SHQIPËRI 1976
Vend i vogël
Kohë e vogël
Rracion i vogël.
Errësirë e madhe
Frikë e madhe
Mjerim i madh.
Dhe rrugëve të atdheut
Si kukuvajka nën hënë
Leh e ulërin
“Gazi” – 69. 1
“Krahu i shqiponjës”,
nr.3-4, 1976.
PEGASIT
Nga qielli mos u ul Pegas për mua,
e bëj më këmbë unë rrugën.
Hapësirat e pamatura i dua,
po dua sa më pranë të jem me tokën.
Pas trokëllimës tënde qiellore
poetët le të thurrin vargje-ar,
unë jam këmbësor i rrugëve tokësore,
i rrugëve tokësore këngëtar.
Nga qielli, pra, mos zbrit Pegas për mua,
e bëj më këmbë unë rrugën.
Hapësirat e pamatura i dua
po më merren mendtë kur s’ndiej nën këmbë tokën.
—
—
BALADË ÇAME
Ylberi, si një përshëndetje e përlotur lamtumirë,
u zhduk matanë largësive,
mbi kreshtat e flakëve,
nëpër shi…
Matanë largësive u zhduk e përflakur Çamëria
dhe të gjitha rrugët tona shpien në veri.
Ulërin era e Mesdheut mbi trojet e lashta epirote,
mbi të shtrenjtat troje tona stërgjyshore.
Në kullotat e braktisura kullosin rrufetë.
Ullishtet e pavjelura gjëmojnë si dallgë nëpër bregore.
Dhe kudo toka çame,
mbuluar nga retë,
rënkon e mbytur në gjak e lot,
e mbetur shkretë,
pa zot.
Na e tregojnë drejtimin plumbat, që vërshëllejnë në errësirë.
Na e ndriçojnë rrugët flakët, që gjithë tokën kanë përpirë
Pas shpinave tona përplas tufani dyert e shkallmuara të shtëpive
dhe rrugët zgjaten e zgjaten si veri.
Ne, popull muhaxhir, ecim nëpër shi…
Lamtumirë, Çamëri!
—
NATË ÇAME
Ndali çapin kopeja e ulqve
Në errësirën e thinjur me flokë bore.
Ndali çapin pranë staneve të heshtura
Kopeja e egër e pyjeve çame.
S’dëgjohen të lehura, s’dëgjohen blegërima,
Nuk duken më zjarret ku dremitin çobenët.
Vetëm deti rreh bregdetin me dallgë pa pushuar,
Vetëm hëna porsi dele e ndarë nga kopeja
Nëpër shtigjet e reve baret e vetmuar.
Ndali çapin kopeja e ulqve
Dhe përgjon e uritur në errësirën thinjoshe.
Ku ini ju çobenë me gunat e bardha?
Ku i kini delet që blegërinin kullotave?
Ku i kini qiprat, ku këmborët si këmbana?
Ku i kini qent e staneve që ulurinin si luanë?
Murrot, balot, gudot – armiqtë tanë të vjetër?
Ku janë që t’u tregojnë me çatallet e hekurt
Se si në shesh të luftës luftohet për jetën?
Hesht në errësirë Çamëria shkretëtirë,
vetëm dallga rreh parreshtur shkëmbenjtë kryeulur
Dhe jehona e saj e gjerë nëpër natën joniane
Përzihet me ulurimen e ulqve të uritur.
U botua në revistën “Krahu i shqiponjës”
nr.2, 1997 me pseudonimin Kiman Halil Çami
—
JANINË, VJESHTË
Liqeni i Janinës – luginë plot me ujë
Dergjet i përgjumur në mjegullën mëngjesore,
Shket krahu i pulëbardhës mbi nisinë si tumule,
Me fletët e rrepeve mbulon era shetitoret.
Xhamitë ekzotike, bija lindore të braktisura
U pozojnë të trishtuara turistëve nga perëndimi.
Matanë sinorit me tela vijën stërnipat e Pirros
Dhe kalojnë kryeulur nën rrepet buzë limanit
Vjeshta lakuriqe si “missis minifunde”,
Fërkohet pas ledheve mjekrosh tërë myshk,
Atje ku Frosina iu shkëput Ali Pashait
Dhe në ujrat e ftohta të gjolit u zhyt.
Ashtu është Janina e vjetëruar mënjanuar
Dhe të duket sikur në gjol mengadalë do humbasë
Bashkë me lavdinë e dikurshme të harruar
Bashkë me buçimën e tambureve luftarakë.
Do humbasë në Joaninën e re me neon,
Nën valët e veturave që shkasin asfalteve
Nën hotelet moderne “Ksenia”, “Palladion”.
Nën tingujt e kambanave dhe këngët e psallmeve…
Liqeni i Janinës – luginë plot me ujë
Përkundet i përgjumur në mjegullën mëngjesore.
Që tej sinorit me tela vijnë stërnipat e Pirros
Dhe kalojnë kryeulur nën rrepet e shetitoreve
Me një mendim të heshtur, me një brengë përvëlonjëse.
“Krahu i shqiponjës”, nr.2. shkurt 1978
—
EJA, TRISHTIM
Eja, trishtim,
eja me hapa fletësh që bien nga degët,
eja me hapa shiu që këputet nga fletët…
Eja, trishtim,
Eja me hapa tingujsh që dridhen në mbrëmje,
eja me hapa zemrash që rrahin me dhimbje…
Eja, trishtim,
o prehër i ëmbël që nuk më braktise kurrë,
o strehë e qetësisë sime,
o ëndërrime të mia,
o gji i shpresës sime!
Eja, trishtim,
trishtim,
eja.
—
MOTRËS SIME ANTIKËS
(Variant)
Erdhi përsëri vjeshta,
me shira,
me fletra.
Të iku, motër, jeta,
me rënkime dhe brenga.
O sikur të mundja,
guackat e maleve t’i çaja
dhe horizontet t’i shtyja
e tek ti të vija!
O sikur të mundja,
përmes botës së kredhur në errësirë,
të digjesha si një shteg drite,
të rridhja si një qiri i shkrirë,
të ndriçoja rrugën tënde, motra ime…
Po erdhi përsëri vjeshta,
me shira…
me fletra.
—
“QIRIU” I NAIMIT
Në vitrinën e librarisë me llampa neon
bën dritë “Qiriu” i Naimit.
E sjell në shtëpi dhe, gjer natën vonë,
njëlloj ai bën dritë edhe në dhomën time.
Dhe flakë e tij e ëmbël nuk zbehet asnjë thërrime
përballë abazhurit me dritë elektrike.
Pastaj, kur zbardh dita, e shoh përsëri:
as në dritën e diellit nuk zbehet flakë e tij,
e zjarrta flakë, e shenjta flakë,
që digjet në përjetësi.
—
POEZIA E PARË
Poezia ime e parë e botuar
kaloi në kantierin tonë duar më duar,
pastaj ma kthyen mua gazetën, më së fundi,
po tani poezia e vogël nuk dukej gjëkundi.
Ajo qe mbuluar e tëra me shenja njollash,
e tëra me shenja balte, betoni dhe vajrash;
secili nga shokët e mi
kish lënë atje të prekurën e duarve të tij
dhe çdo e prekur sikur ishte një nënshkrim
kallosh punëtori,
dhe çdo e prekur sikur ishte një shtrëngim
duarsh punëtori,
dhe më dukej sikur punëtorët poezinë time e
pagëzonin
si poezi të tyre,
poezi djerse, balte dhe betoni.
—
ROSAT
Në muzg të mbrëmjes rosat ndjellin njëra – tjetrën
dhe zbresin buzës së lumit së bashku me rrjedhën,
te bërylet e ledhinave, nën livadhet e gjelbër,
ku zbardhëllejnë në muzg mu si kokrrat breshër.
O, sa ngjyra të bukura kanë puplat e rosave!
Të duket sikur era i ka mbuluar me fletët e luleve,
që shkunden nga ledhinat sipër bujanave.
Ato kullosin dhe rrjedha i merr me vete, si buqeta,
poshtë ujërave të qelqta e të qeta.
—
TI JE NJË PARDESY
Ti je një pardesy.
Tek ti fëshfërijnë të gjitha:
mendimet, pardesyja, zemra.
Ti je një pardesy
dhe bota të duket si një sallon mode,
ku parakalon si pardesy e dalë prej garderobe.
Ti je njeri – pardesy.
Të shoh tek zhdukesh përtej – fëshfërimë – nëpër erë,
sikur të mos kesh qenë asnjëherë.
—
MBRËMJE
Perëndim’ i purpurt shuhet përmbi dhe.
Larg, ylli i mbrëmjes digjet si fener.
Ndanë rrugës hapen shtigje me marrë,
në rrugë kalon reparti im xhenier.
Dredhon në të përpjetën, buzë lumit,
kjo rrugë e largët, rrugë e humbur mali.
maretë me vath të kuq, si gurë rubini,
në ëndrra i përkund puhi e zallit.
Përkund puhiza me mare
dhe pluhurin e rrugës hedh mbi ne.
Dhe ëndrra rinie era zgjon,
dhe djersa sipër ëndrrave kullon.
Çdo bulëz djerse më duket si një yll
në qiellin e kulluar pa kufi
dhe qielli i lart më duket si pasqyrë,
ku shoh fytyrën tënde Shqipëri
Komentet