjalë ka nisur sulmi i mbrëmshëm kibernetik mbi sistemet e ruajtjes dhe transmetimit të të dhënave në Policinë e Shtetit, përfshi edhe sitemin TIMS, i cili përdoret për të gjitha hyrje-daljet nga kufijtë e Shqipërisë. Kur po bëhen rreth 24 orë nga sulmi i cili u njoftua paraditen e sotme fillimisht nga kryeministri Edi Rama dhe më pas nga Ministria e Brendshme, TIMS nuk është rikthyer akoma. Në Rinas që është pika kryesore kufitare e vendit, pasditen e së shtunës Ministria e Brendshme njoftoi se ky sistem është rikthyer pjesërisht në vetëm dy sportele. Pikat e tjera kufitare operojnë manualisht me regjistra me udhëtarët duke krijuar në këtë mënyrë edhe radhë të gjata pritjeje.
Gishti drejtohet sërish nga Irani, shtet me të cilin Shqipëria ndërpreu zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike dy ditë më parë për shkak të konfirmimit se sulmi kibernetik i muajit korrik ndaj e-Albania ishte orkestruar pikërisht prej Teheranit. Me dëbimin e diplomatëve dhe mbylljen e ambasadës në Tiranë, një tjetër reagim ishte i pritshëm nga Irani. Por pyetja që mund të shtrojnë të gjithë është kjo: Përse Irani ka vënë në shënjestër Shqipërinë, një shtet të vogël e pa ndonjë peshë të rëndësishme në gjeopolitikë? Arsyeja dihet që janë kundërshtarët e regjimit të Teheranit që Shqipëria strehon prej vitesh me kërkesë të amerikanëve. Grupi i muxhahedinëve të njohur si MEK janë vendosur në Manzë të Durrësit. Ata janë këtu prej disa vitesh, por nuk ka pasur sulme kibernetike të ngjashme. Çfarë ka ndryshuar tashmë? Prej kampit të tyre kohët e fundit janë orkestruar sulme të ngjashme kibernetike ndaj autoriteteve iraniane në Teheran, mëson Lapsi.al
Pra, jemi në kushtet kur anëtarët e MEK të strehuar në Shqipëri sulmojnë në mënyrë kibernetike infrastrukturën digjitale e të komunikacionit në Iran. Ky i fundit në shenjë hakmarrje shënjestron vendin tonë me sulme të njëpasnjëshme kibernetike, që sipas raportit të Microsoft, kanë nisur në maj të vitit 2021. Sulmi i fundit ishte ky i një nate më parë në sistemin TIMS dhe databaza të tjera të Policisë së Shtetit. Hakerat kishin depërtuar edhe në kamerat e sigurisë së sporteleve të pikës kufitare në Rinas.
Pamjet ishin publikuar në faqen e tyre “Homeland justice”. Kampi i muxhahedinëve në Manzë është shndërruar në një lloj baze prej nga ku ndërmerren sulme kibernetike kundër Teheranit në mënyrë të përsëritur. Nuk dihet nëse kjo veprimtari politike e tyre është në shkelje të statusit që ata kanë apo të marrëveshjes që ka nënshkruar Shqipëria. Por intensifikimi i sulmeve kibernetike të Iranit ndaj Shqipërisë duket të jetë përgjigje pikërisht e kësaj veprimtarie të shtuar të MEK-ut kundër tyre. Mbetet për t’u parë se si do të adresohet ky problem, i cili përbën një rrezik për sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Vendi ynë nuk i ka kapacitetet e mjaftueshme logjistike e njerëzore për t’i bërë ballë kësaj lufte të re. Goditja ndaj e-Albania dhe sistemit TIMS janë shembuj domethënës të kësaj. Tani e tutje askush nuk di të thotë më se cila çfarë tjetër do të sulmojë Irani në Shqipëri? ©LAPSI.al
Komentet