Bashkia e Sarandës dhe ministria e Turizmit, me gjithë inspektoriatet në varësi të tyre, janë përgjegjëse për masakrën mjedisore brenda liqenit të Butrintit, zonë e mbrojtur nga konventa ndërkombëtare dhe legjislacioni shqiptar! Siç dihet, qysh më 28 mars 2003, liqeni i Butrintit është përfshirë në Listën e Lagunave me Rëndësi Ndërkombëtare të Konventës së Ramsarit.
Nga Ina Zhupa
Siç denoncoi emisioni Fiks Fare, tonelata me inerte janë hedhur për disa muaj me radhë brenda liqenit të Butrintit. Mos vallë këto inerte janë nga “investitorët strategjike” që po pushtojnë edhe Butrintin e Ksamilin, duke shkatërruar ç’ju del para me sytë e mbyllur të shtetit?
Emisioni Fiks Fare tregoi që dikur ka qenë liqenore dhe pjesa që sot është me tonelata me inerte.
Nga një krahasim i hartave të vitit 2010 me atë aktuale (nga google earth dhe google maps), rezulton se vendi ku ishin hedhur këto inerte, disa muaj më parë ka qenë zonë ujore, bregu i liqenit të Butrintit. Ndërsa sot, gurë të mëdhenj, mbetje të liqenit, dhera janë hedhur atje dhe çuditërisht askush nuk është identifikuar, jo më të procedohet penalisht.
Shpërfytyrimi i vijës ujore të liqenit të Butrintit përbën një tjetër skandal e dështim spektakolar të Mirela Kumbaros ose arkitektes së ligjit famëkeq të trashëgimisë kulturore që i hapi shtegun tjetërsimit të Butrintit sipas orekseve të anti-shqiptarit Riçard Hoxhes.
Mirëpo zonja Kumbaro, si dhe Oltion Çaçi, pasi të mbarojnë propagandën tik tok me “Maldivet e Europës” të kujtohen të bëjnë detyrën duke gjetur përgjegjësitë dhe çuar para drejtësisë dëmtuesit, por mbi të gjitha duke pastruar dhe kthyer në gjendjen e përparshme zonën e dëmtuar të liqenit të Butrintit.
Rasti flagrant është tjetër provë, si shumë e shumë të tjera, e dështimit të plotë të modelit menaxherial Elva Margariti – Majkëll Granof. Siç dihet, AADF-ja, koncesionari i Butrintit, synon të marrë në zotërim të plotë kontrollin, posedimin, menaxhimin dhe përdorimin e Parkut Arkeologjik të Butrintit, duke shkelur haptas modelin e Konventës së Parisit që bazohet në “rolin parësor të Shtetit Palë”, duke copëzuar e parcelizuar Pasurinë e Trashëgimisë Botërore si dhe duke cenuar rëndê integritetin, autenticitetin dhe vlerat e jashtëzakonshme universal të Butrintit vetëm e vetëm për plotësimin e egove personale të tyre.
Gjej rastin të denoncoj këtu edhe shqetësimet e përcjella nga specialistë mjedisorë dhe qytetarë të Sarandës për derdhjen e ujërave të zeza në liqenin e Butrintit.
Si deputete e Sarandës dhe në mbështetje të vullnetit të zgjedhësve të mi, pavarësisht nga bindjet partiake, kërkoj nisjen e një hetimi të shpejtë e të thelluar për identifikimin e shkelësve të ligjit, gjetjen e përgjegjësive në rrafsh të administratës vendore dhe qendrore, ndalimin e veprimtarive të tilla të paligjshme dhe rehabilitimin dhe kthimin e mjedisit ligatinor dhe vijës ujore në gjendjen e përparshme.
Liqeni i Butrintit është përfshirë në Listën e Lagunave me Rëndësi Ndërkombëtare të Konventës së Ramsarit.
Sipas Nenit 4 të kësaj Konvente,”çdo Palë Kontraktuese, pra Shqipëria, nxit konservimin e ligatinave dhe të shpendëve ujorë duke ngritur rezervate natyrore për ligatinat dhe duke marrë masa për ruajtjen e duhur të tyre”.
Sipas legjislacionit shqiptar në fuqi, Ligji nt 81/2017 Për Zonat e Mbrojtura, në zonat e mbrojtura me interes ndërkomëtar dhe që gëzojnë mbrojtje të veçantë si habitat i shpendëve ujorë (zona Ramsar), lejohet vetëm ushtrimi i veprimtarive tradicionale të bujqësisë, peshkimit etj.
Çdo “ndërhyrje me karakter ndërtimor ose veprimtari të tjera të çfarëdollojshme në lartësi 1500 metra nga vija e ujit duhet miratuar me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit”.