Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi në një opinion publikuar sot në gazetën “Panorama”, zbardh të vërtetën e “Konspiracionit” që qëndron pas PDIU-së:
Çështja Çame po njeh një zhvillim të rëndësishëm dhe cilësor. Brukseli i kërkon Tiranës dhe Athinës të vendosin mekanizmin e dialogut, hap i lavdërueshëm dhe i sigurt drejt avancimit të zgjidhjes.
Është e qartë që politika greke dhe mediat e atjeshme janë të ndjeshme për çështje të tilla. Nuk është e lehtë që propaganda, e cila mbështetet prej shekujsh nga megallo ideja dhe arroganca me Shqipërinë, të mos ndihet e cenuar.
Hapja e problemit çam ngre jo vetëm tragjedinë dhe krimet e kryera në Çamëri, për të cilat klasa e sotme politike në Athinë realisht nuk është përgjegjëse, por më vjen keq që avancimi i Çështjes Çame i ka bërë të humbin qetësinë, por edhe arsyen, duke mbrojtur pikërisht kriminelët fashistë të Zervës.
Politika greke dhe mediat nacionaliste të vendit fqinj prej kohësh kanë nisur sulme, shpifje e kërcënime ndaj Çështjes Çame, PDIU-së, por dhe Shqipërisë. Është deri diku qesharake që janë mobilizuar të gjithë kolegët grekë, majtas dhe djathtas, së bashku me shtypin duke ngritur një stuhi që Çështja Çame nuk ekziston. Nuk besoj që shpenzojnë kaq energji dhe mllef për një çështje që është e paqenë.
Më pas merren me një tjetër betejë propagandistike që çamët ikën vetë me ndërgjegje të vrarë prej krimeve që paskan bërë, madje njoftuan që kishin nisur të kërkonin nëpër arkivat gjermane për të gjetur bashkëpunimin e Çamërisë me pushtuesit.
Duket e kuptuan që nuk mjafton të hidhnin fjalë në erë, por duhet gjetur ndonjë copë letër, teksa shqiptarët dëshmojnë për dy batalione të rezistencës antifashiste të Çamërisë, batalioni “Ali Demi” dhe “Çamëria”, duke shtuar këtu dhe të famshmen luftë 45-ditore, ndoshta e vetmja frontale ndaj pushtuesve nazistë të kryer në Greqi dhe Shqipëri.
Janë beteja të mirëfillta të rezistencës, ndërsa ka një numër të madh të rënësh në përpjekje me pushtuesin. Në këtë aradhë sulmesh absurde dhe megallomane, më kuptimploti për të vënë re sa atavistë janë kolegët e Athinës, janë akuzat ndaj Brukselit dhe veçanërisht shpallja armik e Komisionerit Johannes Hahn.
Nuk u mjaftuan as me kaq, por së fundmi kërcënuan Shqipërinë me bllokimin e procesit të integrimit në Bashkimit Europian. Dhe qershia mbi tortë ishte kërcënimi i ministrit Nikos Kozias që kujtonte forcën ushtarake të vendit të tij, duke pasur parasysh që GDP e Greqisë është e gjitha një borxh i madh, ndaj avionët dhe tanket e saj presin dritat e Brukselit të ndizen.
Po prej diplomatit të lartë grek kemi mësuar që çamët duhen ndarë në disa kategori në: bashkëpunëtorë, të cilët janë ca që ikën dhe në jobashkëpunëtorë, që janë ca që mbetën. Me thënë të drejtën, këtë rebus diplomatik apo historik të profesor Kotzias nuk e marr vesh!
Dhe tani mbërrijmë tek e fundit akuzë, e cila tregon më së miri për dorën po kaq bizantine të goditjes poshtë brezit:
Pas PDIU-së qëndron Erdogani! Ky i fundit, me gjithë problemet e Turqisë, paska kohë të merret me PDIU-në dhe organizimin e saj?! E gjitha kjo është qesharake, por është një ide konspirative që ngjizet shumë fort në ambientin e brendshëm grek, sepse këto kohë Turqia po ngre qëndrimet e saj me Greqinë për çështjet e ishujve të detit Egje. Tani le të merremi pak me tezën greke nëse për Çështjen Çame kemi të bëjmë me një koincidencë apo një aksion të rakorduar në boshtin e ri gjeopolitik Bruksel-Tiranë-Ankara.
Unë për vete mendoj që nuk është koincidencë, por kemi të bëjmë me një strategji të mirësajuar dhe këtë e thotë fare qartë gazeta e rëndësishme, “Kathimirini”. Sipas logjikës së saj unë, Shpëtim Idrizi, dhe Presidenti Erdogan jemi marrë vesh me Brukselin dhe Komisionerin Hahn, kur eurodeputetja e Demokracisë së Re kërkoi shpjegime për Çështjen Çame. Jemi kuptuar që me këtë rast zoti Hahn të shfrytëzonte përgjigjen e tij për të ngritur Çështjen Çame.
Në të njëjtën kohë, Erdogani kërkonte rishikim të Traktatit për ishujt e detit Egje dhe padrejtësitë historike të dalluara atje. Madje, mund të shkojmë edhe më tej; të pretendojmë që Komisioneri Hahn është marrë vesh vetë me eurodeputeten greke që kjo t’i dërgonte një letër atij ku ta pyeste se fjalimi i Kryeministrit Rama në Kongresin e PDIU-së, kalimi i PDIU-së në aleancën e shumicës, protesta e Shoqatës “Çamëria” (a thua se Athina nuk po digjet nga protestat) a ishin në përputhje me parimet e fqinjësisë së mirë dhe me dëshirën e mirë për të bllokuar hapjen e negociatave midis Shqipërisë kandidate për në BE dhe vetë BE-së?
Ja ku po jua them që ky skenar i bërë nga Erdogani – Han – eurodeputetja, funksionoi. Vetëm se PDIU kishte rolin e telespektatorit që duartrokiste zhurmshëm, madje për ta bërë më të plotë, u cituan e u gjetën ca shqiptarë dhe minoritarë të mirë që kërkonin dialog, aty ku kishte vetëm monolog.
Sipas tyre, Çështja Çame është e paqenë, por edhe po ekzistoi, i përket së kaluarës. Këta njerëz të qetë dhe shumë tolerantë thonë që duhet ta lëmë mënjanë rivendosjen e padrejtësisë, duke hedhur sytë nga e ardhmja. Madje, për të dhënë një shenjë mirëkuptimi, e mira është të ndërtohen nja 8 000 varre për të rënët e luftës civile greke 70 e kusur vite më parë.
U shkoi për shtat të citonin Berishën në deklaratën e tij në Kuvend që marrëveshja e ujërave ishte hedhur poshtë për shkak të një pale të tretë. Gazeta “Kathimirini” është e bindur që bëhet fjalë për Turqinë. A thua se Erdogani ka tagër dhe drejton Gjykatën Kushtetuese në Shqipëri, ku tek e fundit nuk kuptohet se ku hyn Çështja Çame në këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese për të hedhur poshtë marrëveshjen e ujërave.
Normal, gazetari kathimirinist e di shumë mirë që Greqia ka përdorur e përdor ca politikanë shqiptarë dhe disa media në Shqipëri për axhendën e saj historike kundrejt Shqipërisë. Axhendë e bazuar mbi të famshmen megallo ide qysh në 1820. Vorioepirizmi ka që në vitin 1914 që është lartësuar, kurse Ligji i Luftës është fuqiplotë që në 1940-n e deri në ditët e sotme që flasim, në vitin 2016.
Dhe për t’i bërë më të besueshme këto teza, duhej edhe një citim prej deputetit të PDIU-së, Tahir Muhedini, i cili pasi deklaroi për herë të parë në Kuvend që kishte 28 të vrarë e të masakruar vetëm në shtëpinë e tij, po atë natë darkoi gjatë me gazetarin e “Kathimirini”- t me peshk e verë të bollshme.
Në këtë gazmend, zoti Muhedini i paska bërë këto pohime mysafirit artikullshkrues në prani të një gazetari shqiptar që përhap e përçon pa u lodhur çfarë gatuhet në mediat greke për Çamërinë. Pa dyshim ky gazetar po shërben pa u kursyer, ndoshta dhe pa dëshirë, që Çështja Çame të mbahet e ndezur më shumë se kurrë. Ndaj artikullshkruesi, pasi ka ndërtuar skemën, ka gjetur dhe njëfarë citimi, shpalos konspiracionin dhe shpjegon haptas skemën që ka zbuluar pas një pune të mundimshme investiguese.
Pra, Erdogan lëviz fijet e kombinimit Hahn – eurodeputetja greke – Berisha- ca politikanë të mirë shqiptarë – Tahir Muhedini – PDIU – Çamëria. Por, kur mbërrijmë këtu, besoj më lejohet të bëj një pyetje: Mirë media greke që bën punën e saj për të deklasifikuar, stigmatizuar Çështjen Kombëtare Shqiptare të Çamërisë, po pse një pjesë e mediave shqiptare është kaq e zellshme për të nxjerrë dhe përhapur ç’thotë çdo fletore e Greqisë?!
Nuk ma merr mendja që shtypi shqiptar e merr gazetarin grek të “Kathimirini” si kriter të së vërtetës. Më e pakta, kjo pjesë e shtypit duhet të mbajë qëndrime për Çështjen Çame e të hetojë që në rastin e citimeve të Tahir Muhedinit ka një gjë që nuk shkon, sepse një njeriu që i vrasin dy gjyshërit, xhaxhallarët, hallat, plot 28 veta të shtëpisë, veç urrejtje mund t’i gjesh për kriminelët e Zervës dhe asgjë tjetër.
Por, nga deputeti Muhedini na del në pah vetëm që në Çamëri ka pasur fqinjësi të mirë me grekët, ndërsa ata që bënë krimet nuk ishin gjitonët tanë, por andartët e ardhur në Çamëri nga Kreta në vitin 1923 (pas Traktatit të Lozanës, të cilin kërkon të rihapë Erdogani).
Në fakt, Tahir Muhedini u ka thënë këto të vërteta të mësipërme gazetarëve grekoshqiptarë, por ka treguar edhe që Shoqata “Çamëria” e ka filluar aktivitetin që në dhjetor të vitit 1991, që PDIU ka 7 vjet parti parlamentare dhe është partia e katërt në vend në disa palë zgjedhje. Në fund, pas katër orësh me peshk dhe verë e plot biseda pa fund për Çamërinë e miqësinë që duhet të kenë fqinjët, janë shkëmbyer edhe numrat e telefonit. Muhedini, si mikpritës e duke qenë në Tiranë, paguan edhe faturën e darkës. Gazetari i “Kathimirini” interesohet mirë për darkën dhe faturën e saj, por dhe për qindra aktivitete se ku gjenden financat.
Muhedini është përgjigjur që janë mbi 300 mijë çamë në Shqipëri, sepse bëhet fjalë për një komunitet të dalluar e punëtor, me sipërmarrës të fuqishëm çamë. Ja ku e zbulon dhe një tjetër barkë shpëtimi artikullshkruesi. Tani, në fund të kësaj historie komikokonspirative, unë e kuptoj që ka media (uroj të jenë të pakta) që për motive totalisht të ndryshme nga mediat greke, për llogari elektorale, do të donin të ulnin peshën e PDIU-së që, për fatin e tyre të keq, rritet përditë.
Por, ka një mënyrë që është dhe patriotike, edhe kombëtare për të ulur peshën e PDIU-së në zgjedhje dhe në politikën shqiptare. Kjo është zgjidhja sa më e shpejtë e Çështjes Kombëtare Çame dhe për këtë duhet të angazhohemi të gjithë: gazetarë, politikanë, historianë, juristë, gjuhëtarë. Tek e fundit, Çamëria nuk është vetëm e PDIU-së, por e të gjithë shqiptarëve.
Komentet