Radiotelevizioni i Kosovës njoftoi se një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur prapa shtëpisë së Drejtorit të Përgjithshëm të këtij mediumi publik, Mentor Shala, por ka kaluar pa dëme në njerëz.
Në faqen e internetit të këtij mediumi thuhet se shpërthimi ka ndodhur rreth 22 e 10 minuta.
“Shpërthimi ka qenë i fuqishëm, që ka tronditur tërë lagjen. Mjeti shpërthyes është hedhur prapa shtëpisë sime. Në shtëpi kemi qenë e gjithë familja. Fatmirësisht nga ky shpërthim askush nuk është lënduar”, citohet të ketë thënë zoti Shala.
Policia ka filluar hetimet por nuk ka dhënë asnjë hollësi për autorët apo motivet e mundshme të këtij shpërthimi, që pasoi sulmin e 22 gushtit në ndërtesën e Radiotelevizionit të Kosovës që po ashtu kaloi pa dëme në njerëz.
Policia edhe më tej është duke e hetuar atë sulm si vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe ende nuk ka dhënë hollësi rreth as për autorët apo motivet e mundshme të tij.
Sulmi pati nxitur shumë reagime të institucioneve vendase e ndërkombëtare, partive politike dhe shoqatave të gazetarëve.
Rastet kanë pasuar një periudhë tensionesh politike. Kosova po përballet tash e gati një vit me krizën më të thellë politike që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008, për shkak të mospajtimeve rreth një marrëveshjeje të arritur me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.
Më një shtator Parlamenti i Kosovës pritet të debatojë projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, me gjithë kundërshtimet e partive opozitare.
Opozita dhe ekspertët e pavarur thonë se marrëveshja e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë tokë dhe hedhin poshtë pohimet e Komisionit Shtetërorë për kufirin se shënimi i tij është në pajtim me dokumentet në fuqi, përfshirë edhe planin në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.
Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është vënë si kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vonesa e saj mund të bllokojë planet për miratimin e liberalizimit në strukturat e Bashkimit Evropian.
Komentet