Mjafton ta lexosh me vëmendje letrën, që deputeti Spartak Braho, në cilësinë e kryetarit të komisionit parlamentar për sigurinë kombëtare u ka dërguar krerëve më të lartë të shtetit dhe drejtësisë, për tu bindur se në këtë vend gjërat janë shumë më keq nga sa mund ta mendojmë. Për dy javë rresht, media, politika dhe institucionet u investuan me kohë të plotë pune lidhur me paralajmërimet që deputeti i LSI-së bënte për destabilizimin e vendit, prej dy politikanëve, tashmë të shpallur heretikë, Tom Doshi dhe Dritan Prifti. Autori(ët) u kujdesën që nga letra, të bëhet publike aq sa të mjaftonte për të prodhuar zallamahinë për rrezikun e madh që i kanosej vendit dhe letra e plotë doli vetëm dy ditët e fundit, dhe derisa ajo nuk është përgënjeshtruar, po e marrin si versionin origjinal.
Deputeti Braho u drejtohet zyrave më të rëndësishme të shtetit me një paralajmërim për destabilizimin e vendit, duke thënë se “nga burime të sigurta është duke u përgatitur një skenar ogurzi që synon shkaktimin e kaosit dhe destabilizimin politik të vendit”. Dhe sipas Brahos, e gjithë gjëma do të ndodhte se Tom Doshi dhe Dritan Prifti po i mbushnin mendjen(me presione e oferta) gruas se Kastriot Ismailajt të jepte intervista kundër Ilir Metës, për çështjen CEZ-DIA. Në këmbim ata do ta ndihmonin që bashkëshorti i saj të dilte nga burgu(nuk duket si shumë kërcënim ky). Duke mos harruar madje të shënonte se garancinë për lirimin nga burgu të Ismailajt, ata e kishin si nga Rama ashtu edhe nga Basha, me qëllim që të vrisnin politikisht Ilir Metën.
Në fakt ajo që shkruan Braho mund të ketë qenë tërësisht e vërtetë. Politika shqiptare kështu funksionon. Ajo është si një koshere grerëzash dhe të gjithë bëhen me të gjithë kundër të gjithëve, në një lojë kulisash, ku s’ka asnjëherë garë të ndershme, por vetëm pazare të pista, prapaskena e skuthërira. Pra që Tom Doshi dhe Dritan Prifti duan t’i bëjnë gropën Ilir Metës, kjo s’ka asnjë dyshim, pasi këtë ata e kanë pohuar edhe publikisht sa herë u ka dalë në shteg. Por e tmerrshmja në këtë çështje është përdorimi skandaloz që i bëhet shtetit për llogari të politikës së skutave. Një deputet i vjetër, edhe më i vjetër se pluralizmi politik, pa iu trembur fare asgjëje, shpërdoron vulën e komisionit parlamentar të sigurisë kombëtare dhe shndërron në çështje të sigurisë kombëtare luftën politike të partisë së tij me partitë e tjera apo me aktorë që tashmë i përkasin pjesës së errët të politikës shqiptare.
Sapartak Braho duhet ta dijë se lufta politike mes Tom Doshit, Dritan Priftit dhe Ilir Metës, edhe mes Ilir Metës e Lulzim Bashës, apo Ilir Metës e Edi Ramës, nuk është çështje kombëtare, madje është një çështje që po i intereson gjithnjë e më pak publikut, të cilit i është neveritur e gjithë kjo gjellë e ndyrë që gatuhet nëpër bodrumet e zyrave të partive. Për më tepër akoma, në letrën e tij Spartak Braho nuk bind askënd se ku dhe si do të kërcënohej siguria kombëtare në këtë rast, edhe sikur Tom Doshi dhe Dritan Prifti ta bindnin gruan e Ismailajt të jepte intervista kundër Ilir Metës. Ndoshta Braho mund të mendojë se rënia e Ilir Metës nga pushteti, apo goditja e tij politike,(sipas informacioneve ogurzeza që ka ai) është e barabartë me rënien apo kërcënimin e sigurisë kombëtare, por nuk besoj se ka shumë shqiptarë që mendojnë kështu.
Spartak Braho, thjesht, për interesat e Metës dhe të tijat që janë lidhur pazgjidhshmërisht me të, e shpërdoroi detyrën e kryetarit të komisionit të sigurisë për të ngritur stuhinë e madhe me të cilën u morën të tërë për nja dy javë të mira dhe që, ndoshta, edhe e parandaloi “skenarin ogurzi” të shkonte deri në fund. Por organet e drejtësisë, që kanë hapur edhe një hetim, duhet t’i shkojnë deri në fund atij hetimi për të zbuluar nëse ka elementë të veprës penale në këtë letër, që alarmoi tërë vendin, apo jo? Ne jemi mësuar që Braho lëshon silurë sa herë punët e nëndheshme PS-LSI nuk janë mirë, por ky popull i lodhur dhe i stresuar nga hallet tij, nuk i ka asnjë borxh LSI-së dhe Brahos.
Shqetësimi ynë nuk është se, prej kësaj letre, ne mësojmë se si bëhet politika në këtë vend, pasi këtë e dimë, por shqetësimi, që është më ogurzi se shqetësimi i Brahos, është përdorimi i institucioneve të shtetit për prapaskenat e zeza të politikës.
Më e fundit doli në dritë në denoncimin e KLSH-së për ministrin Gjiknuri, lidhur sërish me çështjen CEZ. Në seancën plenare të së enjtes, të dyja palët ishin dakord që KLSH kishte hartuar një raport të porositur politikisht, për të goditur një ministër dhe bashkë me të edhe mazhorancën. Por palët u ndanë mes tyre tek porositësi (mendoni pak, edhe gjuha që përdoret i ngjan asaj të mafies… porositësi i vrasjeve, porositësi i videos, porositësi i raportit). PS mendon se raportin e KLSH-së e porositi PD (Berisha) për të sulmuar qeverinë, ndërsa opozita mendon se raportin e porositi Meta për të goditur Ramën, përmes Gjiknurit.
Korrupsioni dhe inkriminimi duket se kanë kaluar çdo cak në këtë vend. Dhe vendi duket se është vërtet në rrezik, por jo nga gruaja e Kastriot Ismailajt, por nga përdorimi i shtetit për llogari të luftës politike, duke i përdorur institucionet për prapaskenat e errëta që politikanët i kurdisin njëri-tjetrit.
Më zi nuk ka qenë ndonjëherë…
Komentet