Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet ka hedhur akuza të forta këtë të shtunë ndaj qeverisë Rama, dhe konkretisht ndaj Partisë Socialiste.
Ka qenë kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi që në fjalën e tij në Këshillin Kombëtar të kësaj partie tha se partinë e tij tentuan që ta zhduknin në zgjedhjet e kaluara.
Idrizi akuzoi qeverinë duke thënë se çështja çame nuk është më pjesë e programit të qeverisë.
“Sido që të marrin votat, të na marrin mandatet, nuk mund të na zhbëjnë se nga veriu në jug. Do na kenë si një thumb, ngulur në trurin e tyre. Nuk e prishin dot këtë lëvizje, pasi kjo është partia e madhe. Ata mund të vjedhin mandatin e Idrizit, Takut, Mesilës, por nuk e vjedhin dot misionin tonë. Se vjedhin dot Çamërinë, sado që të flasësh për të, sado të përbetohesh për të. Pas një viti që u krye ai turp, siç ishin zgjedhjet, pasojat janë këto. Ata tentuan të lënë jashtë Kuvendit PDIU. Jo vetëm për të patur tepsinë me veten, por u bë e qartë kur çështja çame nuk përfshihet në programin e qeverisë”, tha Idrizi.
Komentet