Në të gjithë botën, Viti i Ri, pritet me koncerte dhe fishekzjarrë, ku të gjithë urojnë dhe ngrenë dolli. Thua se njerëzimi i ka harruar ligësitë dhe mallkimet dhe djalli ka veshur rrobën e bamirësit. Si zakonisht, 1 Janari, fillon me koncertin tradicional të Vjenës. Çasti solemn i pritjes së dirigjentit në skenë përngjan me atë të një madhërie a të një presidenti. Nëse shumë kopshtarë ndihmojnë në zbukurimin e sallës duke ofruar lule, unë preferova të sjell në vëmendjen tuaj dy ese të Fan Nolit, njëra kushtuar Shtrausit dhe tjetra Shubertit. (Dihet historia zbavitëse e kryeministrit të “revolucionit të kadifenjtë”, që, s’e gëzoi “tapetin e kuq” të pushtetit, kur kundërshtari i afrohej Tiranës dhe ai i binte fyellit në zyrë. Noli njihet dhe si muzikant: autor i një simfonie për Skënderbeun.)
Kompozimin e tij të parë, Shtrausi, e shkroi në moshën 6 vjeçare (1870) dhe vazhdoi deri në vdekje (1949). Kur Hitleri merr pushtetin, shpresoi tek adhurimi i tij për Vagnerin, ndaj pranoi poste ndjekur dhe nga nevoja për të mbrojtur nusen, nipërit e mbesat e tij hebre. Unë bëra muzikë nën Kaiserin dhe nën Ebert. Unë do t`i mbijetoj dhe këtij regjimi, ku muzikën po pretendojnë ta bëjnë amatorët dhe injorantët, shkruan ai në një letër drejtuar një miku. A mendoni ti se Mozart ishte me vetëdije “ariane”, i shkruan Cvajgut. “Unë njoh vetëm dy lloje njerëzish: ata që kanë talent dhe ata që nuk kanë asnjë.” Kjo letër bie në dorë të Gestapos dhe iu dërgua Hitlerit. Shtrausi shkarkohet nga posti i presidentit, por muzika e tij luhet në Lojërat Olimpike Verore të Berlinit të vitit 1936. Në prill 1945, kur ushtarët amerikanë iu afruan vilës së tij, zbriti shkallët dhe iu prezantua: “Unë jam Richard Shtraus, kompozitori i Kavalierisë së Rostikanëve.” Togeri, i cili ishte gjithashtu një muzikant, tundi kokën me mirënjohjeje dhe trupat amerikane e rrethuan vilën duke e marr në mbrojtje muzikantin e madh.
Në repertorin e koncertit të Vjenës 2025 autori më i pranishëm ishte Shtraus, të cilin Noli e portretizon kështu: Shtrausi një melodist i madh, por pa shije letrare, shfaqur ky defekt në zgjedhjen e poezive që ka muzikuar. Ka mbetur enigmë se ku e gjeti ai kohën për të shkruar atë numër të madh kompozimesh me një ndërtim aq të ndërlikuar instrumental, pa rënë asnjëherë në përsëritje. Asnjë kompozitor nuk është sharë dhe poshtëruar në mënyrë aq të pamëshirshme sa Rikard Shtrausi, ndërkohë që publiku botëror ia ka shpërblyer dhimbjet më bujarisht se asnjë kompozitori tjetër. Ky shpërblim bujar ndihet dhe në sallën vjeneze se si pritet arti i tij, përkundër atyre që prishën gojën, apo deshën ta poshtëronin sikurse nazisti Gebels.
Ndërsa në esenë kushtuar Shubertit të cilin Shtrausi e adhuronte, Noli shkruan me të tjera tone. Autori i dy mijë veprave muzikore, nga të gjithë sojet, vdiq nga uria në një gërmadhë të kalbur të Vjenës, se s`ishte i zoti t`u lëpinte këmbët atyre, që kishin në dorë fatin e artistit. Shkruante me nxitim një vepër muzikale e shiste me vrap për pesë para, blinte një kotherë, nuk ngopej dot prej saj, shkonte prapë e niste një tjetër vepër. Me qindra e mijëra njerëz i dëgjojnë sot disa vjersha të Gëtes vetëm e vetëm se i ka muzikuar Shuberti, por ai s`ka ditur t`i bëjë komplimente Gëtes aristokrat dhe kështu s`mori asnjë reagim prej tij. Po, natyrisht, tani e do moda që t`i nderohet kujtimi, me shkëlqim e me pompë, ku të kapardisurit mbushin sallat me bileta të shtrenjta.
Nuk mund të mos kujtoja Moxartin, i cili pasi kënaqte mbretin, dukët e princat shkonte të flinte me shërbëtorët e pallatit, kur sot përdorimi i muzikës së tij po t`i kthehej në para, do kishte aq shumë: sa të blinte Vjenën. Nëse Shtrausi ishte pa shije ndaj poezisë, po vetë Noli, ky sqimtar i madh i artit si reagon ndaj krijimeve të veta? “Sa për poezitë e mia, unë nuk merakosesha shumë për to. Mendoja se ato nuk vlenin fare. Zakonisht i botoja nëpër gazeta dhe i harroja . Por, një miku im, një admirues, Mitrush Kuteli, i mblodhi të gjithë poezitë e mia dhe i botoi ato në një libër.” Shumë shkrimtarë dhe artistë të mëdhenj ia dolën, falë dhe një dashurie të madhe, sikurse dhe rasti i përmendur nga Noli referuar Papës ndaj një piktori të madh të Rilindjes Evropiane, Anxhelikos, njëherësh murg, i cili bie në dashuri me modelen e tij. I kërkoi Papës që ta lironte nga kushti i dlirësisë dhe të martohej me modelen. “Një piktori të madh i lejohet çdo gjë.”-i përgjigjet Ati i shenjtë. Vlerat e kësaj bote i kanë shpëtuar të shenjtëruarit, qoftë ky dhe një Mitrush Kuteli…
Fatbardh Amursi