Të lus, o Lajmës qielluar!
O Frym’ e Zotit, Vetë Zot!
Me hirin t’ënd të pashteruar
Që ka mburim përjetësije,
Hirplot, o Shpirt, nër gaze Ti-je.
Dhe nër mjerime je hirplot!
Ti botës s’onë-i prure lajmin
E nj’ ëndërimi të pafaj:
Për mallin t’ënd mê të pastajmin
Ti kuvëndon që përmi botë,
Dhe në gëzim i bije lotë,
I bije gas në zi të saj.
Kur del mi male yll’i ditës
E shuhet nata prapa ti,
Ti me vështrimin vetëtitës
Çkëlqen në fund të zemrës s’ime
Dh’i bën prej këngës së një grime
Një të përjetëshme harmoni.
E kur pat humbur jet’ e dherit,
Kur syr’ i lodhur m’u përgjum,
Në shkëndijim të kandilerit[1]
M’i çfaq ylberin e një rruàze…-
Fatlum, o Shpirt, ti je nër gaze
Dhe nër mjerime je fatlum!
Sot hapa sytë që-me-natë
E po këndoj si kurrëkush:
Drejt lartësirës së pamatë
Ah! mëshiró të ngjitë-i çmuar
Prej gjirit t’im të përvëluar
Fjalim’ i mallit t’im mjerush.
Poradec, VI 1921
[1] kandilerit – kandil
Komentet