Kushtuar mikut ti, shkrimtarit Kolë JakovaShkrimtari i njohur K.J. kishte vite që jetonte i vetmuar në apartamentin e tij të ngushtë, midis ca mobilieve të vjetra.
Gruaja i kishte vdekur. Dy vajzat jetonin larg; E madhja në një qytet të vogël , në Veri të Italisë dhe e vogla në Athinë. Dhe mbesa që i kishte qëndruar te koka gjatë vitit të fundit, iku pas të shoqit. Vajzat e merrnin herë pas here në telefon dhe i luteshin të shkonte pranë tyre, në Greqi ose në Itali, ku të dëshironte ai.
Fillimisht ai kishte kundërshtuar prerazi, por, pas ikjes së mbesës, e kuptoi që nuk jetonte dot vetëm. Të dyja vajzat i dërguan fletëgaranci për bashkim familjar. Ai bëri kërkesë në të dyja ambasadat. Vajzave u tha se do shkonte atje ku do t’i dilte viza më parë, pa i shkuar fare ndër mend se të dyja ambasadat do t’i kthenin përgjigje negative. U dëshpërua shumë dhe jo vetëm për shkak të vetmisë, por edhe sepse pensioni nuk i dilte as për të blerë ilaçet për veshkat dhe tensionin, të cilat e mundonin prej vitesh.
Mendoi t’i shkruante një letër ministrit të Kulturës që të ndërhynte në njërën prej këtyre ambasadave . Nisi letrën e parë, por nuk u kthye asnjë përgjigje.
Vajzat e merrnin në telefon: “Hë babi…Ç’ bëre ?”
Pasi nuk mori përgjigje nga ministri i Kulturës, K. J. i dërgoi një kërkesë ministrit të jashtëm. Qëlloi që letra ra në dorën e një punonjëseje e cila e njihte, kishte lexuar në fëmijëri një libër të tij me tregime per femije.
Ajo e mori në telefon qysh atë ditë dhe i premtoi se do të interesohej vetë për problemin e tij. Kaluan 10 ditë. Punonjësja e ministrisë nuk po e merrte në telefon.
Një mëngjes e mori vesh përgjigjen e ministrit: “Nuk merremi me probleme te tilla.”. Edhe punonjësja ishte prekur thellë nga ajo përgjigje.
Pak ditë më vonë shkrimtarin K.J. e zu krizat e zemres.
Kohët e fundit, kishte vënë re që edhe këmbët i tërhiqte zvarrë.
Mendoi se duhet t’i shkurtonte orët e punës me eposin e tij madheshtor, te veriut.Kishte shkruar rreth tre mije vargje. E ndiente veten të drobitur, të vetmuar dhe të mbyllur përjetësisht në një kafaz nga i cili mund të dilte vetëm kur do ta përcillnin për në banesën e fundit.
Dera e apartamentit të tij trokitej rrallë e më rrallë. Trokiste vetëm një fqinjë tiranase. Që pas ikjes së mbesës, ajo i merrte ndërresat për t’ia larë në lavatriçen e saj dhe ia sillte të hekurosura, i blinte ilaçet në farmaci, i blinte ushqimet.
Ditët edhe i shtynte disi, duke u marrë me romanin mbi të cilin kishte gati një vit që punonte, por netëve i dilte gjumi dhe orë të tëra bisedonte me të vdekurit.
I ulur në kolltukun e tij të vjetruar, pranë tavolinës së punës, me letrat e shpërndara sa andej- këtej, mendoi t’i shkruante një letër presidentit. Kishte besim se ai do ta ndihmonte, jo thjesht si një shkrimtar i njohur, por edhe për shkak të një njohjeje të vjetër me të atin e tij.
U përkul mbi një letër të bardhë, hodhi fjalinë e parë, por nuk i pëlqeu…Iu dukën fjalë jashtë karakterit të tij; dhe përse t’i servilosej aq shumë këtij njeriu? Për hir të një vize… Në fund të fundit, largimin nga atdheu tani në pleqëri ai e përjetonte si një vdekje, e cila mund të quhej edhe “vdekje e harruar”.
–Jo, nuk do t’i shkruaj! – mendoi. – Këtu do të vdes. Nga ky kafaz me mobilie të dala jashtë mode le të më nxjerrin kur të vijnë të më gjejnë, për të më çuar për në banesën e përjetshme.
“…Ju lutem. Më ndihmoni …”. Kërkesa duhej të mbështillej me ca fjalë kortezie, si për shembull: “…Kam kënaqësinë e veçantë që po ju shkruaj, Juve zoti President… ose: “…duke shprehur njëkohësisht edhe konsideratën time më të lartë…,(të lartë dhe të thellë!?) për Ju, zoti president… për ato që Ju, i nderuari President, jeni duke bërë në të mirë të atdheut dhe të popullit tim..”…ose: “duke Ju uruar suksese në detyrën tuaj të shenjtë në të mirë të vendit dhe popullit dhe për të ardhmen tonë… dhe të fëmijëve tanë…Duke shprehur respektin tim të thellë…”ose “të jashtëzakonshëm, për Ju, zoti President…Jo. Jo. Jo.”
Të atin e presidentit e kishte njohur në moshë të re , në qytetin e tij të lindjes.
E mbante mend dhe presidentin e vogël, djaloshin zeshkan, të cilit do t’i rastiste një ditë të bukur të bëhej president. E ç’rëndësi kishte kjo? Ai tashmë ishte president dhe duhej vlerësuar si i tillë.”I nderuar President…Jo.….Shumë i nderuari, zoti President! Jo. Jo. Jo” Shkruaj e hiq vizë, shkruaj e hiq vizë. U çudit me veten e tij; gjatë jetës së tij kishte shkruar shumë poezi, romane, drama dhe skenarë dhe nuk ishte në gjendje të shkruante një letër kaq të thjeshtë, të cilën çdo avokat ose noter do ta kishte shkruar në çast dhe më mirë se ai.
Ditën tjetër, duke menduar se kishte qullosur diçka, e mbylli zarfin dhe e nisi për në Presidencë.
Letra mbërriti në zyrën e sekretares së tij tri ditë me vonesë. Sekretarja nuk e hapi fare zarfin, sa e pa se kujt i drejtohej e dorëzoi te zyra e pritjes së popullit..Ishte ditë e premte. Një punonjës i Presidencës, i cili kishte vite që punonte në zyrën e letrave, kur pa emrin e shkrimtarit të njohur mbi zarf, u bë kureshtar dhe e hapi.
-Mos është ndonjë shaka,- tha ai duke ia zgjatur letrën shefit të tij. – Unë di që shkrimtari K.J. ka vite që ka vdekur…Madje më kanë thënë që ka vdekur në Itali…
Shefi i tij, një djalë i ri, i kollarisur dhe i qethur sipas modës, e pranoi pa asnjë mëdyshje versionin e vdekjes së tij. Presidenti ato ditë ndodhej me pushime.
Të dielën të gjitha gazetat e ditës si dhe të gjitha mediat televizive dhanë lajmin e hidhur: Shkrimtari K. J. kishte ndërruar jetë, i vetëm dhe i braktisur nga të gjithë, në banesën e tij, në periferi të qytetit.
Dita e varrimit takoi e hëna. Atë mëngjes, në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve, me rastin e përcjelljes së eshtrave të tij për në banesën e përjetshme u bë një ceremoni madhështore. Erdhën dhe qarkuan rreth trupit të tij pa jetë, shkrimtarë dhe artistë, përfaqësues të pushtetit, të partive dhe të organizatave të ndryshme joqeveritare.
Ata që e kujtonin ishin përzier me ata që e kishin harruar prej kohësh. Të parët që parakaluan pranë trupit të tij të pa jetë ishin veshur me kostumet e tyre të shtrenjta, dukeshin shumë më të prekur se të parët, dhe më të vëmendshëm ndaj kamerave televizive.
Në orën 12-të, nën shoqërimin e fotoreporterëve dhe kamerave të shumta televizive, trupin e tij të mbuluar me kurora të ndritshme shtetërore e përcollën për në varreza.
Kostumeshtrenjtët ishin përsëri të parët që dukeshin në ballë të kortezhit mortor. Ata ishin përsëri të parët që thanë mbi varr fjalët e rastit rreth pavdekësinë së veprës dhe kujtimit të tij. Ata ishin të parët që hodhën mbi të nga një grusht dhe duke u larguar qetësisht drejt veturave të tyre luksoze.
Në orët e lajmeve, ata u dukën sërish para kamerave. Presidenti, atë të hënë gjendej në Vlorë, në vilën e vet rezidenciale.
Komentet