Mospërfillje e ndërsjellë dhe retorikë e ashpër politike po karakterizon raportet ndërmjet liderëve institucionalë të Kosovës dhe ambasadorëve të vendeve të Kuintit, që përfaqësojnë pesë Qeveritë më të fuqishme të Perëndimit.
Mospajtimet ndërlidhen me dy nga çështjet më të rëndësishme aktualisht në skenën politike të Kosovës, siç është ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe nisma për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale për krime lufte.
Analistët e çështjeve politike thonë se raporte të tilla të lidershipit të Kosovës me përfaqësuesit e vendeve aleate, po vërehen për herë të parë në këto dekadat e fundit.
Rasti më i freskët që dëshmon dallimet në pozicionet rreth proceseve aktuale, ishte deklarata e kryeministri të Kosovës, Ramush Haradinaj, të mërkurën, kur tha se Qeveria e tij nuk u jep llogari ambasadorëve.
“Qeveria e vendit llogari i jep Parlamentit. Parlamenti na ka zgjedhë. Ambasadorëve u japim llogari në marrëdhëniet diplomatike, në marrëdhëniet me shtetet. Ne nuk i kemi punëdhënës ata, ne punëdhënës i kemi deputetët”, ka thënë Haradinaj.
Paraprakisht, edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte adresuar një mori kritikash, sidomos ndaj Bashkimit Evropian, për faktin se po vazhdon ta mbajë Kosovën në izolim, pa liberalizim të vizave. Ndërkaq, në lidhje me Gjykatën Speciale, Thaçi kishte theksuar se përfaqësuesit ndërkombëtarë i kishin premtuar Kosovës liberalizim të vizave dhe perspektivë evropiane, në këmbim të themelimit të kësaj gjykate.
Deklaratat e lidershipit në Kosovë, i kanë pasuar thirrjet e vazhdueshme të ambasadorëve të vendeve të Kuintit, të cilët kanë kërkuar që të hiqet dorë nga nisma për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, duke theksuar se në të kundërtën, politikanët që e aprovojnë atë nismë do të përballen me pasoja të rënda.
Analisti i çështjeve politike, Ilir Ibrahimi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se mospajtimet e mëdha ndërmjet dy palëve kanë sjellë si pasojë edhe përdorimin e retorikës dhe fjalorit të ashpër politik të ndërsjellë.
“Retorika ka qenë e ashpër në të dy drejtimet. Edhe nga ambasadorët kemi dëgjuar deklaratat më të ashpra që i kemi dëgjuar ndonjëherë drejtuar liderëve kosovarë dhe ndoshta si një kundërpërgjigje kemi pasur një ashpërsim të gjuhës ndaj ambasadorëve”.
“Kjo vjen për shkak të mospajtimeve që i kemi parë ndërmjet dy palëve për dy çështjet, siç janë, Demarkacioni dhe Gjykata Speciale”, thotë Ibrahimi.
Mospërfillja e vazhdueshme e kërkesave të aleatëve ndërkombëtarë, nga analistët po cilësohen si veprime që e cenuan partneritetin dhe miqësinë e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me vendet aleate nga Bashkimi Evropian.
Analisti i çështjeve politike, Ismajl Hasani, tha për Radion Evropa e Lirë se dëmtimi i raporteve me vendet partnere të Kosovës, mund të ketë pasoja të pariparueshme për vendin.
“Përdorimi i gjuhës vulgare nga individë, pjesërisht edhe institucione, karshi ambasadorëve, sidomos të atyre të vendeve të Kuintit, që kanë kuptim të madh me prezencën e tyre në Kosovë, lirisht mund të kualifikohet si një kakofoni me prizma të rrezikshme dhe në të njëjtën kohë një dëm i pariparueshëm që mund t’u bëhet raporteve të Kosovës me vendet mike të saj”, thotë Hasani.
Ndërkaq, analistit Ilir Ibrahimi thotë se dëmtimi i raporteve të Kosovës me vendet mike tashmë ka ndodhur. Sipas tij, këto vende kanë filluar ta humbin besimin tek lidershipi kosovar.
“Javën e kaluar kemi pasur një fjalim të ambasadorit amerikan i cili i është drejtuar popullit të Kosovës dhe jo më liderëve. Ai ka filluar një bashkëbisedim me qytetarin e Kosovës sepse nuk po e sheh një lloj partneriteti te liderët kosovarë dhe ky është një hap prapa në relacionet që i ka pasur shteti i Kosovës me këto vende mike”, thotë Ibrahimi.
Kosova ka mbetur prapa në proceset integruese evropiane, si shteti më i izoluar, dhe i vetmi në rajon pa liberalizimin e vizave. Ndërkaq, së fundit, strukturat politike të dala nga ish-Ushtria Çlirimtare e Kosovës janë riorganizuar politikisht, duke kundërshtuar funksionalizimin e plotë të Gjykatës Speciale për krime lufte, çka është manifestuar me kërkesën e deputetëve për shfuqizimin e ligjit që e rregullon funksionimin e kësaj gjykate.
Një gjendje e tillë, sipas analistëve, po i shton frustrimet dhe zhgënjimet brenda Kosovës, sidomos te lidershipi aktual, frustrime këto që besohet se po reflektohen edhe në deklaratat e udhëheqësve të shtetit.
Komentet