SHOQATA E INTELEKTUALËVE “JAKOVA” TË SHTUNËN E 11 SHKURTIT 2023 NË GJAKOVË, ORGANIZOI PROMOVIMIN E NJË LIBRI TË VEÇANTË, ME TITULL:“DIZAJNI DHE ANALIZA E STACIONEVE TOKËSORE PËR SATELITET E ORBITAVE TË ULËTA”, ME AUTOR DR. SHKËLZEN CAKAJ, PROF.ASOC.
Temë qendrore në këtë promovim ishte – “Aplikimi i LEO satelitëve në kërkim-shpëtim në rastin e fatkeqësive ajrore dhe detare!”
Kjo ngjarje e bukur dhe promovim shumë i veçantë, u organizua nga Shoqata e Intelektualëve “Jakova” e cila me punën e vet më shumë se dy dekada, ka arritur të jetë ndër shoqatat më të organizuara dhe më prestigjioze në trojet shqiptare dhe jo vetëm, madje duke arritur suksese të jashtëzakonshme.
Në këtë promovim morën pjesë intelektualë të fushave të ndryshme miq dhe familjarë të autorit si dhe Prof. Bexhet Kamo, nga Universiteti Politeknik i Tiranës.
Duke qenë vet kryetar i kësaj shoqate, Prof. dr Ruzhdi Sefa, i cili punon më shumë se cilido institucion, në mbështetje të bashkëpunëtorëve të tij, intelektualëve nga Gjakova, Kosova, mbarë trojet shqiptare dhe nga diaspora, publikut i ofron mundësi që të informohen drejtpërdrejtë për të arriturat në fusha të ndryshme të jetës, madje duke sjellë emra dhe figura me renome kombëtare dhe ndërkombëtare.
Një ngjarje e tillë ndodhi të shtunën, në Bibliotekën “Ibrahim Rugova”- Salla “Teki Dervishi” në Gjakovë, me rastin e promovimit të librit “Dizajni dhe analiza e stacioneve tokësore për satelitet e orbitave të ulëta”, me autor Dr. Shkëlzen Cakaj, prof. Asoc.
Një fjalë rasti e mbajti kryetari i Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”, Prof. dr. Ruzhdi Sefa, i cili e përshëndeti autorin e librit duke u shprehur se ishte nderë për Gjakovën që sot po promovohet libri me vlera të veçanta, “Aplikimi i LEO satelitëve në kërkim-shpëtim në rastin e fatkeqësive ajrore dhe detare!- (LEO-Low Earth Orbits)”, botuar nga një prej shtëpive të njohura botërore në fushën e kërkimeve teknologjike – “Wiley and Sons”.
Në vijim ua përcjellë fjalën e Prof. dr. Ruzhdi Sefa:
“Sot Shoqata e Intelektualëve “Jakova” në kuadër të “PROGRAMIT PROMOVIME”, po e bën promovimin e një libri të veçantë ‘Dizajni dhe Analiza e Stacioneve Tokësore për Satelitët e Orbitave të Ulëta (LEO- Low Earth Orbits), botuar nga një prej shtëpive të njohura botërore në fushën e kërkimeve teknologjike – Wiley and Sons.
Pse themi se libri është i veçantë?
Ky është me shumë gjasë studimi i vetëm në fushën e komunikimeve satelitore që vjen nga një autor shqiptar me një shtëpi kaq prestigjioze botuese. Nëse studimi i komunikimeve të stacioneve tokësore me satelitët nuk është aq i shpeshtë në Kosovë dhe Shqipëri, atëherë ky libër përbën një referencë të re akademike për t’iu qasur formave dhe analizave të komunikimit të stacioneve tokësore posaçërisht me satelitet e orbitave të ulëta.
Por për librin do të na flas prof. Bexhet Kamo nga UP në Tiranë!
Shkëlzenin e njoh që nga vitet 70, kur unë isha maturant ndërsa Shkëlzeni nxënës i vitit të parë të gjimnazit “Hajdar Dushi”, kur në korridoret e shkollës pëshpëritej për vlerat e shkëlqyera të tij sidomos në fushën e shkencave ekzakte. Por, Shkëlzeni vitin e dytë të shkollës se mesme e vazhdoi në “Gjimnazin Matematikor” në Prishtinë, si shkollë e mesme shumë specifike e cila për më shumë se 10 vite nxori kuadro që u bënë bartës të shumë proceseve në Kosovë.
Shkëlzeni e përfundoj gjimnazin matematikor si nxënës i dalluar, për të vazhduar Fakultetin Teknik në drejtimin e Telekomunikacionit, ku unë tashmë isha i angazhuar në mësimdhënie dhe pëshpëritjet që i kisha dëgjuar para disa vitesh në gjimnaz, tani u bënë shumë të zëshme në takimet e personelit akademik të Fakultetit Teknik, qofshin ato jozyrtare në bufenë e fakultetit apo edhe në takimet zyrtare të këshillit mësimor-shkencor, se kemi të bëjmë me një talent dhe punëtor të jashtëzakonshëm, me një të ardhme të ndritur. Sot jemi këtu, pikërisht se Shkëlzeni nuk na zhgënjeu por përkundrazi na mblodhi për një sukses të jashtëzakonshëm siç është promovimi i librit që në njohurinë time është i pari që dikush nga trojet tona të ketë botuar në shtëpinë më të njohur botuese në fushën e teknologjisë, siç është konzorciumi “IEEE-Wiley”.
Shkëlzeni i përfundoi studimet si “Student i Dalluar” dhe vendin e kishte në Universitet, respektivisht në Fakultetin Teknik, por ky zgjodhi që karrierën e tij ta vazhdoj në ish PTT – tani Telekomi i Kosovës. Për disa vite mbajti pozitën e udhëheqësit të sistemit tranzitor telefonik të Kosovës, që përpunonte tërë trafikun telefonik vendor dhe ndërkombëtar të Kosovës. Ndryshimet kushtetuese të vitit 89 të regjimit të Milosheviqit, reflektuan me masa shumë represive edhe në Telekomin e Kosovës, me të cilat Shkëlzeni nuk u pajtua për aplikimin e tyre dhe dhunshëm largohet nga puna, në kulmin e karrierës së tij.
Për dekadën 89-99, secili prej nesh ka tregimin e vet, historinë e vet me peripeci specifike për mbijetesë, prandaj nuk po ndalem shumë në ketë pjesë, por pas hyrjes së NATO-se, Shkëlzeni rikthehet në Telekomin e Kosovës me detyrë shumë të qartë: – Udhëheqës i Projektit për Rindërtimin e Sistemit të Telekomunikacionit të Kosovës, i cili ishte gati rrënjësisht i shkatërruar. Në ketë cilësi së bashku me Profesorin Safet Likaj nga Tirana, përpiluan një projekt-dokument të cilin e mirëpriti edhe Bashkimi Evropian, duke e aprovuar si të tillë dhe duke e mbështetur edhe financiarisht. Sot, mbi 90% e infrastrukturës që është në operim në kuadër të Telekomit të Kosovës është e bazuar në këtë projekt, përfshirë këtu edhe telefoninë mobile dhe rrjetin optik”.
Promovimin e drejtoi moderatorja, Olsa Domi, e cila për të pranishmit vazhdoi të lexon shkrimin e përgatitur nga Prof. dr. Ruzhdi Sefa, rreth biografisë dhe përmbajtjes së librit të autorit, Dr. Shkëlzen Cakaj, prof. Asoc.“Që nga viti 2020, Shkëlzeni në Telekomin e Kosovës, mbajti detyra të rëndësishme si në aspektin zhvillimor ashtu edhe operativ në ngritjen e Telekomit të Kosovës si një nga kompanitë më të suksesshme në vend në ofrimin e shërbimeve multimediale për konsumatorët në Kosovë. Gjatë kësaj periudhe mbajti pozitën e Drejtorit të Rrjetit Qendror dhe më vonë edhe si Udhëheqës i Operativës për Telekomin e Kosovës. Shkëlzeni që nga viti 2000, paralelisht u angazhua në punën kërkimore-shkencore në fushën e sistemeve satelitore, specifikisht për satelitët e orbitave të ulëta duke e kurorëzuar ketë punë me librin që sot po e promovojmë.
E filloi me angazhimin e tij si mysafir shkencor në Institutin e Komunikimeve dhe Inxhinierimin e Radio frekuencave të Universitetit Teknik të Vjenës në projektin Kanadezo-Austriak MOST (Microvariability and Oscillation of Stars) në vitin 2003, nga ku doli tema tij e masterit. Hulumtimet nga kjo fushë i vazhdoi në Universitetin e Zagrebit (Republika e Kroacisë), ku me 2008 merr titullin e Doktorit të Shkencave Teknike, për të vazhduar me tutje me postdoktoraturën, si bartës i donacionit Fulbright, në degën e dalë nga NASA, që është Agjensioni amerikan për mbikëqyrjen e oqeaneve dhe atmosferës prej satelitëve NOAA (National Oceanic and Atmospheric Administration) në Maryland, SHBA, ku ka dhenë kontribut të çmuar shkencor për avancimin e stacioneve tokësore për komunikim me satelitët e orbitave të ulëta, sidomos në rastin e fatkeqësive detare dhe ajrore.
Libri është rezultat i punës kërkimore-shkencore rreth 20 vjeçare të autorit, ekskluzivisht lidhur me performancën (cilësinë) e stacioneve tokësore që komunikojnë me satelitët e orbitave të ulëta, të cilët janë shumë specifik sepse orbitojnë shumë afër Tokës dhe komunikimi i tyre me stacionet tokësore është shumë i shkurtër, prandaj analiza e komunikimit të tyre me qendrat përkatëse në Tokë është shumë komplekse! Nga kjo pikëpamje Prof. Cakaj, në librin e tij prezanton aspektet për vlerësimin e performancës së stacioneve tokësore satelitore, ku secila prej tyre trajtohet matematikisht, me eksperiment apo me simulim përkatës. Për të gjitha këto ide janë nxjerrë rezultatet konkrete që i mundësojnë lexuesit të konkludoj në baza shkencore për cilësinë e komunikimit ndërmjet stacioneve tokësore me satelitët e orbitave të ulëta.
Janë disa aspekte që Prof. Cakaj, trajtoi në librin e tij, duke filluar nga ndikimi i kushteve atmosferike në komunikim ndërmjet satelitit dhe stacioneve në Tokë, optimizimi i kohëzgjatjes së komunikimit, aspektet e interferimit të sistemeve tokësore dhe satelitore si dhe inteferimin ndërmjet satelitëve fqinjë, sinkronizimin e satelitëve të orbitave të ulëta me Diellin si dhe aplikimin e tyre në komunikim edhe në fusha të ndryshme shkencore, duke e përmbyllur me performancën e stacioneve tokësore satelitore të dedikuara për komunikim me satelitët e orbitave të ulëta për identifikimin e vendngjarjeve të fatkeqësive ajrore apo detare. Dr. Cakaj, librin e tij e mbyllë me definimin e dy parametrave të rinj që kanë të bëjnë me dimensionin e planit të horizontit të stacionit tokësor satelitor dhe me faktorin e efishiencës kohore të komunikimit ndërmjet stacionit tokësor dhe satelitit të orbitave të ulëta.
Sa për ilustrim, për pjesëmarrësit që të jetë më e qartë, sot satelitët e orbitave të ulëta, në mes tjerash, janë shumë të njohur për ofrimin e shërbimeve të internetit përmes konstelacionit “Starlink” të kompanisë SpaceX të Elon Musk (ShBA). Sot, Ukrainasit, në kohën e luftës, shërbehen me internet pikërisht prej satelitëve të orbitave të ulëta!
Libri “Dizajni dhe Analiza e Stacioneve Tokësore për Satelitët e Orbitave të Ulëta (LEO- Loë Earth Orbits)” është botuar me shtëpinë e njohur botërore në fushën e inxhinierisë – Ëiley, në gjuhën angleze dhe u dedikohet studentëve të masterit dhe doktoratës si dhe operatorëve të E tokësore satelitore në mbarë botën.
Libri u botua nën editimin e konzorciumit të njohur botëror IEEE-Wiley, në Nëntor të 2022, në New Jersey, ShBA, me 256 faqe.
Libri ka 12 kapituj, ku në mesin e tyre njeri i dedikohet aplikimit të satelitëve të orbitave të ulëta në proceset e kërkim shpëtimit në rastin e fatkeqësive detare apo ajrore, lidhur me të cilin problem sot në fjalën e tij doktor Cakaj do të elaboroj para nesh pak më detajisht se si funksionon procesi.
Dr. Cakaj, ka ligjëruar për 10 vite “Komunikimet satelitore” në Fakultetin e Inxhinierisë Elekrike me Kompjuterik të Universitetit “Hasan Prishtina” dhe vijon të ligjëroj në Universitetin Politeknik të Tiranës nga viti 2010. Është autor i 80 publikimeve shkencore në konferenca dhe revista ndërkombëtare, kryesisht si autor i parë, të cilat bartin rreth 500 citime prej institucioneve shkencore-akademike në fushën e sistemeve satelitore, të rreth 60 shteteve nga mbarë bota, përfshirë ESA (European Space Agency) dhe NASA.
Po e përfundoj, me vlerësimin e njërit nga recensentët e librit, që thotë: “Matematika e lartë, satelitët dhe përhapja e valëve, secila ndaras është mjaft komplekse, dhe kur ndërlidhen ndërmjet veti kompleksiteti rritet shumë! Dr. Cakaj me këtë libër gjeti një mënyrë të veçantë të prezantimit, duke evituar kompleksitetin e lartë, ku lexuesit do të mund të ndjekin me lehtësi autorin në të gjitha shpjegimet, pa pasur nevojë të shikojnë dokumente të tjera për të kuptuar parimet! Në fund, nga ky libër, lexuesit do të marrin të gjithë kuptimin e nevojshëm në lidhje me analizën e stacioneve tokësore për satelitët LEO.”
Dr. Cakaj së fundmi aktivitetin e vet shkencor përpos me punime vetanake shkencore e vazhdon edhe si anëtar i komiteteve vlerësuese për konferenca, por si anëtar i rregullt i komiteteve vlerësuese është për revistën “Satellite Comunications and Networing” që editohet prej Profesorit Barry Evans të Universitetit Surrey në Angli, me revistën “IEEE Communication Magazine” që editohet prej IEEE dhe me revistën ‘Frontiers in Aerospace” me seli Lousana, Zvicër dhe atë gjithmonë për punimet që si subjekt i kanë stacionet tokësore të satelitëve të orbitave të ulëta.
Dr. Cakaj jeton në mes Prishtinës dhe Tiranës, me angazhime si në Universitetin Politeknik të Tiranës ku për 14 vite ligjëron “Sistemet satelitore” dhe në Institutin Kanadez të Teknologjisë në Tiranë ku ligjëron “Bazat e telekomunikacionit “ dhe “Komunikimet digjitale”, si dhe në kolegjin UBT në Prishtinë ku ligjëron “Bazat e telekomunikacionit” dhe “Sistemet dhe sinjalet”. Është i pensionuar nga Telekomi i Kosovës. Është bartës i disa çmimeve dhe mirënjohjeve për punën e tij. Është njëri nga ekspertët tonë më të njohur në fushën e telekomunikacionit, posaçërisht në fushën e sistemeve satelitore”.
Folës në këtë promovim ishte prof. Bexhet KAMO nga Universiteti Politeknik i Tiranës, i cili në emrin e tij personal por edhe si profesor i deleguar nga Universiteti Politeknik i Tiranës, foli gjerësisht për gjithë veprimtarinë shkencore dhe arritjet akademike të autorit të librit, njëherësh kolegut të tij, Dr. Shkëlzen Cakaj, prof.asoc, duke argumentuar me fakte dhe dokumente të paraqitura përmes ekranit, para publikut pjesëmarrës.
Shoqata e Intelektualëve “Jakova” përmes projektit “Promovime”, zakonisht organizon edhe ligjërata me tema konkrete dhe në këtë rast, Dr. Shkëlzen Cakaj, prof.asoc, prezantoi ligjëratën e tij me temën: “Aplikimi i LEO satelitëve në kërkim-shpëtim në rastin e fatkeqësive ajrore dhe detare!”
Ishte një ligjëratë e jashtëzakonshme, një temë që për herë të parë po prezantohej para publikut dhe vërtetë ngjalli interesim të madh.
Dr. Shkëlzen Cakaj, prof. Asoc, e bëri një shpjegim konkret dhe të kuptueshëm për të pranishmit, duke përshkruar rëndësinë e studimeve të tij 20 vjeçare dhe përmbajtjen e librit, i cili edhe u promovua në Gjakovë.
Autori theksoi se sot në këtë promovim, mes pjesëmarrësve po ndjehem i lumtur dhe i ngazëllyer njësoj sikur ditën kur libri im e pa dritën, prandaj secilit prej pjesëmarrësve u shprehu mirënjohje dhe falënderim që e ndanë këtë ngjarje së bashku.
Gjithashtu. Dr. Shkëlzen Cakaj, prof. Asoc, theksoi se është krenar me të arriturat e shkencëtarëve shqiptarë, pasi kudo ku merr pjesë në konferenca shkencore, simpoziume apo organizime të niveleve të larta shkencore, takon shumë shqiptarë dhe ky fakt e gëzon pa masë. Autori e bën një krahasim me vitin 1878, vit që përkon me themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe avancimin në shkencë deri më sot.
Ndaj për një periudhë shumë të shkurtër shqiptarët janë avancuar dhe kanë arritur suksese në shkencë dhe për këtë duhet edhe të krenohemi.
Mbase vetëm pjesëmarrësit që kanë qenë prezent në këtë ngjarje kulturore, promovuese dhe shkencore kanë ndjerë emocione të pafund dhe krenari për të arriturat e shkencëtarit, Dr. Shkëlzen Cakaj, prof. Asoc, shkencëtar me renome ndërkombëtare dhe i vlerësuar me çmime e mirënjohje të larta kudo në botë.
Si pjesëmarrëse në këtë promovim edhe unë, (Mevlyde Mezini Saraçi), pata rastin të bëj një urim dhe një përshëndetje me një fjalë të shkurtër rasti:
“Kjo ngjarje është e veçantë, siç jeni të veçantë ju të nderuar profesorë, Dr. Shkëlzen Cakaj dhe Prof. Bexhet Kamaj që ligjëruat sot në këtë promovim, siç është i veçantë i nderuari Prof. dr. Ruzhdi Sefa, kryetar i Shoqatës më prestigjioze dhe më të suksesshme në trojet shqiptare, që di të përzgjedh tema dhe figura të shquara, ndaj ju lutem pranoni përshëndetjet dhe urimet e mija të përzemërta.
Përshëndes publikun e nderuar në sallë, të cilët janë të privilegjuar aq sa ndjehem edhe unë me pjesëmarrjen në këtë promovim. Vërtet është nderë për Gjakovën, Kosovën dhe mbarë kombin të kesh një kuadër të tillë me vlera ndërkombëtare siç është Dr. Shkëlzen Cakaj, prof. Asoc, i cili ka arritur sukses me studimet dhe hulumtimet e tij deri në NASA.
Është fat për ne dhe duhet t’i nderojmë e respektojmë këto vlera që kontribuojnë në shkencë dhe sukseset e tyre ia njeh bota.
Gëzohem që e ka kaluar edhe sëmundjen e Covid 19, për të cilën tregoi profesori i nderuar, sëmundje që gati ia kishte marrë jetën, por jam e sigurt se përpjekja dhe dëshira e madhe për të arritur botimin e këtij libri të veçantë ishte më e fortë se sa sëmundja, të cilën e sfidoi dhe ja sot është këtu mes nesh, në promovimin e këtij libri.
Më bëri përshtypje shpjegimi gjatë ligjëratës, siç e theksoi profesori vitin 1878, kur Amerika kishte arritur larg me studime dhe hulumtime shkencore, që koincidon me vitin kur shqiptarët themeluan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ndërkaq që ishim larg nga shkenca, ndërsa nga ajo kohë e deri më sot, shqiptarët kanë bërë hapa të mëdhenj duke ecë drejt sukseseve me studime shkencore, madje duke i arritur edhe majat e sukseseve deri në Amerikë.
Dhe unë them se sot jemi jashtëzakonisht të nderuar që kemi pranë një personalitet të veçantë në këtë fushë, Dr. Shkëlzen Cakaj, prof. Asoc.
Profesorit të nderuar i uroj shëndet e jetë të gjatë dhe më të gjatë se sa dëshiron ai vet, që t’i vazhdon hulumtimet shkencore dhe bashkë me profesorin edhe ne si komb të përjetojmë edhe më tej sukseset dhe të arriturat shkencore, të cilat i njohu edhe bota. Është krenari për Kosovën, për mbarë kombin dhe në veçanti krenari për familjen që e kemi këtë vlerë të madhe, siç është Dr. Shkëlzen Cakaj, prof. Asoc.”
Promovimi i librit “Dizajni dhe analiza e stacioneve tokësore për satelitet e orbitave të ulëta” u përmbyll me fjalën falënderuese të autorit, Dr. Shkëlzen Cakaj, prof. Asoc, i cili kryetarit, Prof. Dr.
Ruzhdi Sefa i dhuroi librin e tij, që sapo u promovua.
Ndërkaq që Prof. Dr. Ruzhdi Sefa, i dhuroi Dr. Shkëlzen Cakaj, prof. Asoc, librin monografik, me titull, “Gjakova ndër vite” 1990-1999), i botuar nga Shoqata e Intelektualëve “Jakova”.
Përmes këtij shkrimi sadopak po mundohem që të transmetoj tek lexuesit dhe opinioni publik, momente nga kjo ngjarje e bukur dhe e rëndësishme, që u organizua në Gjakovë.
Duke shprehur mirënjohje Shoqatës së Intelektualëve dhe kryetarit, Prof. dr Ruzhdi Sefa, për organizmin dhe përzgjedhjen e figurave të shquara dhe temave me vlerë, gjithsesi një mirënjohje e veçantë shkon për Dr. Shkëlzen Cakaj, prof. Asoc, i cili e mirëpriti përzgjedhjen e Gjakovës dhe ishte mirënjohës për nivelin e organizimit dhe mikpritjen që iu organizua në promovimin e librit të tij të veçantë si dhe shoqëruesin Prof. Bexhet Kamo.
Foto nga promovimi
Gjakovë, 11 shkurt 2023