Presidentit të Republikës Bujar Nishani
Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta
Kryetarit të Këshillit të Ministrave Edi Rama
P ë r k u j t e s ë*
Ne, anëtarët e Shoqatës “Labëria” Vlorë, duke pasur parasysh qëndrimin më të fundit të kryepeshkopit Anastas Janullatos ndaj çështjes së kishës së Shën Thanasit në Dhërmi, vendosëm t’ju drejtohemi me këtë Përkujtesë për arsyet e mëposhtme.
U bënë më shumë se 23 vjet që kryepeshkopi Anastas Janullatos drejton Kishën Ortodokse të Shqipërisë. Ai erdhi në Shqipëri si eksark, me detyrë që të ringrinte kishën në fjalë, derisa të përgatitej një kryepeshkop shqiptar, dhe mandej ai të largohej për në vendin e vet.
Në letrën që i drejtonte Ramiz Alisë më 03 qershor 1991, Janullatosi shkruante se ai vinte në Shqipëri për “krijimin e kushteve, në një kohë sa më të shpejtë, që Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë të vetëdrejtohet, me bindjen se riorganizimi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë duhet të përfundohet në bashkëpunim me ortodoksët e interesuar”. Por, çuditërisht, gjatë këtyre 23 vjetëve, nuk u bë asnjë përpjekje nga ana e tij për përgatitjen e një kryepeshkopi shqiptar, ndërkohë që gjatë këtyre viteve kushdo nga ortodoksët shqiptarë mund të kishte përfunduar 5 universitete për t’u përgatitur për kryepeshkop. Përkundrazi, Anastas Janullatosi e përjetësoi postin e kryepeshkopit, në kundërshtim me Statutin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, të themeluar nga imzot Fan Noli.
Për më tepër, gjatë kësaj periudhe, Anastas Janullatosi ka mbajtur qëndrime që kanë rënë ndesh me interesat kombëtare të Republikës së Shqipërisë.
Kështu, gjatë kohës që Serbia po bombardohej nga aviacioni i NATO-s, qëlloi që Janullatosi të ndodhej për një vizitë në Moskë. Gjatë asaj vizite, ai i deklaroi agjencisë ruse Itar-Tass se po u derdhkej gjak “i pafajshëm” serb, ndërkohë që Kosova po notonte në lumenj gjaku. Pra, në raport me popullin shqiptar të Kosovës, Janullatosi radhitej përkrah shovinizmit serbomadh që po masakronte Kosovën barbarisht.
Në gazetën “Kathimerini” Janullatosi para ca vitesh ka deklaruar: “Nuk e kuptoj idenë e shqiptarëve që feja e shqiptarit është shqiptaria. Këtë tezë do ta luftojmë, duke dalë hapur kundër Rilindjes Kombëtare Shqiptare”.
Janullatosi ka kërkuar që Bashkimi Evropian të jetë një bashkim politik i krishterë, ku, sigurisht, të mos marrë pjesë Shqipëria që shumicën e popullsisë e ka të fesë islame.
Në intervistën që i ka dhënë gazetarit amerikan Fred Reed në vitin 1996, Janullatosi ka thënë: “Njerëzit në Perëndim duhet ta kuptojnë se islamizmi është, në thelb, një fe politike”, duke anashkaluar në një mënyrë cinike faktin që feja në Greqi drejton shtetin.
Po në intervistën e sipërpërmendur të vitit 1996, Janullatosi ka deklaruar: “Agjenci të rëndësishme të qeverisë shqiptare janë në duar të fundamentalistëve myslimanë. Forca të fuqishme antiortodokse duan të krijojnë republikën e parë islamike në Evropë, pikërisht këtu, një Shqipëri të Madhe që do të përfshijë Kosovën dhe një pjesë të Maqedonisë”.
Kjo ishte një shpifje e pastër nga ana e Janullatosit, sepse askund dhe asnjëher s’ka menduar kush të krijojë në Shqipëri ndonjë republikë islamike.
Në bashkërendim të plotë me qëndrimin e nazifashistëve të partisë “Agimi i Artë” kundër emigrantëve shqiptarë, Janullatosi ka deklaruar publikisht në shtypin shqiptar: “…emigrantët abuzuan me mikpritjen e treguar dhe shfaqën sjellje kriminale”.
Gjatë tërë aktivitetit të vet si kryepeshkop i kishës ortodokse në Shqipëri, sa herë që vetë ka krijuar probleme në dëm të interesave tona kombëtare, Janullatosi nuk ka marrë kontakte asnjëherë me udhëheqësit shqiptarë. Përkundrazi, duke mos i njohur këta si udhëheqësit e vendit, ai, në raste të tilla, ka kontaktuar me udhëheqësit grekë. Për këtë dëshmojnë ngjarjet me rastin e zhvarrimeve në Kosinë të Përmetit, kur, pas shqetësimeve që lindën brenda vendit, Janullatosi nuk kontaktoi as me presidentin Moisiu, as me kryeministrin Berisha, por shkoi e kontaktoi menjëherë me kryeministrin grek Karamanlis. Të njëjtën gjë bëri Janullatosi edhe në rastin e zhurmës që u bë për të ashtuquajturën kishë e Shën Thanasit, duke nxituar për në Athinë, drejt e në kabinetin e Ciprasit.
Janullatosi ka ngritur kisha ortodokse edhe atje ku nuk ka asnjë këmbë ortodoksi, siç është rasti i kishës ortodokse që ka ngritur në Fratar të Mallakastrës.
Janullatosi nuk ka organizuar as edhe një meshë të vetme në nderim të figurave të shquara të ortodoksisë shqiptare që u mallkuan dhe u masakruan barbarisht nga kisha shoviniste greke dhe as në nderim të themeluesve dhe të kryepeshkopëve të saj, si imzot Noli, Visarion Xhuvani dhe Kristofor Kisi. Por ama Janullatosi, në gusht të vitit 2014, në Kolkondas të Fierit, organizoi një meshë madhështore në nderim të armikut të betuar të gjuhës shqipe dhe të kombit shqiptar, Kozmait të Etolisë. Kjo meshë ishte një fyerje e rëndë dhe një poshtërim i pastër që Janullatosi i bënte mbarë kombit shqiptar ditën për diell.
Ne mendojmë se misioni i Janullatosit në Shqipëri duhet vlerësuar jo vetëm si i shteruar, por edhe si i tejkaluar, sepse, nisur nga faktet e lartpërmendura, mund të thuhet me bindje të plotë se ai ka kohë që është shndërruar në shkaktar për rrezik përçarjeje fetare në vendin tonë.
Ne mendojmë se ka ardhur koha të rithemelohet Sinodi i Shenjtë dhe në krye të Kishës Ortodokse Fanoliane të Republikës së Shqipërisë, të zgjidhet një Kryepeshkop Shqiptar, duke iu përmbajtur Statutit të vitit 1929. Ne dëshirojmë të vihet sa më parë në jetë deklarata e kryeministrit Rama, i cili, pas zhurmës që bëri Janullatosi në bashkëpunim me Athinën për kishën e Shën Thanasit, deklaroi shprehimisht: “Do ta rindërtojmë kishën, ishte djepi i gjuhës shqipe, grekët s’kanë të drejta mbi besimin tonë”.
Nga sa më sipër, rezulton se Janullatosi ndodhet në Republikën e Shqipërisë me një mision politik që ia ka ngarkuar kisha ortodokse greke dhe Athina zyrtare, me qëllim greqizimin e Shqipërisë së Jugut. Me këtë mision, Janullatosi e ka shndërruar Kishën Ortodokse Fanoliane në një filial të kishës ortodokse greke. Këtë e dëshmon më së miri deklarata e historianit grek Nikolas Stavros në librin me titull “Ballkani dhe ballkanasit e rinj”, në të cilin shkruan shkoqur fare: “Futja në dorë e kishës shqiptare është fitorja më e madhe e jona në Shqipëri në shek. XX”.
Ne dëshirojmë që Ju, si udhëheqës të Republikës së Shqipërisë, të merrni shembull nga ish-kryeministri Pandeli Evangjeli në vitin 1920, i cili i dha një mësim të mirë pararendësit të Janullatosit, duke e dëbuar nga Shqipëria, sepse kërkonte t’u mbushte mendjen qytetarëve të Korçës se ata na qenkeshin grekë.
Për Shoqatën Atdhetare – Kulturore “Labëria”, Vlorë
Albert Habazaj Ahmet Demaj
Sekretar Kryetar
Vlorë, 18 shtator 2015
*Kjo Përkujtesë u është dërguar tre personaliteteve të vendit: Presidentit Bujar Nishani, Kryeministrit Edi Rama, Kryetarit të Parlamentit Ilir Meta dhe deputetit të Vlorës Koço Kokëdhima, më 18 Shtator 2015, me letër me përgjigje; na është kthyer përgjigjja vetëm për marrjen e të katër letrave më datën 21 shtator 2015. Pritëm një gjysmë muaji dhe, meqenëse nuk pati reagim nga të mëdhenjtë tanë, më datën 06 Tetor 2015 e nisëm Përkujtesën në disa nga gazetat kryesore që botohen në Tiranë, si: “Telegraf”, “Panorama”, “Dita”, “Shekulli”, “Sot”, “Zëri i Popullit”, “55”, “Nacional” e ndonjë tjetër, por deri më sot asnjëra prej tyre nuk e botoi. Kështu që po e botojmë në faqet e internetit në gazetat elektronike. Nderim për botuesit online!
Vlorë, 17 tetor 2015
Komentet