Kancelari gjerman Olaf Sholz u bëri thirrje të premten Kosovës dhe Serbisë që të punojnë për një marrëveshje e cila e zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, duke theksuar se vende që nuk e njohin njëri tjetrin nuk mund të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian.
Ai i bëri këto komente pas takimit në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në fillim të vizitës së tij në rajon, gjatë së cilës më vonë gjatë ditës do të qëndrojë edhe në Beograd.
Kancelari Scholz tha se përparësi e qeverisë së tij është të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimeve evropiane.
“Me rëndësi për Kosovën është që bisedimet me Serbinë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian të përparojnë dhe në kohëra si kjo, vlerat e sigurisë dhe lirisë bëhen edhe më të qarta sërish dhe një arsye e rëndësishme që Kosova dhe Serbia përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të gjejnë një zgjidhje politike e cila kontribuon në qëndrueshmërinë rajonale”, tha kancelari gjerman, duke theksuar se një marrëveshje politike në mes të dy vendeve është një kusht i rëndësishëm për investime dhe vende pune dhe për ardhmërinë e të rinjve në Kosovë.
“Është e qartë që marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës sepse është e papërfytyrueshme që dy vende që nuk e njohin njëri tjetrin të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian. I lus sot të dyja palët për një zotim të qartë për dialog, të dyja palët duhet t’i qasen njëri tjetrit dhe të punojnë së bashku edhe nëse kjo duket e vështirë”, tha kancelari Sholz.
Duke folur përkrah kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kancelari Sholz tha se Gjermania po punon për të bindur partnerët e saj evropianë se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave.
Kancelari Sholz tha se më kryeministri Kurti biseduan edhe për bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe procesin e Berlinit, duke paralajmëruar se në vjeshtë do të organizojë një konferencë në Berlin për këtë proces.
Kryeministri Kurti ritheksoi mbështetjen për procesin e Berlinit, ndërsa i bëri thirrje kancelarit gjerman që të ndihmojë Kosovën në aspiratat e saj për anëtarësim në mekanizma të rëndësishëm ndërkombëtar.
“Kërkesa për mbështetje nga Gjermania për anëtarësim në Këshillin e Evropës ka hasur në mirëkuptim të plotë, do të vazhdojmë edhe me aspiratën tonë me statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian ku planifikojmë të aplikojmë në fund të këtij viti. Nevojë e madhe dhe urgjente është anëtarësimi i Kosovës në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s dhe sërish kërkova që Gjermania si anëtare e NATO-s të na mbështes në rrugëtimin tonë të anëtarësimit në mekanizmin shumë të rëndësishëm të sigurisë”, tha kryeministri Kurti.
Agresioni rus në Ukrainë dhe pasojat e tij ishin pjesë e diskutimeve ndëmrjet kancelarit Sholz dhe kryeministrit Kurti. Kancelari gjerman e vlerësoi bashkimin e Kosovës me sanksionet perëndimore kundër Moskës. Serbia, ndërkaq mbetet i vetmi vend në rajon që nuk u është bashkuar sanksioneve për shkak të lidhjeve të saj me Rusinë. Vizita e kancelarit Sholz në rajon ndodhë pak ditë pasi ministri i Jashtëm rus, Segey Lavrov u detyrua të anulojë një vizitë në Beograd, meqë vendet përreth Serbisë nuk i lejuan fluturimin nëpër hapësirën e tyre ajrore.
Kancelari gjerman tha se kushdo që dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, duhet t’i pranojë të gjitha kushtet.
“Nuk po flas këtu vetëm për rregullat e përbashkëta, duhet t’i pranojë të gjitha; legjislacionin, demokracinë, hapjen, transparencën, por edhe që të kemi një politikë të përbashkët kundrejt vendeve tjera dhe këtu përfshihet edhe regjimi i sanksioneve të cilin e ka vendosur Bashkimi Evropian ndaj Rusisë. Kjo duhet të pranohet nga një vend që synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe për këtë është e rëndësishme që një vend që synon BE-në nuk duhet të ketë iluzione për sa i përket kësaj”, tha kancelari Sholz.
Agresioni rus në Ukrainë ka bërë që të shtohet diskutimet për nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimi Evropian është vënë në përpjekje për të siguruar rajonin për ardhmërinë evropiane.
Në këtë kuadër javën e ardhshme në Kosovë pritet të qëndrojë edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Komentet