Voal – Duhej të ishin të gjitha të personalizuara me emër dhe mbiemër, por biletat e ndeshjes Shqipëri-Serbi kanë përfunduar në treg të zi, duke u shitur me çmime 10 apo më shumë herë se çmimi normal, shkruan SYRI.net.
Konfirmimi ka ardhur nga Policia e Elbasanit e cila ka nisur hetimet në lidhje me denoncimet e bëra, kryesisht nga qytetarë nga Kosova, të cilët kishin blerë bileta në tregun e zi. Janë dy persona nga Peqini, njëri prej të cilëve është ndaluar dhe tjetri në kërkim, që akuzohen për shitje të biletave në treg të zi.
Policia e Elbasanit ka bërë të ditur se, ka nisur procedimi penal dhe po punohet për kapjen e shtetasit 23-vjeçarit me inicialet T. R., banues në Peqin.
Pas kallëzimit të bërë nga katër qytetarë nga Kosova me inicialet A. K., 19 vjeç, E. K., 20 vjeç, L. K., 24 vjeç dhe N. M., 20 vjeç, të gjithë banues në Malishevë, ndaj të riut me inicialet T. R., i cili i do ti shiste 3 bileta me vlerë 150 euro, ndërkohë i ka dhënë vetëm një, i ka premtuar se do ti sillte dhe dy të tjera, por pasi ka marrë 150 eurot është larguar.
Materialet i’u kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Mashtrimi” dhe “Manipulimi i tregut”.
Ndërkaq është proceduar penalisht 52-vjeçari po nga Peqini me inicialet M. Ll., sepse nga informacionet e marra në rrugë operative dhe gjatë kontrollit të bërë nga efektivat e policisë, gjatë ditës së djeshme, rreth orës 19:20, para Stadiumit “Elbasan Arena”, i janë gjetur 4 bileta sporti me çmim të shtrenjtë me emra të tjerë dhe jo në emrin e tij, të cilat më pas u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i’u kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Manipulimi i tregut”.
Komentet