Nderoi me pjesëmarrjen e Tij Këshilltari i Bashkisë së Nju Jorkut z.Mark Gjonaj
Mbi njatë Flamur Perëndija
Me dorë t’ vet Ai e ka shkrue:
“Per Shqyptarë do t’ jét Shqypnija;
Kush u a prekë, ai kjoftë mallkue!” Gjergj Fishta

Festa e Flamurit është Dita më e shenjtë e Kombit shqiptar është Dita që mbledh shqiptarët së bashku. Në një ditë të bukur Nëntori rrezet e diellit nën qiellin e lirë të Nju Jorkut i jepnin dhe më shumë shkëlqim kësaj feste kaq të bukur dhe kombëtare, saqë në secilën fije të rrezeve të shndritshme më dukej sikur ishte drita e ngrohtë e të gjithë patriotëve, burrave të mëdhenj të Kombit për Pavarësinë dhe të gjithë luftëtarëve që ranë për Lirinë e Shqipërisë kundër bishës naziste.
Ish Ushtarakë dhe anëtarë të shoqatës Shqiptaro Amerikane të Ushtarakëve në rezervë dhe në lirim “Skënderbej” së bashku me familjet e tyre vinin grupe grupe me simbolet kuq e zit të Flamurit Kombëtar në restorantin “Ricardo” në Queens.
Kryesia e shoqatës dhe grupi i punës nën drejtimin e kryetarit të saj z.Bashkim Shehu, n/kryetarit z.Mark Qehaja dhe Gëzim Shentolli anëtar, punuan me plot seriozitet dhe kulturë për të realizuar një program dinjitoz dhe për ta festuar me madhështi.
Ata u mblodhën të gjithë për të festuar 106 Vjetorin e Pavaresise së Shqipërisë, ditën kur Burrat e ndritur të Kombit me Plakun e urtë, Atin e Pavarësisë Ismail Qemal Vlorën ngritën Flamurin në qytetin historik në Vlorë.
Eshtë ditë e shenjtë kumbojnë vargjet e At Gjergj Fishtës si:
Mbi njatë Flamur Perëndija
Me dorë t’ vet Ai e ka shkrue:
“Per Shqyptarë do t’ jét Shqypnija;
Kush u a prekë, ai kjoftë mallkue!”
Ushtarakët në Atdheun e tyre kishin një detyrë shumë të rëndësishme një detyrë nga më të bukurat dhe më kombëtaren të mbronin Flamurin, edhe sot pse larguar ata përsëri e mbrojnë, e mbrojne me jetën e tyre, sepse e mbajnë në shpirt, në vatrat e tyre dhe këtu në Amerikë dhe kudo ku ka shqiptarë, sepse Flamuri është siç thotë Fan Noli:
O Flamur gjak, o flamur shkabë,
O vënd e vatr’ o nën’ e babë,
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamur i kuq, flamur i zi.
Moderatorja e programit, autorja e këtij shkrimi ftoi të gjithë të pranishmit të çoheshin në këmbë për të kënduar së bashku dy Hymnet Kombëtare: Amerikan dhe Shqiptar.
Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i shoqatës Shqiptaro Amerikane të Ushtarakëve në rezervë dhe në lirim “Skënderbej”, z.Bashkim Shehu.
Z.Shehu i uroi të gjithë pjesëmarrësit në këtë aktivitet të rëndësishëm për festat e mëdha të Nëntorit. Një falënderim special shkoi për anëtarët e rinj të shoqatës si dhe të gjithë të ftuarit që nderonin me pjesëmarrjen e tyre në këtë aktivitet.
Z.Shehu i uroi shoqatës punë të mbarë dhe qofshim të bashkuar pranë Flamurit!
Sekretari i shoqatës së ushtarakëve “Skënderbej” z.Bujar Hasani mbajti kumtesën për Ditën e Flamurit i cili tha:
Është një kënaqësi e veçantë për të gjithë ne që jemi mbledhur sot për të përkutjuar Ditën e Flamurit ku burrat e mëdhenj të Kombit me kryediplomatin e shquar Ismail Qemalin ngritën Flamurin në Vlorë. Ne kremtojmë heroizmin e luftrave të të gjitha kohrave dhe nderojmë të gjithë dëshmorët e Atdheut.
Festën e bukur të Flamurit ne emigrantët e përjetojmë me një ndjenjë krenarie e gëzimi të veçantë, sepse e ndjejmë çdo ditë e në çdo kohë për vetë kushtet e jetesës larg Atdheut ku emocionet jane të pranishme ndaj kësaj dite të bekuar kombëtare më shumë se ne mërgimtarëve nuk mund t’i gëzohet askush tjetër.
Mergimtarët shqitarë ishin ata që ditën ta donin më mirë e më shumë Atdheun, sepse ata kishin marrë rrugët për shkak të luftërave me osmanllinjtë dhe ishin kurdoherë në shërbim të popullit dhe pëherë aktiv për Lirinë e vendit dhe përmirësimin e jetës shoqërore ekonomike e kulturore të shqiptarëve. Nderojmë kontributin e veçantë të mërgimtareve dhe shoqatave të tyre në Amerikë, në Rumani, Bullgari, Egjypt e vende të tjera.
Përpjekjet shekullore dhe gjaku i derdhur për Liri edhe pas shpalljes së Pavarësisë nuk i permbushi plotësisht aspiratat e popullit të shumëvuajtur shqiptar për të cilat ai u sakrifikua dhe beri Luften Çlirimtare. Ëndrra e saj për një bashkim kombëtar deri më sot nuk është bërë realitet ndaj duhen përpjekje ne situatat e tanishme te erës së ngrohtë të paqes dhe të sigurimit, kur edhe miqtë tanë të përhershëm siç janë Amerika dhe Euro Atlantiku po punojnë për zgjidhjen e gabimeve historike për moslejimin e shqiptarëve nën robëri dhe asimilimin e tyre nën shtetet artificiale të Ballkanit.
Flamuri do të mbetet një simbol frymëzimi, bashkimi patriotik dhe gjithmonë në ballë të vështirësive. Prandaj të dashur kolegë, pjesëmarrës, bashkatdhetarë, me këtë rast festiv qe i bëjmë sot Flamurit tonë Kombëtar më lejoni t’ju shpreh juve urimet më të mira e më të përzemërta.
Gëzuar Festën e 28 Nëntorit ngritjes së Flamurit Kombëtar në Vlorë dhe të shpalljes së Pavarësisë së Shjqipërisë. Rroftë Kombi Shqiptar! Gëzuar 106 Vjetori i Pavarësisës së Shqipërisë.
UÇK-ja pershendet
Me duartrokitje të nxehta u mirëprit dhe përshëndetja e z.Shefki Mexhuani ish drejtor ekzekutiv i Fondit “Vendlindja thërret” për Amerikën dhe Kanadan, njëkohësisht dhe njeri ndër themeluesit dhe organizatorët kryesor të Batalionit “Atlantiku”.
Ai tha:
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
28 Nëntori është datë e shenjtë për historinë tonë kombëtare, sepse ngjarjet
më të mëdha të historisë sonë kanë ndodhur pikërisht në këtë datë.
Kjo datë e bujshme e historisë shqiptare ndërlidhet me kthimin e heroit tone Gjergj Kastrtiotit-Skënderbeut në Krujë, më 28 nëntor 1443, duke ngritur Flamurin Kombëtar Shqiptar, dhe i bashkuar të gjithë fiset shqiptare rreth një Flamuri dhe një ideali të përbashkët duke u bërë epiqendra e formësimit të mëvetësisë shqiptare.
Të nderuar të pranishëm,
Pas pesë shekujsh robëri, pikërisht, në 28 Nëntor 1912, në datën e fitoreve të mëdha përballë vuajtjeve dhe sakrificave të panumërta të shumë brezave, Ismail Qemali, duke bashkuar të gjithë atdhetarët shqiptar në Vlorë, shpalli Pavarësinë e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve, duke u bërë themeluesi i shtetit të Pavarur Shqiptar.
28 Nëntori lidhet me vetë simbiozën shqiptare, u dëshmua edhe me çlirimin e Shqiperisë, në luften e dytë botërore nga pushtimi nazi-fashist, datë kjo që na jep poashtu krenari për renditjen e popullit shqiptar përkrah aleancës triumfale në luftën e dytë botërore dhe gjithashtu si një nga vendet e para të çliruara me forcat e veta.
Të nderuar bashkëkombas,
Sot, duke festuar 28 Nëntorin, ne rikujtojmë edhe datëlindjen e komandatit legjendar Adem Jashari, dhe 28 Nëntorin e vitit 1997, që shënon njërën nga faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare, daljen e parë në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të gjithë këto festa të nëntorit janë tregues i qartë se Liria jonë e arritur, është pasuria më e çmuar e kombësisë sonë,e cila u fitua me shumë punë e përpjekje, me shumë gjak dhe vuajtje brezash. Festat e Nëntorit janë festat e krenarisë sonë kombëtare, të cilat na dhanë forcë e kurajë dhe do të jetë përherë një pikë e shndritshme frymëzimi dhe orientimi për të gjithë
shqiptarët kudo që ndodhen! Flamuri kombëtar, mbetet i lidhur mishërisht me rrugën dhe mbrojtjen e etnitetit tonë kombëtar, andaj, si i tillë do të jetojë gjithmonë, aq sa do të
jetojnë shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri,Preshevë dhe disaporë, anë e kënd ku ka shqiptar nëpër botë!
Sot, detyra jonë e përbashkët dhe e çdo shqiptari kudo ku ndodhet është :
Ta lartësojmë Flamurin e Gjergj Kastriotit, Ismail Qemalit, Adem Jasharit!
T’i lartësojmë Shqiptarët!
Lavdi të gjithë heronjve tanë përgjatë historisë!
Rroftë Flamuri, Kombi Shqiptar dhe data e shenjtë e 28 Nëntorit!
Ju falemnderit!
Pranë shoqatës së ushtarakëve ishin dhe dy artistë të mirënjohur të Diasporës dhe kombit z.Shaban Lajçi dhe Tom Gjergji
Ata ishin në rolin e Ismail Qemal Vlorës dhe Isa Boletinit, interpretime që u realizuan mjeshtërisht prej tyre dhe Marigosë me Flamurin kuq e zi.
Nxënësja e vogël Simelba Xhaferi plot talent recitoi poezinë: Shqiponja e vogël,
Poeti krijues i disa këngëve folklorike z.Isa Brecani solli një poemë të pasur patriotike kombëtare.
Nxënësi shembullor me një shqipe të rrjedhshme Arelt Xhaferi recitoi poezinë:
Vjen Ismail Qemali!
Z.Mark Gjonaj, Këshilltar pranë Bashkisë së Nju Jorkut midis ushtarakëve “Skënderbej”
Me duartrokitje të fuqishme u mirëprit ardhja e z.Mark Gjonaj ish ansambleist i shtetit të Nju Jorkut dhe këshilltar pranë Bashkisë së Nju Jorkut, i pari politikan shqiptar që zë vend nderi në politikën amerikane. Gjithmonë më befason pjesëmarrja e Tij pothuajse në të gjitha aktivitetet e komunitetit, ndonëse ishte pjesëmarrja e gjashtë për nga radha, ai përsëri shprehte krenarinë dhe gëzimin e vecantë që merrte pjesë midis tyre. Z.Mark Gjonaj është burim frymëzimi, bashkimi ndaj dhe e fton komuniteti kudo dhe kurdoherë, kur ka tubime patriotike.
Fjala e Tij përshëndetëse ishte tejet mbresëënëse me një shqipe të bukur edhe pse lindur dhe rritur në Amerikë. Z.Gjonaj përshëndeti gjithë të pranishmit, ushtarakët dhe iu uroi atyre: Gëzuar Ditën e Flamurit! Ai foli për punën që po bën për komunitetin shqiptar dhe tha se ndihet i privilegjuar që punon dhe bashkëpunon me ta. Fjala e tij u ndërpre nga duartrokitjet kur tha se Kombi ynë është i përbashkët, kemi një Flamur, një gjuhë dhe nuk mund të ndahemi majtas apo djathtas…Ai foli me krenari për Gjuhën Shqipe në një nga shkollat e Bronxit dhe ndërkohë shprehu mirënjohjen dhe për Shkollën Shqipe “Alba Life” që po punon me përkushtim për mësimin e Gjuhës Shqipe.
Një përshëndetje speciale erdhi nga n/kryetari i shoqatës “Bijtë e Shqipes” z.Bujar Gjoka i cili foli me fjalë miradie për bashkëpunimin me shoqatën e ushtarakëve “Skënderbej”dhe kontributin që kanë dhënë disa anëtarë për të blerë godinën e re për shoqatën dhe Shkollën Shqipe. Z.Gjoka foli me krenari të ligjshme për punën e palodhur të kryesisë dhe të anëtarëve të shoqatës “Bijtë e Shqipes” e cila punon me përkushtim për mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe dhe të traditave të mrekullueshme kombëtare.
Pjesëmarrësit u argëtuan me muzikë dhe këngë nga artistët Driselda Kanina, Pëllumb Vatnikaj , Dionis Delija Argjend Lloga DJ, Feride Dushaj e cila kishte ardhur me bashkëshortin e saj nga Italia, z.Hamit Peci. Këngët dhe vallet vazhduan nën shoqerimin e Ismail Fifo DJ dhe Lloga DJ.
Gjate aktivitetit përshëndetën para kamerave si Admiral Muharrem Kuçana, Mark Qehaja, Bashkim Muhedini portieri i skuadrës “Partizani” dhe kombëtares, Përparim Seitaj, kolonele Nadire Xhakolli, Agim Pira, Mihal Jano, Driselda Kanina.
Aktviteti u filmua nga TV “Alba Life” me bashkëpunëtorë Klaudio dhe Monesa Muçollari.
25 nëntor, 2018
Queens, New York












Komentet