Katër ditë para ndeshjes së Kombëtares shqiptare të futbollit me Serbinë, Bekim Balaj dhe Odise Roshi shpërthejnë me dy gola në kampionatin kroat.
Ekipi i Rijekës në të cilin ata aktivizohen fitoi 4-1 ndaj Zagrebit. Fillimisht ishte Roshi i cili shënoi golin e dytë për Rijekën në minutën e 79′ të pjesë së dytë, ndërsa gjashtë minuta më vonë Balaj realizoi golin e katërt duke i çuar shifrat në 4-0.
Ndërkohë, një tjetër sinjal për Serbinë ka dhënë edhe Armando Sadiku. Sulmuesi i Kombëtares kuqezi ka shënuar gol me Zyrihun në sfidën e sotme ndaj Bazelit e cila përfundoi në barazim 2-2.
Sadiku realizoi golin në fundin e ndeshjes duke barazuar rezultatin i cili ishte 2-1 për ekipin ku aktivizohen Gashi, Xhaka dhe Aliji. Armando Sadiku shënoi në minutën e 3-të të shtesës duke e mbyllur sfidën në barazim.
Golin e dytë për Bazelin e ka realizuar Albian Ajeti, shqiptari i clili aktivizohet momentalisht me U21 të Zvicrës, por nuk përjashtohet mundësia që ai në të ardhmen të luajë me Përfaqësuesen kuqezi.
Pavarësisht barazimit, Bazeli mbetet në vendin e parë në kuotën e 28 pikëve në kampionat e pashqetësuar nga askush, ndërkohë Zyrihu ngjitet në kuotën e 8 pikëve duke e parë veten në një zonë të ftohë me pikë të njëjta sa Thuni dhe Lugano.
Një tjetër protagonist nga radhët e kuqezinjve që luajnë në Evropë ishte edhe portieri i Kombëtares që aktivizohet tek Lacio, Etrit Berisha.
Ky i fundit kreu dy pritje vendimtare në ndeshjen e luajtur mbrëmjen e së dielës mes Lacios dhe Frosinones, takim i cili përfundoi me fitoren e vendasve 2-0.
Forma e mirë e treguar nga lojtarët e Kombëtares në kampionatet në të cilën ata aktivizohen rrit shanset për një fitore të mundshme ndaj Serbisë më datë 8 tetor, ndeshje kjo e vlefshme për eliminatorët e “Francë 2016”.
Komentet