Organizatorët e protestës në shenjë mbështetjeje të presidentit Ivanov kanë lënë një flamur të përpunuar të Maqedonisë në Zyrën Popullore të Presidentit
SHKUP – Mijëra qytetarë të inicuar nga Shoqata “Për Maqedoni të përbashkët” edhe sonte vazhduan me protesta kundër platformës shqiptare, e cila sipas tyre është përgatitur nga Tirana zyrtare dhe dëmton karakterin unitar, sovranitetin dhe pavarësinë e Republikës së Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Protestuesit si zakonisht u tubuan para godinës së Qeverië së Maqedonisë për të vazhduar më pas drejt Zyrës Popullore të presidentit Gjorgje Ivanov, e cila u rihap sot, pasi që ishte e mbyllur që nga prilli i vitit të kaluar si pasojë e dëmtimit nga protestat e ashtuquajtura “Revolucioni laraman”.
Organizatorët e protestës në shenjë mbështetjeje të presidentit Ivanov, i cili refuzoi të mandatojë liderin e Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, për të formuar qeverinë e re, kanë lënë një flamur të përpunuar të Maqedonisë në Zyrën Popullore të Presidentit, si dhe kërkuan që Ivanov të mos e tërheq vendimin e tij.
Protestuesit më pas vazhduan drejt Kuvendit të Maqedonisë, ku dhe përfundoi protesta në mënyrë paqësore. Organizatorët në adresimin e tyre para Kuvendit, apeluan që të përgatitet një platformë e re dhe të mos pranohet platforma shqiptare.
Një ndër kërkesat kyçe të protestuesve është refuzimi i Ligjit të dygjuhësisë në tërë territorin e Maqedonisë, sepse sipas tyre, përdorimi i gjuhës shqipe në mbarë territorin do të çojë vendin drejt ridefinimit.
Iniciativa “Për Maqedoni të përbashkët” filloi me protesta që nga e hëna e kaluar kur lideri i LSDM-së i dorëzoi presidentit Ivanov dëshminë e shumicës parlamentare, i cili më pas refuzoi t’i jap mandatin për formimin e qeverisë, duke u arsyetuar se “nuk do të mandatojë çdo kë që negocionon për platforma të vendeve të huaja me të cilat cenohet populli maqedonas, kërcënon shtetin unitar, sovraniteti dhe pavarësia”.
Ndryshe, platforma e përbashkët mes subjekteve politike shqiptare në Maqedoni u arrit pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit të kaluar me ndërmjetësimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Përmes kësaj platforme të përbashkët ku përfshihen disa kërkesa për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, liderët shqiptarë zotohen se nuk do të marrin pjesë në Qeverinë e Maqedonisë nëse nuk zbatohen kërkesat e theksuara në të.
Komentet