Sërish m’u kujtua etja për historinë, për dritën, etja për zbardhjen e rrugëtimit të njeriut…
…Dhe, pas çdo pastrimi të plagëve në lumin poshtë rruge, kanë pushuar edhe në këtë shpellë. Aty i zinte gjumi me shkrumbin e etjen për liri, me ëndrrat e me këngët për tokën e skuqur dhe kurrë të flladitur. Këtu, thonë, kanë fjetur, por këtu edhe janë ngritur e përjetësuar kufijtë e atdheut…!
Për këtë, ndoshta duhet besuar, se edhe për atë e kanë quajtur, Shpella e Mbretëreshës,… sepse, mbretëreshë është toka,… si nëna!
Shih. Në fund, si m’u kujtua krejt pa lidhje, Rruga e Kombit, thyerja e autobusëve, maskat,… vrasjet,… krismat e armëve pa pikë nevoje! Ndërsa, dikush, si pas shpine, ma rrahë krahun dhe mendjen: Çamëria, ende është plagë që kullon gjak nga shtati i kombit…?!!
_______________
1.
Njëri më kishte thënë se ka qenë dhe ka ngelur i etur për historinë, për të mësuar e ditur për çdo gjë që lidhet me fatin e njeriut! Kjo, në atë kohë, nuk më kishte lënë edhe aq përshtypje, por më vonë, gjithnjë e më shumë më provokonte ky mendim, i cili, ndoshta në fillim dukej dhe duket naiv. Tamam është ashtu, siç kishte thënë ky njeri, sepse, drita e historisë i mungon botës, e lëre më këtij vendi të shkelur e të stërshtypur, të ndrydhur e të shtrydhur, siç thonë, si limoni. Kur është kështu, atëherë edhe trillimet, legjendat, mitet, trimëritë dhe tradhtitë zënë vend, dhe sikur çimentohen aq fortë, sa që çdo gjë të duket e çuditshme dhe e vështirë për t’u lëvizur nga vendi, apo për t’u hedhur dritë greminave të krijuara. Dhe, ç’histori e ç’filozofi është kjo, kur shpeshherë debatohet, mbase edhe shkruhet, si për t’i hyrë nga e para jetës. Ndoshta, edhe kështu duhet dhe ka nevojë, por a ka mjaft kohë për këtë. Pastaj, a do bëjmë mirë a keq për t’u përplasur e pedatur me çështje të tilla. Por, fjalën e mikut, që ma kishte thënë se gjithnjë ka qenë dhe ka ngelur i etur për dritën e historisë, kësaj radhe po e kapi në cep të cepit të kohës dhe të intrigimit vetëm sa për të thënë diçka, gjë e cila, më vonë, ndoshta si në loto, pahir i sjellë dhëmbëzoret në vendin e vetë. Ata dhëmbëzoret, të cilët edhe kur i kemi afruar për t’i puthitur me njëri-tjetrin, sërish na i kanë larguar, kurse ne edhe më shumë sikur ua kemi dallashuar drejtimin.
Duke zbritur rrugës përmjedis Kanjonit të Bjeshkëve të Nemuna, me një mik i cili tani jeton me peshën e mallit në kurbet, i komentojmë bukuritë jo vetëm të kësaj ane, të cilat edhe kanë histori me dëshmi shekujsh, por ndoshta, siç thotë njeriu të cilin e përmenda në fillim, edhe histori të begatë, edhe me hije, me njolla, periudha të pasqaruara e të pa ndritura. Dhe kjo, në vend se mikun nga kurbeti ta bëjë të përmallohet, mua sikur diçka ma zë frymën dhe më mbushen sytë me lot. Edhe miku im, nuk e kishte lehtë këtë koment, por disi si pa kontroll, më tha:
-Interesant, tash më vjen për ta dënuar vetveten, sepse, kur nuk kam mall, nuk mundur as t’i mashtrojë lotët dhe as dhembjen…!
Dhe, çfarë nxjerrë njeriu nga kjo, në këtë zapulli kohe e vere. Gjithçka dhe çdo gjë, ta imponon pyetjen e pikëpyetjen, të cilave, ec e ua gjej përgjigjen. Kështu që, për këtë, njeriu nganjëherë bëhet nervoz, e nganjëherë thotë se më mirë ndoshta është që gjërat kur nuk i di, t’i lë zvarrë mu ashtu si mishin në ndonjë degë lisi në pishë të diellit, për ta përlarë botën kundërmimi, i cili, ndoshta atëherë ta imponon detyrimin për ta larë e shpërlarë çdo pëllëmbë toke, çdo gur në lumë e çdo shkëmb e thep bjeshke…
Nuk di pse thash kështu. Por, ndoshta si pa dashtë më rrëshqet mendja tek etja për histori, tek hija dhe errësira, të cilat, jo se fshehin periudha kohe, por edhe ua vënë sipër iletin e harresës, dhe kështu dilema shumohet si farë hithi apo hashashi i cili fëmijët vë në gjumë!…
Dhe, po pra. Duke zbritur rrugës gjarpërore, në shkëmbinjtë madhështorë, por nganjëherë me gojë të mbyllur për të thënë gjë, sikur radhiten si me vizore të çara gurësh, ku i kanë zënë rrënjët e qëndresës pishat trupshkurtra, e të cilat dot nuk i arrin njeri për t’i prekur apo për t’i dëmtuar ato. Por, janë radhitur edhe shumë shpella që provokojnë mendjen për ta komentuar historinë e tyre, apo, për t’i shtresuar edhe më shumë rrenat nëpër vite e mote!
Shpella e Mbretëreshës në Grykën Pitoreske të Rugovës
2.
Ndalemi për një çast dhe në anën e kundërt të rrugës e shikojmë shpellën, që qëndron pothuaj se mu në zemër të shkëmbit të sertë me lartësi mbi dhjetë kat shtëpie. Ka pamje edhe madhështore edhe tmerruese! Për të depërtuar deri tek hyrja e saj, nuk është edhe aq lehtë. Bile, kurrë dhe asnjëherë nuk ka qenë lehtë.
Në hyrje ka një mur dhe një derë që nuk mund të mbyllet asnjëherë. Sepse, kanë ndërtim karakteristik ndoshta nga njeriu i kësaj ane, e të brejtur nga koha,… edhe nga heshtja e historisë. E quajnë, Shpella e Mbretëreshës…! Emër edhe me simbolikë edhe me metaforë… Po, kush do ta kuptojë kështu?!
-Pse e quajnë, Shpella e Mbretëreshës? -më pyet bashkudhëtari kureshtar, i cili thua se priste një përgjigje plotësisht të saktë nga unë!
-Po, për arsye se këtu ka banuar një mbretëreshë… -i thash në fillim, vetëm eh, sa për ta hapur llafin, që më vonë ndoshta do të jetë interesant.
-E, si mund ta shpjegoni këtë…?! -më pyeti. Kurse mua, sërish m’u kujtua etja për historinë, për dritën, etja për zbardhjen e rrugëtimit të njeriut, dhe ia fillova bisedës si në shaka.
-Kjo shpellë ka një histori aq të lashtë, sa që veprat dhe as librat për te, gjer në biblioteka nuk do të mund t’i bartnin një karvan kuajsh të kësaj ane të cilët ngjitën bjeshkëve të larta, dhe as ata që zhdirgjin bulmetin nga tëbanat e këtyre bukurive të natyrës…
U ndala për disa minuta duke menduar, dhe sikur ia futa kot:
-Në këtë shpellë, janë strehuar ushtritë e krajlive dhe të mbretërve, atyre kohërave kur i kanë pushtuar këto anë, sepse, janë frikuar nga flladi dhe drita e kësaj toke. Ushtritë e tyre, këtu kanë pushuar me drithërima në zemër e në trup, sepse, toka e huaj u digjte nën këmbë, dhe këtu pos planeve të shumta, kanë thurë edhe ato për t’i vrarë edhe zogjtë e malit. Prej këtu, sërish ishin nisur të lodhur e këmbëkëputur, duke menduar se do të hasin në vasha të bukura, të cilat do t’ua largonin frikën dhe do t’ua kthenin trimërinë që nuk e kanë pasur ndonjëherë, të cilave vasha do t’u printe zana e këtyre maleve. Për këtë arsye, ata këtë shpellë e kishin quajtur, Shpella e Mbretëreshës…!
3.
Thonë. Flasin e tregojnë gojëdhëna, se në këtë shpellë, nga rruga e gjatë me kope delesh, barinjtë, për t’i siguruar bardhoket dhe sykat e tyre, edhe deshtë dhe ogiçët, i kanë strehuar këtu, në këtë shpellë. Por, rrastë kanë pushuar edhe vetë me teshë e koteshë, me koritat e qumështit e me tinarë e kusia. Gjatë pushimit, këtu bashkërisht kishin bërë festë nga gëzimi për sigurinë e tyre por edhe të deleve nga gjeja e egër…!
Këtu i kishin mjelë delet, edhe kishin ngrënë përshesh me qumësht. Vetëm një dele sykë, me “vetulla” të hedhura si drapër, nuk e kishin mjelë, dhe atë e kishin quajtur, Mbretëreshë e Kopesë. Për këtë arsye, barinjtë këtë shpellë e kanë konsideruar si, Shpella e Mbretëreshës…!
Nëpër të gjitha rrëfimet e sakta e të rreme, thonë se për këtë shpellë ka kallëzime të cilat dot nuk shpjegohen, nuk tregohen, ndërsa, të shkruhet diçka për te, të përthuret çdo gjë e gjithçka. Se, për çfarë është kështu, më së miri është për ta pyetur vetë shpellën, brendinë, muret dhe derën e saj, që sot e kësaj dite e kanë pamjen e historisë së fshehur, të rrëfimeve të tkurrura, por si të tilla, nëse i shikoni më mirë, duken se reflektojnë madhështinë e cila vetëm ajo e ka dhe e ka ruajtur!
Por, thuhet se në këtë rrugë janë puqur të gjitha drejtimet dhe rrugët tjera. Andaj, edhe kurbetçarët mirë e njohin këtë “tunel” historie… Ata, të asaj kohe, që tash nuk janë për të rrëfyer për të vërtetat, por edhe për shpifjet…! Edhe për këtë arsye e kanë quajtur, Shpella e Mbretëreshës, e një mbretëreshe, të cilën kurrë nuk e kishte parë as ditur kush, e që përherë kishin qenë të flaktë për ta takuar atë dhe për t’ia shijuar bukurinë dhe për t’u kënaqur me hijeshinë e trupit të saj si shtatselvi. E tillë, e përfolur në mënyra të ndryshme kishte dhe ka ngelur sot e kësaj dite kjo hyjneshë…!
4.
Nëpër këto shkrepa kanë kaluar djemtë e kësaj toke. Ushtima dhe krismat e armëve të tyre i tmerronin edhe rrënjët e pishave, edhe barin e peshën e shkëmbinjve. Interesant, të gjithë këndonin duke kërkuar lirinë! Dhe, pas çdo pastrimi të plagëve në lumin poshtë rruge, kanë pushuar edhe në këtë shpellë. Aty i zinte gjumi me shkrumbin e etjen për liri, me ëndrrat e me këngët për tokën e skuqur dhe kurrë të flladitur. Këtu, thonë, kanë fjetur, por këtu edhe janë ngritur e përjetësuar kufijtë e atdheut…!
Dhe, ndoshta duhet besuar, se edhe për atë e kanë quajtur, Shpella e Mbretëreshës,… sepse, mbretëreshë është toka,… si nëna!
…Ata që bukën e kanë pasur kyt, shpeshherë kanë kthyer në këtë “birucë”, sepse, nuk kanë pasur kah t’ia mbajnë. Dhe, janë bërë banorë të shpellës. Nuk kanë qenë njerëz të egër. Ata, aty e kanë kaluar natën më të rehatshme, dhe kanë të drejtë pra, ta quajnë, Shpella e Mbretëreshës. Në ag përqafoheshin me te, dhe pastaj ia mësynin halleve të ditës, kurse ajo, sërish ua premtonte konakun aty, në flladin e freskinë e saj…
…Edhe dashnorët, të cilët i kanë fshehur tregimet dhe rrëfimet e tyre, mu si kjo shpellë, që nuk flet vetë, përherë, kjo ndoshta ka ndodhur dikur, ata kanë kthyer në Shpellën e Mbretëreshës, dhe deri sa kanë arritur deri tek dera e saj, desh janë këputur këmbësh. Por, pastaj, aty janë “akomoduar” për një natë të paharruar, e cila u është dukur hiq më e gjatë se një minutë, kuptohet duke e ndarë historinë e vogël dhe kënaqësinë e shkurtër edhe me lakuriqët, të cilët aq shumë e adhurojnë dhe e duan shpellën.
Dhe, hajt e mohoje mendimin se Shpella e Mbretëreshës nuk e ka dhe nuk e meriton këtë epitet…!
5.
Duke i bashkuar të gjitha këto rrëfime, dikush do të thoshte se ngjarjet dhe rrëfimet u ngjajnë diçkaje si gjeometrisë deskriptive, dhe m’u për këtë m’u kujtua se për luftëra është nevojitur vetëm një “xixë” dhe një interes i vogël. Andaj, këto rrjedhime nuk ngatërrohen vetë, por vetëm njeriu i ka ngatërruar dhe do t’i ngatërronte apo edhe do t’i ngatërrojë, kështu që, shpellës do t’i përdhosej nami. Mu për këtë arsye, si për inat, nuk zvetënohet gojëdhëna, se kjo shpellë nuk quhet, por është vetë Shpella e Mbretëreshës!
Kështu edhe është, dhe duhet të jetë, sepse, edhe Ju duhet ta dini, luftërat janë vërtetë “përralla” të cilave kurrë nuk mund t’iu shmangemi, por edhe kurrë nuk tregohet e vërteta e plotë e tyre. Këtë, as ushtarët, as heronjtë, as varret e të vrarëve, as humbësit, as fituesit, por as gjeneralët, atëherë, asnjëherë nuk mund të rrëfenin saktësisht për llahtarinë dhe për të vërtetën e marrisë së tyre!
Edhe Shpella e Mbretëreshës, është një përrallë, që as nuk mund të tregohet plotësisht e saktësisht dhe as të kuptohet ndonjëherë deri në fund…!
Shih. Në fund, si m’u kujtua krejt pa lidhje, Rruga e Kombit, thyerja e autobusëve, maskat,… vrasjet,… krismat e armëve pa pikë nevoje! Ndërsa, dikush, si pas shpine, ma rrahë krahun dhe mendjen: Çamëria, ende është plagë që kullon gjak nga shtati i kombit?!! Po, ç’është kjo?! Sërish të kthehem tek etja për historinë dhe për dritën e saj… rrugë dhe rrëfim i pafund, që ndoshta nuk përputhet me Shpellën e Mbretëreshës…!
Dhe, duke ecur nëpër këtë rrëfim bizar, bashkudhëtarin tim e kishte zënë gjumi buzë rruge. Nuk e zgjova derisa vetë nuk u zgjua, duke murmuritur:
-Shpella e Mbretëreshës,… e pastaj…?! -foli murmuritshëm
Pastaj u nisëm për në qytet, kurse unë matesha për t’ia kthyer përgjigjen kështu:
-Në shpellë janë të gjithë dokumentet e jetës, të historisë,… edhe të Mbretëreshës…
E ju, hyni brenda në shpellë,… shprusheni krenarinë dhe fshehtësinë e saj, do ta shihni se çfarë do gjeni. Por, mos i ngatërroni gjërat edhe ashtu të ngatërruara.
Bashkudhëtari im në fund murmuroi:
-Jemi mbushur me përralla…!
Athua, çfarë deshi të thotë, me këtë “formulë” matematike kaq të vogël. Prapë, ndoshta do të vazhdojmë bisedën për përralla të tilla…!
(©S. B.)