Në krahasim me kryeqytetet tjera, Shkupi duket se është kryeqyteti më i ndotur. Stacionet matëse të Ministrisë së Mjedisit të këtij vendi tregojnë një ndotje të madhe në zonën e Shkupit
SHKUP/TIRANË – Ndotja e ajrit vazhdon të jetë problem për shumë qytete të Ballkanit, sidomos për qendrat e mëdha urbane. Kryeqytetet e vendeve të rajonit këto ditë janë në fokus të publikut për shkak të problemit tashmë disa-vjeçar të ndotjes së ajrit dhe mjegullës së dendur, gjë e cila pengon funksionimin normal të jetesës së qytetarëve.
Në krahasim me kryeqytetet tjera, Shkupi duket se është kryeqyteti më i ndotur. Stacionet matëse të Ministrisë së Mjedisit të këtij vendi tregojnë një ndotje të madhe në zonën e Shkupit. Në mesnatën e kaluar, në qendrën e kryeqytetit maqedonas niveli i grimcave PM 10 nuk ra nën 200 mikrogramë.
Vlerësimet maksimale gjatë natës arritën deri në 470 mikrogramë për metër kub. Matjet e fundit të mëngjesit të sotëm treguan 277 mikrogramë të grimcave PM10 në metër kub.
Ajri tejet i ndotur në këtë qytet pengon edhe dukshmërinë dhe qytetarët me maska mbrojtëse dhe në mënyra tjera përpiqen të mbrojnë veten nga ajri i ndotur. Një pjesë e mirë e tyre, pavarësisht nga moti i ftohtë si mjet transporti përdorin biçikletat e tyre për të ndihmuar në reduktimin e ndotjes.
Mjegulla e dendur në luginën e Shkupit poashtu pengon trafikun ajror nga aeroporti “Aleksandri i Madh”. Që në mëngjes, por edhe gjatë natës së kaluar, janë anuluar ose ridrejtuar uljet apo ngritjet e parashikuara nga aeroporti i Shkupit.
Lidhja auto-moto e Maqedonisë (AMCM) njofton se ka një zvogëlim të dukshmërisë prej 50 deri 100 metra për shkak të mjegullës në disa rrugë që lidhin kryeqytetin me vendet tjera, të tilla si ajo Shkup – Katllanovë, Shkup – vendkalimi kufitar Bllacë, si dhe në unazën rreth Shkupit.
– Tirana, qyteti më i ndotur në Shqipëri –
Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) e Shqipërisë njofton se Tirana vazhdon të jetë qyteti më i ndotur në rang vendi, ndërsa Fieri, Lushnja dhe Lezha janë tre qytete potencialisht të ndotura.
Sipas një raporti të AKM-së problematikë është prania e grimcave PM10, ku dhe thuhet se kjo situatë është pasojë e urbanizmit të lartë dhe ndotja vjen nga rritja e numrit të makinave që qarkullojnë në rrugë, si dhe veprimtarisë industriale.
Sa i përket ndotjes së ajrit, bazuar në të dhënat e raportit të AKM-së, nivelet më të larta të PM10 janë monitoruar në Tiranë, ku ka një tejkalim të normës vjetore të BE-së në masën 15 për qind dhe 38 për qind, për dy pika monitorimi në kryeqytetin e Shqipërisë. Në një nga pikat e monitorimit në Tiranë ka rezultuar se vlera vjetore e monitoruar është 55.25 mikrogram për metër kub dhe krahasuar me normën vjetore ka një tejkalim me 15.25 mikrogram për metër kub.
Në përgjithësi, nivelet e PM10 janë mbi normë në të gjitha qytetet me përjashtim të Shkodrës dhe Vlorës ku ndër vitet e fundit janë nën normën e BE-së.
Ndërkohë, sipas buletinit të Institutit të Shëndetit Publik të Shqipërisë, publikuar në vitin 2017, burimet kryesore të ndotjes së ajrit sot në Shqipëri janë të shumtë, por specialistët rendisin disa shkaktarë, të cilët mbajnë edhe peshën kryesore të nivelit të ndotjes. Këtu mund të përmendim automjetet e vjetëruara dhe trafiku i makinave (kjo lidhet edhe me rrugët e dëmtuara). Gjithashtu edhe ndërtimet, të cilat nuk zbatojnë kriteret për të evituar ndotjen, industritë e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës, djegia e pakontrolluar e mbeturinave.
Komentet