Mars, 2023
(Mbi të pabetejshmën dhe një opozitë hipokrite)
1. Pararendja e së Keqes…
I paqtë kishte nisur shekulli i ri, tashmë i ikur. Ishin vitet e para dhe askush nuk pandehte që, më shpejt se një shpresë e ëndërrt e paqes, mbi gjysmën e tij do të binte shpejt flaka e dy luftërave botërore.
Një djalosh ndiqte, disi i vetmuar, orët në shkollën reale austriake. Profesori e kishte mësuar të urrente Habsburgët që mbanin të copëtuar Gjermaninë.
Por një koncept mbi botën dhe fatet e kombit, ende nuk ishte formuar. Mjegullia e mbyste. Pastaj, i pamaturuar, teksa dëgjonte i habitur socialdemokratët në kantierë ndërtimi, diçka ftillohej ngadalë. Nuk e pëlqente filozofinë e tyre.
Guxoi t’i kundërshtonte dhe ata u kërcënuan t’a hidhnin nga lartësia e skelave. Vetëm atëherë arriti të kuptonte “gjeniun e keq” hebre tek populli i tij.
Dhe këtej nisi t’i ngjizej Adolfit të ri ariozofik një doktrinë jete: suksesi në politikë i përket atij që është i ashpër, brutal, jotolerant. Sepse, masa popullore, thosh ai, është si gruaja tek i nënshtrohet një burri të çiltër, të fortë e fanatik…
Mendohej e arkivuar, por njëqind vjet më vonë, këtë formulë të ferrtë do adoptonte dytsi i tij në Kremlin.
2. Sindromi rus…
Jam errësira, pohonte, kobi, jam apokalipsa vetë…
Kështu, fundbotshëm, parathoshte zymtori Putin agresionin në Ukrainë dhe, mbase, me simbol-shkronjën Z, një version rus i kryqit të thyer hitlerian, tej ndonjë rripi neuralgjik në Lindjen e Europës.
Dhe mneri tashmë do të ndodhte. Tokë e djegur, kampe morti, vrasje në masë, varre kolektivë, fëmijë të humbur, masakruar e vjedhur, gjenocid dhe dëbim masiv të banorësisë civile nga votrat e tyre drejt udhëve të botës…
Historia e dhimbjes njerëzore ka shënuar shpeshherë në kronikën e kohëve mizore, arenë të ngjashme zie që i merr kuptimin jetës.
Së voni, ishte Kosova e shqiptarët, këta bijë të humbjes, që kishin parë vdekjen e qenies së vet nga pararendësi lajmëtar i Putinit, kalorësi serbian i së Keqes.
Tani, matanë pellgjeve të gjakut, e gjithë Europa do gjendej në sprovën ekzistenciale të saj. Ekonomia, kohezioni dhe devotshmëria ndaj vlerave të lirisë: ose merrnin dëshmi të re, ose pësonin një plasë që mund të nxiste rrokullimën e pafund.
Porse Shtëpia komunitare nuk do prishej. Ledhet e saj u fortifikuan si kurrë më parë. Ndaj, me gjithë një normë të përballueshme inflacioni, jetesa do ruante balansin social dhe harmoninë e elegancës.
Por ç’do të ndodhte me shpirtin?
Hënalehësit e Putinit, si natës yjeplot, do nxirrnin krye gjithandej.
Rëndom, njëlloj ndjeshmërie për Rusinë si mbetje e kujtesës sovjetike, bulëzonte përherë.
Por nuk besoja kurrë që mallëngjimi për epokën e kuqe të zotërve të Kremlinit, të mbijetonte kaq gjatë. Madje, thekshëm e plot trishtim në Europën e lindjes, e cila, në mesin e “dy shpejtësive” zhvillimtare, mbetet akoma me t’ngadaltën e saj. E, më parë se fatin a historinë e vet, fajson të tjerët në larginë.
Tek “Fryma e ligjeve” Monteskjenë e mundonte ideja e ndikimit të klimës a reliefit fizik mbi ligjet…
Kushedi, mbase gjeografia ruse do të përcaktojë që ligjet dhe sistemet e saj të jenë përherë në anën e kundërt të demokracisë…
Dhe kjo teori do linte vrragë në kulturën politike, anës perëndimore të saj…
Aty ku fillon e zona e parë e Europës!
3. Nostalgjia që vret…
E majta që rrodhi nga gjiri i tharë i komunizmit, ashtu si vetë shtrati i saj, pësoi një abort të hidhshëm historik.
Sikur nuk arrinte t’i ndjejë vlerat e qytetnisë demokratike të botës së lirë. Rimerrte me vete, për t’a ruajtur në besë, konceptin e luftës së klasave, urrejtjen ndaj Amerikës dhe, për çudi, flirtin e dhimbshëm me kolonialistët rusë. E tillë, ajo të kujton sindromin e Stokholmit kur viktima dashnohet tragjikshëm në dhuntarin e vet…
Por, jo të gjithë eurolindorët vuajnë këtë lëngatë. Baltët kurrësesi. Polakët aq më pak. Këtyre të dytëve, mbase, do t’u kujtohet ende vlerësimi i bukur figurativ i prijësit legjendar Valessa, mbi bashkëpunimin e atdheut të tij me Rusinë.
“Oh, ne kemi kooperim të shkëlqyer”, i pohonte ai medias perëndimore, vitet 80-të, në kulmin e rezistencës së zjarrtë. “Ne”, thosh ai, “u japim sovjetëve vaj, e ata na marrin sheqer”!
Madje disa, më thellë këndej, hungarezët e Orbanit, ushtrojnë një ekuidistancë të çuditshme. Krejt hipokrite në llojin e vet: strajcën e lekëve në Bruksel dhe vokacionin politik në Kremlin.
Mirëpo, gjermanëve andej Murit qyshkur të rrafshuar,
u mungonte gjasa reale
e ekuidistancës së ligë.
Kishin hyrë gjithë vullnesë në strehën e vëllait të madh që i hidhte zarin shansit të lumnisë. Veçse, sa e papritshme, pikërisht aty, në gjurmët e vuajtjes, sythojnë bimët e ndërdyshjes. Zhgënjimit. Mallit të keqkuptuar të jetës.
Lexoja një autore gjermane dhe do mbetesha pa fjalë. Shkruante se në indin shpirtëror të gjermanëve të lindjes, ka Rusi! Po, po. Pikërisht kështu, njëj mënyre tepër të qartë, pretendonte ajo zbërthimin e saj.
Vërtetë, prosperimi është i ngecur, të ardhurat më të ulëta, participimi në politikën e lartë i vogël, shpesh kurrëfare, martesat e dyanshme si një levë e akullshkrirjes, poashtu të rralla…
Po, sërish, janë larg, një botë larg idesë për mirëkuptimin e rusizmit të tyre.
Ndjesia, ndërkaq, nuk është e rezervuar vetëm për të majtën, Linke, që nuk e fsheh fare afeksionin e saj.
Afd-ja e radikalizmit të djathtë, shfaq rreptë e sfidueshëm këtë afinitet të panatyrshëm.
Ja pra shenja që shkon përtej ideologjisë dhe ankorohet qetësisht në bregun e vjetër të shpirtit rus.
Ndaj dhe Sara Wagenknecht do të formojë parti të re. Sepse, veç majtistëve të vet, do të rrëmbejë ndjekës dhe nga resurset e radikalëve të Afd-së. Po, fundja, a nuk është i njëjti shpirt me një grimë dimër Kremlini brenda tij?
Pa nëvojën e një argumentimi të hollë, e gjejmë të thjeshtë pohimin: dinjitarët politikë nga të dy palët flasim me përbuzje e ton të prerë negativ për Kosovën. E pra, gjithnjë në shtegun e shkelur sllav të Rusisë…
E prisja nga Sara dhe Ati i partisë Gregor Gysi, por asnjëherë nga djathistët e afishuar si armiqë të vetëkuptuar të komunizmit…
Me gjasë, autorja e tezës deshpëruese për Rusinë që prehet në shpirtin gjerman të Lindjes, pati të drejtë.
Mjerisht!
Kjo është arsyeja që do shtynte Grigori Yudin (Shkolla e shkencave socio-ekonomike, Moskë) të pohojë: mund të agojë dita kur vetë eurolindorët do reflektojnë: me kë do jetojmë? Me amerikanët, apo Putini është më i mirë!? Dhe, ashtu, zbërthen çeltas doktrinën e tij për ribërjen e Paktit të Varshavës dhe Perdes së re të hekurt!..
Mbase koha, shpresa brehtjane e popujve, do të herrë një ditë barishtet e egra nga kopshti i zemrës gjermane. Nga kopshti rebeltar i Niçes…
Që Perdja t’mos copëtojë sërish Europën. Por, më parë se tokën, t’mos copëtojë shpirtin e saj!
4. Shpërdorimi i heshtjes së varrit…
Dhe sindromi rus shtegton tutje. Nuk ia del t’i shpëtojë dot as Dhéu arbnor.
Fillimvitet 90-të. Pallati i federatës, Belgrad. Gorbaçov, njeriu i kthjelluar rus, ngre një dolli. Fjalë e tij parathotë program largvajtës. Një hyrje restaurimi të gjeopolitikës së fjetur. E pat thënë: zemra e çdo rusi e serbi pulsojnë me të njëjtin ritëm!
Ndërkaq, po kësaj fryme revizioni gjeopolitik, vite më vonë, tashmë i rrëzuar, profetizonte në shkallë dramatike: Shqipëria do të dalë së shpejti në treg plaçkash.
Dhe, pa vonuar, doli vërtetë. Kufijtë e saj, pas gati 100 vjet pavarësie, viti 1997, erdhi t’i ruante policia e Europës.
Shteti vajti në remont. Nga përpjekje titanike, do ngrihej, për të rënë sërish buzë greminës.
Porse, ndryshe nga të tjerë, rënja ka tani shijen e parasë së ndyrë dhe lidhjeve spiunore në regjimin antikombëtar të Tiranës. S’ka një aferë të vetme që brenda të mos ketë dorën e fshehtë ruse. Dhe, nënujshëm, serbe sigurisht.
Kjo është, poashtu, investura regjimore e edvinistëve dhe në tri betejat e mëdha për Kosovën.
E para, plot duhma mesjetare bëhet në Belgrad. Kurse ai me mentorë të saj darkon shpesh nën hijen e thikës mitike të krimit.
Mandej, e dyta, në Uashington, që përpiqet të hap kapitullin e fundmë të Ballkanit pa Rusi. E ky, premieri shqiptar, përzjen kartat e pista agjenturore, duke helmuar aleancën e madhe me Amerikën e lirisë.
Ndërkaq, beteja e tretë zhvillohet në votrën e saj, Prishtinë. Dhe edvinistët përçajnë pas krahësh e vllamërojnë me serbin ditë natë.
Por dhe vetë tregtiza politike e Kosovës ngjan profane, e ligë, e përbuzshme. Në vend të naltësisë fisnike, ajo, diktuar nga opozitarë të djegur, ka gjithë përmasën ndërklanëse të turrit pushtetar – jo për kufij, territor a sovranitet, por për primat politik në kierarkinë e Fuqisë.
Sa cinike, ndaj, duken fjalimet, evokimet e betimet e një galerie titullarësh opozitarë pranë varrit të flijimtarëve. Të vdekurit na shohin, thotë Mësimi, por s’mund të flasin. Dhe është ky shpërdorim i heshtjes së varrit që i bën ata më të ulëtit në Europë!
Tani prapë: po shteti i parë, i vjetër shqiptar i Ramës?
Shqipëria e tij, në dukje sikur ngjan e pabetejshme. Por, në fakt, ajo disaherë sheshit, e prapa skenës përherë, bën betejën e saj të pabesë.
Kur gjysma e atdheut jeton orën e vështirë, ajo, sipas një rregulli të çuditshëm, zhytet në kaos. Vërshojnë sheshet, flakëron urrejtja, sfidohen aleatët dhe tranden themelet e brishta të shtetit që, pas çdo rrotullimi, kthen përmbytshëm në “vitin zero”.
Është “Rilindja” e vdekur e Ramës, e kush tjetër, tek shpalos flamurin fatal të rënjës së shtetit. Sepse a s’është, vërtetë, rënja e Rendit të së drejtës dhe demokracisë, një rënje shteti?
Dhe, prandaj, fantazma e Gorbaçovit sillet ende mbi Shqipëri…
Një dijetar frëng, i dërmuar nga puna titanike, (Baroni i lartëreferuar M.) qahej e shkruante: druaja se kjo vepër do t’më vriste!
I përshtatur në kontekst tjetër, do thoshja se kryeregjimtarin Rama, i molisur nga sundimi i vjedhjes totale, së mbrami dhe të shpresës, do t’a vrasë vepra e tij politike.
Do t’a shuajë “Rilindja”, që më pas, të tretët në asgjë dhe ajo vetë!
R.