TIRANË – Aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë kanë protestuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, duke kundërshtuar sipas tyre taksat e larta dhe ndalimin e personave për protestën në “Rrugën e Kombit”.
Protestuesit e mbledhur para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë kanë bërë thirrje për lirimin e personave që u ndaluan për protestën kundër tarifave për kalimin e automjeteve në “Rrugën e Kombit” dhe që ndaj tyre gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest me burg”.
Gjithashtu protestuesit kanë kundërshtuar edhe vendosjen e tarifave për kalimin e automjeteve në “Rrugën e Kombit”.
Sipas personave që mbajtën fjalime në protestë “zgjidhja nuk është dhuna dhe arrestimet, por dialogu, transparenca dhe qeverisja me qytetarët”.
Gjatë protestës nuk ka patur incidente, ndërsa para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë ishin angazhuar forca policore.
Në ditët e fundit në Shqipëri nga aktivistë të shoqërisë civile dhe partitë politike opozitare janë organizuar disa protesta kundër ndalimeve nga Policia e Kukësit të protestuesve.
Policia e Kukësit kishte ndaluar 23 persona, të dyshuar si të përfshirë në përplasjet me forcat e policisë në protestën e mbajtur pranë Tunelit të Kalimashit më 31 mars kundër tarifave në “Rrugën e Kombit”, ku mbetën të plagosur 13 policë dhe disa qytetarë.
Nga 23 persona të ndaluar, 10 prej tyre u liruan dhe gjykata ndaj tyre ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, për 11 prej tyre është vendosur “arrest me burg” dhe për 2 është vendosur masa e sigurisë “arrest shtëpie”. aa
Komentet