Pak vite më parë vartësit i kishin rregulluar kreut të qeverisë tonë, një titull Doctor Honoris Causa në një universitet ballkanik të dorës së tretë, në gjysmën e poshtme të hierarkisë globale. Dihej se njeriut i pëlqenin nderimet nga të huajt dhe adhurimi nga vendasit, të ishte një lloj hyjnie i vlerësuar dhe i pakundërshtuar nga të tjerët. Ky ‘nderim akademik’ shkonte në këtë drejtim. Plotësonte disi edhe formimin e pakompletuar të tij. Në këtë atmosferë lideri zbriste nga avioni në atë fund dimri, me një pallto të gjatë e të bardhë, që stononte me kohën dhe modën, por e lidhte me përjetësinë. Vetëm Servantesi mund të arrinte të përshkruante përmasat e këtij personazhi jo të zakonshëm.
Në darkën e shtruar me këtë rast, prijësi do ndante me oborrtarët ekzaltimin, por edhe dëshpërimin, me një analogji nga paraardhësi i tij në parti. Edhe ai si ky ishte ngjitur dikur në fronin e kryeministrit dhe në një eveniment ndërkombëtar të partive europiane ishte vlerësuar dukshëm për staturën e tij si orator i spikatur. Pak para fjalës së tij ishte ngjitur në skenë e kishte mbajtur një fjalim të plogësht kryeministri i një vendi nordik, por pas skandinavit vjen ky i yni, që thuhet se ishte pëlqyer dhe kishte marrë duartrokitje në masë për humorin dhe batutat plot nënkuptime. Eh kishte thënë ky i yni, jeta është e padrejtë – një i lodhur qeveris në vende të zhvilluara dhe një si unë i duhet të drejtojë Shqipërinë. Këtë brengë kishte edhe Honoris Causa ynë. Ç’vlejnë vlerësimet ndërkombëtare kur kthehesh në një vend të vogël që nuk e kuptonte madhështinë e tyre.
Të dy kryeministrat në fjalë ishin personazhe që shquheshin për paaftësi, kompionë kontinentalë korrupsioni, me ekonomi të pazhvilluar, shtet të brishtë dhe popullsi në kërkim të emigrimit, thuajse asnjë progres në rrugën europiane të vendit. Përpos këtyre fakteve të dy ishin megalomanë, demagogë në kufijtë e pacipësisë, kapës të mediave dhe deformues të perceptimit publik, krijues të mitit të burrave të zgjuar, ndonëse në realitet shquheshin për mediokritet qeverisës dhe mjeshtëri për të marrë zgjedhjet e trukuara, e ndenjur gjatë në pushtet. Në këto kushte i kapte një kompleks superioriteti që buronte nga përqëndrimi i pushtetit dhe deformimi i realitetit, i përshtypjeve të ekzagjeruara për veten dhe nënvlerësimit të të tjerëve, që nuk kishin arritur suksesin e trukuar përmes marifeteve.
Megalomania e njerëzve me arritje të pakta është evidentuar nga shumë studime serioze të fushës. Ish-sekretari i jashtëm britanik David Owen dhe neurologu, njëherësh profesor në Duke University Jonathan Davidson, në një artikull tek Brain, në maj 2009, flasin për “hubris syndrome”, e përkufizuar prej tyre si “çrregullim i posedimit të pushtetit”, veçanërisht i shfaqur tek pushtetarët që qëndrojnë në fron për një periudhë të gjatë.
Hubris Syndrome (apo sindroma e mendjemadhësisë) paraqitet prej tyre si një ‘model sjelljeje i një personi që e sheh pushtetin si mundësi vetë-glorifikimi, me interesim joproporcional për imazhin, me zell mesianik e ekzaltues në të folur, që i pëlqen asocimi me kombin apo organizatën, përbuzës ndaj të tjerëve dhe i gatshëm të gjykohet vetëm nga historia apo perëndia, i paaftë për racionalitetin e fakteve dhe të dhënave në politikbërje’. (1)
Sapo lexon këtë përshkrim mendja të vete tek shumë syresh në historinë tonë. Sa herë kemi rënë viktima të vendosmërisë së mediokritetit. Burra që ndjehen si statuja, që gdhihen dhe ngrysen me bindjen se mbi shpatulla po mbajnë barrën e historisë dhe që na qajnë hallin se çfarë do ndodhë me këtë komb ditën kur ata do vendosin të largohen nga drejtimi i vendit. E kur vjen ajo ditë ne gjendemi edhe më keq se më parë.
Si ka mundësi që këta burra të paaftë arrijnë të bëhen lidera, pyet Tomas Chamorro-Premuzic, në librin e tij të fundit. Ai vëren se vetëbesimi, narcizizmi, psikopatia, karizma dhe gjatësia i çojnë të pazotët në krye të vendeve dhe organizatave, ndonëse ata nuk sjellin suksese për grupet që udhëheqin (2). Ky është problemi ynë kombëtar dhe zgjidhja është t’i gjykojmë liderat nga arritjet jo nga manipulimi emocional i pamjes së jashtme, autoritetit fals dhe marrëzia e tyre. Aparenca të gënjen, faktet dhe realizimet janë ato që duhen ta mbajnë njeriun në krye të punëve të vendit. Në mbretërinë e paaftësisë lulëzon mediokriteti dhe ky është rreziku më i madh që çon në ikjen masive të njerëzve të zot dhe me kohë sjell rrënimin e vendeve dhe të organizatave.
Nëse bota i studion fenomenet negative të lidershipit dhe përgatit shoqërinë për t’i mbajtur nën kontroll mediokritetet e etur për kapje dhe mbajtje të pamerituar të funksioneve, ne na mungojnë mekanizmat e frenimit dhe ruajtjes nga dëmet që këto devijacione patologjike të ushtrimit të pushtetit u krijojnë organizatave dhe vendit. Për këtë duhet të jetë funksional një sistem imunitar që na mbron si shoqëri ndaj viruseve të pushtetit politik. Këtu po hedh disa ide joshteruese për një sistem të tillë, ku spikat mbrojtja mediatike, mbrojtja politike dhe ajo kulturore.
Mbrojtja politike
Grupimet politike duhet të jenë të parat që të reagojnë ndaj mungesës së rezultateve dhe simptomave të megalomanisë së liderëve të tyre. Organizatat politike nuk janë grupe interesi në funksion të përfitimeve të një klani drejtues, por organizime sociale në ndjekje të interesit publik dhe lumturimit të shoqërisë. Qëllimi i tyre nuk mund të jetë thjesht marrja e pushtetit, por sigurimi se pushteti do të përdoret si mjet i drejtë e i ndershëm për një produkt politik me përfitime për komunitetin.
Kur rezultatet mungojnë, kur gjuha dhe sjelljet e liderit reflektojnë simptoma intoksikuese për ambientin publik, tërheqja e mbështetjes politike për megalomanët pa rekorde të spikatura duhet të jetë një mekanizëm mbrojtës për partitë dhe qeveritë. Edhe kufizimi i mandateve duhet të jetë një masë. Kur pushteti shtrihet në kohë dhe në çdo nivel, shoqëria dobësohet dhe heshtja e konformizmi përhapen në masë duke rrezikuar funksionimin e saj.
Politikani duhet të shquhet për kurajo e për principe dhe kur e shikon devijacionin të reagojë për t’i dhënë forcë shoqërisë të gjejë funksionimin me parametra optimalë të organizmit të saj. Mitomanët që i besojnë edhe vetë trukimit të realitetit, që shijojnë përuljen servile të vartësve, pa vrasje ndërgjegjeje për pengesat në zhvillimin e shoqërive, duhen ndalur nga livadhisja e gjatë në sallonet e drejtimit të shtetit. Kapja e të gjithë pushteteve nga një njeri, dukshëm i paaftë për të sjellë zhvillim, nuk është ogur i mbarë as për partitë.
Mbrojtja mediatike
Përballje e fortë mediatike me manipuluesit emocionalë të masave mbron shoqërinë. Nëse liderat megalomanë mund të kenë mjeshtërinë e e fjalës dhe emocionit, e logos-it dhe pathos-it aristotelian, shoqëritë përmes përfaqësuesve mediatikë kanë në dorë fjalën dhe besimin, logos-in dhe ethos-in, përballjen e spekullantëve me rekordet e punës së tyre, duke nxjerrë në dritë dimensionet e karakterit të tyre.
Kryerja me përgjegjshmëri nga ana e medias dhe liderëve të opinionit publik të detyrës së informimit dhe analizës rreth funksionarëve publikë është antidoti ndaj abuzuesve jetëgjatë të pushtetit. Futja e pushtetit mediatik nën ombrellën financuese të klientelës së qeverisë i heq shoqërisë sistemin imunitar ndaj viruseve të pushtetit politik.
Kjo i shton jetën mediokriteteve dhe ç’bën profesionalisht karrierën e shumë njerëzve, kompromenton shanset për zhvillim të së tërës. Për të bërë një vend të përshtatshëm për megalomaninë e një personi ne çojmë dëm terrenin për rritjen dhe zhvillimin e talenteve të mbarë kombit. Për të siguruar burimet e fitimit personal, ne i hapim rrugë mbretërimit të mediokriteteve dhe kjo është e pandershme, por edhe e dëmshme për ecurinë tonë si individë dhe komunitet.
Tenja që ushqejmë do rrënojë strukturën e ngrehinës ku banojmë dhe një ditë mund të shëmbet duke na zënë të gjithëve brenda. Për këtë deontologjia profesionale e liderit mediatik është thelbësore në mbrojtje të sistemit demokratik. Media mund të jetë ushqyesja kryesore e mediokritetit në pushtet dhe fjala e dikujt ‘duke i ekspozuar në mënyrë të tepruar karizmatikët antisocialë do i bëjmë të duken shumë më të mëdhenj se janë realisht janë’. Kështu rritet një imazh fals i adhuruar nga shoqëritë dhe i konsoliduar në pushtetin politik.
Në këtë drejtim edhe vetë shoqëritë duhet të refuzojnë uzurpimin e hapësirës mediatike nga një prijës apo një klan, të abandonojnë lavazhin e trurit dhe propagandën qeveritare, që tejkalon ndjeshëm minutazhin racional të informimit publik mbi punën e institucioneve publike.
Mbrojtja kulturore
Shoqëritë duhet të krijojnë matricën e liderit të civilizuar dhe ndajnë në masë profilin e liderit rezultativ dhe të ekuilibruar. Kombinimi i pamjes tërheqëse dhe katastrofës qeverisëse të E. Hoxhës dhe të ngjashmëve të tij duhet të na bëhet mësim. Këtu hyn refuzimi për të mbështetur retorikën spekullative, njerëzit e ç’ekuilibruar, që nuk i nënshtrohen rregullave konvencionale dhe universale të veshjes, tonalitetit, verifikimit të qasjeve, veprimeve dhe sjelljeve, që nuk mbajnë përgjegjësi për vendimmarrjet, për pasojat e ushtrimit të pushtetit të tyre.
Kanë edhe gjermanët apo francezët mediokritete shtatlartë, sharmantë me tendenca autokrate, por nuk i vënë për të parë. Preferojnë liderë racionalë si Merkel, Scholz apo Macron, burra dhe gra që prodhojnë politikë për përmirësimin e cilësisë së jetës, jo për lartësimin e prijësit dhe dominimin e klanit. Janë shoqëri që e kanë tejkaluar mitin e burrit shtatlartë apo spekullantëve të fjalës pa rezultate. Politika duhet të shihet si çdo profesion, ku të dominojë profesionalizmi dhe gjykimi racional, ku autoriteti të burojë vetëm nga rezultatet e dobishme për të gjithë. Këtë arketip kulturor na duhet të përvetësojmë.
Duke krijuar tolerancë ndaj sjelljeve të papërshtatshme me funksionet publike, ne ushqejmë devijacione të rrezikshme dhe marrim në qafë edhe vetë liderat. Të gjithë kanë nevojë t’u vijëzohet terreni i së lejueshmes për të eksploruar maksimumin e talentit dhe aftësive. Në terren të hapur shumë syresh mund të gabojnë e të shkojnë drejt kompromentimit të shanseve të tyre dhe marrjes në qafë të fateve të të tjerëve.
————————-
(1) David Owen, Jonathan Davidson, Hubris syndrome: An acquired personality disorder? A study of US Presidents and UK Prime Ministers over the last 100 years, Brain, Volume 132, Issue 5, May 2009.
(2) Tomas Chamorro-Premuzic, Why Do So Many Incompetent Men Become Leaders?: (And How to Fix It), Harvard Business Review Press, 2019.
Komentet