Voal – Nëse nuk e patë të hënën ( 2 Nëntor) intervistën e drejtoreshës së tatimeve, Briseida Shehaj në emisionin e ri të Rudina Xhungës “Dritare nga Rudina Xhunga” në Vizion Plus, ka gjasa që të nesërmen kur keni lexuar mediat online apo shtypin, të mos keni marrë vesh asgjë se çfarë ka thënë.
Por nga ana tjetër keni parë e riparë portretin e saj të shkrepur nga afër të krehur e me buzëkuq dhe keni mësuar se Briseida ishte lyer. Se Briseida qënkërka më e bukur se ç’dukej në konferencat e shtypit, se Briseida nuk ishte ajo vajza e ashpër me xhestikulacione “të tepruara”, por na qenka edhe një “femër e butë”.
Papritur këto media, edhe ato që diskutojnë në përditshmërinë e tyre politikën dhe ekonominë e këtij vendi, edhe ato që faqet e para muajt e fundit i kanë mbushur me aksionet tatimore për vendosjen e gjobave dhe kasave fiskale, u shndërruan në revista fashion & beauty.
Në fakt tërhiqem: Do të ofendoja revistat femërore, duke përfshirë edhe Anabel.al – përmbajtja e së cilës ka një përqindje të madhe mode dhe bukurie – nëse do t’i krahasoja me këtë “masakër” që iu bë gruas dje, nëpërmjet Drejtoreshës së Tatimeve. Revistat femërore, kurrsesi nuk do të zhvlerësonin në këtë lloj mënyre, punën dhe mundin e një gruaje. Kurse këto media e bënë. Rudina Xhunga në faqen e saj e quajti “dhunë ndaj gruas” këtë misogjini.
Gruaja që ka në dorë paratë e shtetit, ishte ulur të hënën në emisionin “Dritare nga Rudina Xhunga” për të folur gjërë e gjatë, detaje për punën e saj, për të sqaruar çdo hamendësim, për t’iu kundërpërgjigjur çdo akuze, ishte atje për të DHËNË LAJM mbi punën e saj. A e meriton atë detyrë? A ishte e besueshme? A kishte argumenta që mbështesnin tezat e saj? A paralajmëroi ndëshkime të tjera? Biznemenë të vegjël e të mëdhenj, ata që s’e kishin parë këtë emision, duhet të hapnin gazetat që pretendojnë se i shërbejnë këtij populli, për të parë se çfarë do të ndodhë me paratë e tyre. Ai berberi, ai shitësi i thjeshtë ambulant që mediat e përdorin si histori personale për të nisur shkrimet e tyre kundër reformave të qeverisë, u injorua. Shqetësimi i mijëra bizneseve u eklipsua nga buzëkuqi dhe flokët e krehura, që i shërbyen më së miri anonimëve të Facebook-ut, atyre që s’u dhëmb buka e kalamajve, por mungesa e ëireless-it.
Ajo çfarë më tmerroi nga i gjithë ky mbulim për të “pjeshkëzuar” (nëse do të ‘vidhja’ shprehjen slang të brezit të ri) Drejtoreshën e Tatimeve, ishte fakti që këtu gjithnjë e më shumë po zhvillohet dhe po forcohet një mllef ndaj gruas që punon. Briseida bëhet drejtoreshë dhe e quajnë “vegël” të Ramës. Briseida del në konferencë për shtyp me këmishë të mbyllur deri në grykë dhe pa grim dhe e quajnë “burrë”. Briseida krihet e lyhet në një studio si çdo njeri tjetër në planet, që kur del në studio televizive lyhet e krihet (burrat, për ata që s’e dinë, vendosin të gjithë pudër në fytyrë) dhe i thonë “U bëre e bukur dhe u zbute”. Briseida vetë, si një grua në një nga rolet më të rëndësishme në këtë qeverisje, nuk merret seriozisht. Madje edhe kur nuk ke ç’të thuash për të, do të krijosh një lajm nënvlerësues, siç ishte një foto e disa ditëve më parë që qarkullonte në media online, ku drejtoresha ishte duke folur në celular. Ajo nuk po fliste afër askujt që shkrepi fotografinë, por hamendësimi ishte ky: “Briseida merr instruksione”, që përkthehet: ajo vetë nuk di të bëj asgjë. Por ka edhe më keq. Një vajzë bjonde përbri Shehajt, u konsiderua si “Konkurrencë në bukuri e drejtoreshës”. Dhe ky koment mbi këtë foto përkufizon fatkeqësisht mentalitetin që edhe ata që vetëquhen “elita intelektuale”, gazetarët me shkollë e karrierë kanë për një femër : “Nëse ia del, e ka patjetër meritën një burrë dhe se çfarë do që të bëj në jetë një femër, në sytë e burrave do të ketë gjithmonë një numër të ngjitur pas rrobabanjove, duke pritur vlerësimet e jurisë për bukurinë e saj.
Duke ri-perifrazuar shprehjen e Xhungës: “Ky është një dhunim I vërtetë i gruas.” Po aq i tmerrshëm sa dhuna fizike, por që nuk flitet pothuajse kurrë, aq më tepër nga ato gra që ngrihen për ngacmime seksuale e rrahje ndaj grave të mjera e të varfra. Por pse të mos rrihen ato gra, kur “Crème de la crème” siç konsiderohen opinionbërësit dhe lajmdhënësit e këtij vendi, shkruajnë si ata djelmoshat e mbështetur parmakëve të pallatave që i thërrasin “P**i i bukur” çdo lloj gruaje që u kalon përpara syve e u duket tërheqëse? Në këtë rast, “Intelektu-halët tanë” u fishkëllejnë femrave nëpër gazeta e studio televizive.
Briseida Shehaj nuk është një mikeshë e imja, por është më shumë. Është një grua që punon si unë, si ty dhe shumë të tjera si ne. Është si vajza, motra, gruaja apo nëna juaj. E bën mirë punën e saj? Shkruani për meritat e saj ! E bën keq punën e saj? Sulmojeni me fakte! Ose hiqni dorë nga pretendimet se jeni gazetarë “seriozë” e profilizohuni zyrtarisht në buzëkuqe e krehje flokësh. Më besoni nga eksperienca: Të arrini të dalloni “Mac Russian Red” nga “Chanel Rouge Allure” do t’ju bëjë më të ndershëm profesionalisht, sesa të injoroni punën e një gruaje, duke u marrë me pamjen e saj.”
Komentet