Ekipet e shpëtimit nga Taxhikistani kanë nxjerrë të gjallë një djalë 3-vjeçar nga rrënojat, në qytetin turk të Kahramanmaras.
Ai kishte kaluar 158 orë aty, njoftoi shërbimi i shtypit i Komitetit për Situatat Emergjente dhe Mbrojtjen Civile të Taxhikistanit më 13 shkurt.
Taxhikistani dërgoi një grup prej 50 shpëtimtarësh dhe mjekësh, si dhe 2.5 tonë pajisje speciale, në Turqi për të ndihmuar vendin në përballjen me pasojat e tërmetit të 9 shkurtit.
Kombet e Bashkuara, një ditë më parë, dënuan dështimin për të ndihmuar rajonet e Sirisë, teksa paralajmëruan se numri i viktimave nga tërmetet në Turqi dhe Siri, që ka arritur në mbi 33.000 mund të dyfishohet.
Dhjetëra mijëra punëtorë të shpëtimit po vazhdojnë operacionet për të gjetur të mbijetuar, pavarësisht temperaturave të ulëta që kanë rrënduar gjendjen e miliona personave që tani kanë nevojë për ndihmë.
OKB-ja ka paralajmëruar se të paktën 870.000 persona kanë nevojë urgjente për shujta të ngrohta në mbarë Turqinë dhe Sirinë. Vetëm në Siri, deri në 5.3 milionë persona mund të mbesin të pastrehë.
Tërmeti prej 7.8 ballësh – që u pasua nga disa tërmete të tjera të fuqishme – në Turqi dhe Siri, është fatkeqësia e shtatë më vdekjeprurëse e këtij shekulli.
Një tërmet me magnitudë të ngjashme në Turqi më 1999 kishte vrarë mbi 17.000 persona.