Romani “Dashuria e ndërprerë” i PETRAQ ZOTOS
Kurrë nuk e kam patur kaq të vështirë për të shkruar këtë ese. Jam ndjerë në një pozicion të vështirë se jam në atë hamendësinë se mos nuk e them dot të gjithën ashtu siç duhet jo vetëm për romanin, por ca më tepër, për mikun tim të ndjerë, tanimë, PETRAQ ZOTO.
Kjo ndjesi imja nuk është subjektive dhe aq. Përkundrazi bëhet pak e prekshme se jam në atë sugjestionin që nuk më ka ndodhur kurrë: më duket se romanin se kur e kam lexuar diku, po me autor, mikun tim të mirë dhe aq u zhyta në këtë sugjestion, sa m’u desh të merrja në telefon, bashkëshorten fisnike të të ndjerit, Tatjanën dhe, tek ia bëra pyetjen drejtpërdrejtë, më tha:- Jo. Jo. Asgjëkundi. Por ndoshta PETRAQI të ka folur gojarisht dhe të është fiksuar.
Tani, i “mundur”, po jap përshtypjet e mia për romanin.
* * *
E gjej me vend që, tek e mora si “darovi” nga zonja e tij fisnike, Tatjana, romanin “Dashuri e ndërprerë”, natyrisht që e lexova me një frymë. Tani që po shkruaj, nuk kam se si mos bëj një digresion : m’u kujtua poezia aq e prekshme që shkruhet vetëm njëherë, nga një mjeshtër si DRITËRO AGOLLI me titull sinjifikativ:”Kur të jesh e mërzitur shumë”. Diku në poezi, MJESHTRI, thotë: “… kur të jesh e mërzitur shumë/ atje në raft të librave do më gjesh/…/… ku shfaqem unë/ si diell…/ pas një rrëkeje/. Dhe, me të vërtetë, kështu ndodh me gratë e krijuesëve. DRITËROI e ka shkruar ka kohë, por ja tek është, një MJESHTËR i Madh i PROZËS SHQIPTARE, që quhet PETRAQ ZOTO, që vjen e flet, tanimë i ndarë nga jeta, me veprën e tij postume: “”Dashuri e Ndërprerë”.
Dalja e këtij libri, post mortum i të ndjerit, flet, veç tjerash, edhe për një kujdes deri në veneracion të bashkëshortes së tij, Tatjanës, që e nxori në dritë si një amanet apo si një mesazh besnikërie dhe homazh fisnikërie për bashkëshortin e ndjerë. Vërtet që PETRAQ ZOTO ka një vit e ca që u nda nga jeta, por ai vazhdon të komunikojë me lexuesit e tij të shumtë përmjet veprave që ka lënë në “makazinën e tij krijuese”. Tatjana, jam i sigurt, se jo vetëm do qëmtojë çdo gjë me vlerë që ka lënë i shoqi, por, si të thuash, do të “hajë”, po qe nevoja, edhe grimën e fundit të “dhjamit” të saj, vetëm e vetëm për të nxjerrë në dritë, nga “errësira” e sirtareve”,çdo gjë me vlerë që ka lënë PETRAQI.
Kjo është një arsye më tepër që ia bën asaj ballin edhe më të bardhë, por edhe më të bukur portretin moral të saj.
* * *
Kur lexoj romanin dhe njihem me heroin kryesor, oficerin,FREDI BALA, mendja nuk di pse më vete tek një romani i të madhit DINO BUZZATI, “Shkretira tartare”. Ashtu si ai togeri i “Shkretirës tartare” që shkoi për pak kohë dhe mbeti atje, ashtu dhe Fredi Bala u transferua në “Erëthat” dhe mbeti atje. Natyrisht, anologjia ime është pak e “çalë”, se ndryshe, krejt ndryshe ndodh me Fredi Balën.
Fillimisht, ka një flirt aq njerëzor me një të ve dhe e paguan si “për një thelë, një pelë” dhe, pikërisht, për këtë nga kuadër në Shkollë të Bashkuar, e degdisin në Erëthat, një “qytet-th” (kjo”th” si parpashtesë zvogëlimi është si një fshat që duket dhe nuk do kallaus), për të”vuajtur” një “faj” vetëm subjektiv që ta shpif. Hollë-hollë, në kuinta, morali i kohës kish ngritur “piketat” e saj që, po ta gjykosh në thellësi, të sjell ndërmend ato “Arkapijat” made in MIgjen ku “Oso Bakalli”(kupto kupolën e kohës”, i ka çelur këto “arkapija” për të ruajtur moralin. Një përçudnim i vërtetë.
Fredi Bala jo vetëm paraqitet tek ky “qytet-th”, por, veç punës në repart, caktohet si mësues i edukimit ushtarak në gjimnazin e qytet-thit. Aty bie në dashuri me një nxënëse të tij, Loretën, që, për përkim krejt rastësor, është vajza e sekretarit të parë të rrethit. Kaq nuk është pak dhe lupa e autorit zë e vështorn thellë e më thellë. Ashtu si ferra e vogël që fsheh lepurin e madh, në këtë qytet-th të vogël, zënë e rriten ngjarje “thagma” që, në fund të fundit, janë veç mendësi malinje që buronin e ka që nga”kupola” ku qendron një ZEUS që fantazon dhe fabrikon nga mendja e vet përçude veç armiq. Ne që e kemi jetuar gjithë këtë “fantazmagori” që të rrënqeth, tek shohim që”rrufeja” që lëshon Zeusi vret e pret që nga Olimpi, nuk kursen as njerëz që jetojnë qoftë dhe në krahina, shohim përmjet romanit se si vritet, veç tjerash, edhe dashuria: ndjejnja më e bukur dhe më njerëzore.
* * *
Kupola është e “sëmurë” dhe tek bën aktin e Doktor Adhamudhit me diagnozën qesharake:- Të dhëmb koka, krreje!, tek “vret shokët e vet”(minsitrin e mbrojtje e të tjerë), nuk ka se si kursen kuadro të “vegjël” si Viso Tola(sekretari i parë) dhe “shpata” bie dhe mbi FREDI BALËN “vetëm e vetëm” se paskej thënë:” Dua të vazhdoj Akademinë Ushtarake”. Duke dënuar FREDI BALËN, duke internuar LORETËN, regjimi i”bukur” i kohës, nuk bëri as më pak dhe as më shumë, po vrau dashurinë.
Autori nuk ka shkruar me apriori. Përkundrazi. Në roman ka faqe të tëra ku shkruhet me një lirizëm këndellës për dashurinë (si ato me Suzin apo me Loretën). Për ta bërë më të prekshëm, në roman gjen arketipin e “Tre shokëve” të Remarkut apo “Tre mosketjerët” e Dumasit. Figura e Cavës (KUAZIMONDOS së Hygoit) është nga më simaptiket; po kështu e Sonit. Autori për të na e bërë sa më të shplarë malinjitetin që mbartin spiunët, u ka vënë atyre ndonjë epitet aq të zi, sa, tek i sheh që lëvrijnë poshtë e lart nëpër roman, të të kap të vjellët. FANE “ZËTI”;ZIKEQYLI dhe nuk ke nevojë të vrasësh mendjen se ç’rol kanë në roman.
Mund të flisja dhe më shumë për romanin, por le të lëmë edhe ca vend për lexuesit që, kur ta lexojnë romanin, do të binden se PETRAQ ZOTO vazhdon të jetë gjallë. Pa dyshim, kjo është meritë e penës së tij, por dhe bashkëshortes së tij, TATJANËS, që do të vazhdojë të hulumtojë në makazinës krijuese të autorit.
Tiranë, 14 janar 2017
Komentet