Policia maqedonase ndaloi të dielën gazetarin Furkan Saliu, themelues dhe redaktor i portalit X në Shkup. Rrethanat e ndalimit nuk janë shumë të qarta, ndërsa ka pohime për përdorim dhune gjatë ndalimit.
Sipas policisë, gazetari, të cilin e ka identifikuar vetëm me inicialet F.S. dhe moshën (33 vjeç), pas një ndeshjeje futbolli në rrethinën e Shkupit ka sulmuar pjesëtarët e njësisë për ndërhyrje të shpejtë, të cilët po përpiqeshin të mbajnë rendin gjatë ndeshjes që po përshkallëzohej. Këtë e ka konfirmuar më vonë edhe ministri i rendit në qeverinë teknike, Pançe Toshkovski.
Policia kishte ndërhyrë për të qetësuar gjendjen në terrenin sportiv dhe loja ishte ndërprerë, pasi publiku vendas në fshatin Konjare të Mesme kishte tentuar të sulmojë fizikisht lojtarët e ekipit kundërshtar. Policia ka theksuar për një pjesë të medias të afërt me opozitën maqedonase se gjatë ndërhyrjes, dy persona nga publiku kanë tentuar të sulmojnë pjesëtarët e njësisë policore. “Personat që sulmuan policinë janë ndaluar menjëherë; bëhet fjalë për F.S., N.J. nga fshati Haraçinë (i Shkupit), teksa S.B. është ndaluar për shkak të pjesëmarrjes në rrahje”, thekson Ministria e Punëve të Brendshme.
Portalet maqedonase duke iu referuar burimeve policore shkruajnë se gjatë bastisjes së veturës, pronë e F.S.-së është gjetur një revole; se vetura drejtohej nga personi me inicialet F.A. dhe aty ndodhej po ashtu një bashkudhëtar, A.R., të dy nga fshati Kondovë i Shkupit.
Ndërkohë, dëshmitarë në ndeshjen e futbollit u kanë thënë mjeteve të informimit se gazetari Saliu kishte reaguar gjatë arrestimit të një tifozi nga policia. Një dëshmitar që nuk ka dashur të identifikohet për median, ka theksuar se autoritetet policore kanë përdorur dhunë ndaj gazetarit gjatë ndalimit të tij.
Partitë shqiptare të opozitës në Maqedoninë e Veriut dhe shoqatat e gazetarëve kanë reaguar ndaj këtij njoftimi, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të gazetarit Saliu.
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) bën thirrje për ndriçimin e menjëhershëm të rastit; “policia të ketë kujdes që të mos i shkelë të drejtat e kolegut Saliu, ndërsa partitë politike të mos përdorin përplasjet ditore në mes tyre për qëllime politike në fushatën zgjedhore”, thuhet në një komunikatë të SHGM-së.
Portali X, ku zoti Saliu është themelues dhe redaktor, e cilëson aktin e policisë si “të dirigjuar në tërësi dhe një trysni ndaj gazetarisë së lirë që e praktikon Portali X”.
Furkan Saliu njihet për qëndrimet e tij kritike jo vetëm ndaj pushtetit por edhe ndaj opozitës maqedonase.
Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski i cili është nga radhët e VMRO-së së opozitës thekson në rrjetet sociale se e kupton reagimin e shoqatave dhe sindikatave të gazetarëve, ndërsa thotë se policia reagon njësoj gjatë çdo sulmi ndaj pjesëtarëve të saj. Ai pohon se Furkan Saliu është njëri nga të ndaluarit në ndeshjen e futbollit në Kojnarë të Mesme “për shkak të sulmit ndaj oficerëve të policisë”. “Si ministër jam angazhuar për transparencë dhe llogaridhënie për veprimtarinë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe kjo do të vazhdojë kështu, por ligjet e shtetit duhet të vlejnë njësoj për të gjithë”, shkruan ministri Toshkovski në Facebook.
Partitë e koalicionit opozitar shqiptar “VLEN” dhe kandidati i saj për president, Arben Taravari dënojnë arrestimin e gazetarit, që sipas tyre, ka ndodhur në kushte të zbatimit të profesionit të tij. Zoti Taravari shprehet se “Lajmëtari nuk ka faj për lajmin që jep”, ndërsa kërkon lirimin e shpejtë të zotit Saliu.
Ndërkaq, VMRO-DPMNE-ja e opozitës thotë se e dënon çdo sulm ndaj personave zyrtar të MPB-së dhe se kjo duhet të dënohet nga të gjithë. “Nëse konfirmohet kjo, atëherë autori duhet të bartë të gjitha pasojat në pajtim ne ligjt dhe Kushtetutën”, thuhet në një komunikatë të VMRO-DPMNE-së. Partia kërkon ndriçimin e rastit me gazetarin dhe atij t’i respektohen të gjitha të drejtat dhe liria si gazetar.