__ Kryekreje theksoj se shkrimtaria e Agim Gjakovës është realiste dhe provokative: godet të shëmtuarën dhe të keqen, si kumt për të rindërtuar më të mirën, ku mesazhi i filozofisë së ndryshimit lexohet në shtresat dhe nënshtresat polisemike të tekstit letrar e në të njejtën kohë është thirrje për liri, demokraci dhe drejtësi të vërtetë. _
1
Jeta dhe vepra e Agim Gjakovës është ajo e shkrimtarit dhe intelektualit liberal, qytetarit dhe atdhetarit të angazhuar për liri dhe drejtësi sociale. U burgos në rini nga diktatura e egër shovinisto-komuniste e Titos dhe u persekutua në Shqipërinë-amë, nga diktatura staliniste-enveriste.
*** I dyshuar dhe i padëshiruar, gjithnjë në survejim nga sigurimi, iu nxi jeta nga ankthet, makthet dhe fobia, por nuk iu zvjordh pasioni të shkruante poezi, tregime, romane, drama, skenare filmash dhe publicistikë që të fliste me gjuhën e artit e të shprehte gjithçka ziente brenda botës së tij të shqetësuar.
*** Idetë e kthjellta për liri, demokraci, atdhetari dhe drejtësi të mishëruara artistikisht, përshkojnë krijimtarinë më të vlertë të tij. Autori godet padorashka dhunën e gjithanshme barbare titiste ndaj kosovarëve dhe Kosovës, po edhe ndaj padrejtësive të Europës në kurriz të kombit shqiptar.
2
Si intelektual dhe shkrimtar me integritet nuk bëri kompromise as me regjimin tiranik sllavo-komunisto-titist, por as me regjimin totalitaristo-enverist i cili nëpërmjet luftës së neveritshme të klasave, burgoste, vriste e persektonte kundërshtarët politikë, njerëzit e regjimit të vjetër, por edhe bashkëluftëtarët e bashkëpunëtorët e ngushte që i shihte si të rrezikshëm për pushtetin e tij absolut madje persekutonte edhe kososovarët që arratiseshin për në Shqipërinë – amë, apo të tjerë që i dëbonte Serbia e Titos, siç ndodhi edhe me Agim Gjakovën e disa të tjerë.
3
Është e trishtueshme dhe e frikshme që shkrimtari Gjakova, pasi u burgos tri herë kur po kryente studimet në Beograd për gjuhë e letërsi frënge në fakultetin filozofik. u dëbua në Shqipëri më 1960 pa i përfunduar studimet, si person i padëshirueshëm për pushtetin jugosllav dhe, – pritet me dyshime e survejime në Shqipëri.
*** Punoi si mësues në Kavajë 1960-1962 i ndjekur nga Sigurimi i Shtetit; u ndoq edhe gjatë viteve 1962-1966 kur po kryente studimet në Fakultetin Histori-Filologji në degën e anglishtes; edhe në Agjensinë Telegrafike Shqiptare kur bënte punën e përkthyesit; po pak kohë punoi në këtë agjensi sepse e larguan dhe emruan në një shkollë të Tiranës si mësues i gjuhës angleze, pa ia nda survejimin.
*** Gjakova persekutohej edhe për krijimtarinë me tematikë nga Kosova që ishte e ndaluar nnga regjimi i Hoxhës, por edhe për frymën demokratiko-liberale që përshkonin veprat e tij.
4
Që në fillimet e para e gjer edhe në ditët e sotme, shkrimtaria e tij shquhet për forcën satirizuese dhe akuzuese të dukurive negative dhe regresive të realitetit historik dhe aktual të Kosovës, ku vend të rëndësishëm zënë temat dhe motivet për vendlindjen, luftën për mbijetesë të kosovarëve; për dhunën e masakrat e serbëve ndaj popullatës në vatrat e tyre, për rezistencën e rinisë, të burrave dhe grave, të baballarëve dhe nënave që lindnin shumë pasardhës që t’i dilnin zot Kosovës e të përballeshin me Shkjaun dhe të stigmationinp adrejtësitë e Europës plakë.
5
Personaliteti i lartë i letrave shqipe At Gjergj Fishta, e ka stigmatizuar me vargun “Moj Europë, hej kurvë e motit…”. E, bash për këtë, flet poema e Agim Gjakovës “Edhe thonë se paqe ka në botë”!… Citoj:
”Si thonë se paqe paska në botë?!.. / A nuk i dëgjojnë zërat klithës të kosovarëve: / Hej!.. A ndjeve?..Mbramë u vra një kosovar! / Heej! … U ther një kosovar / Heeej-Heeeej Mbramë u pushkatuen disa kosovarë! / Hej!Hej!Hej…Heeeeeej…! Mbramë u përzunë qindramijra kosovarë nga shtëpitë dhe trojet e veta?!…/ Dhe thonë se mbramë kishte paqe ne botë! “
*** O Kosovar, ti askujt s’ia shkele livadhet. / Askujt s’ia more arat. / Askujt s’ia shembe gjerdhet! Nuk vrave e nuk there. / Të tjerët të vranë e të therën,/
*** Nana kosovare nam, e truen: / Hej, lëvaren në qafë e paçit, ju nxjerrshin të dy sytë! / Ju shoftë toka e qielli, ju tretët nami e nishani! /,Ju thaftë barku i nanës, hankshi kryet e njeri-tjetrit! / Ju shoftë zjarri në votër!, u zhbifshin lisat e gurët! / U ngrifshit pa vorr, pa qiri, pa qivur!”
6
Edhe në Shqipërinë e socializmit pa liri të stalinistit Enver Hoxha flitej për paqe, unitet, demokraci e drejtësi, por në vend të tyre aplikohej tirania…. Që më 1944 e filloi me vrasje, burgosje e internime, me gjyq e pa gjyq. Me dhunë u rrëmbeu pasuritë tregatarëve, tokat çifligarëve, shtëpitë qytetarëve. Dhe flitej për paqe, liri e demokraci.
*** Fllitej edhe në emër të popullit, por lufta e klasave bënte kërdinë. Internoheshin e burgoseshin njërëz nga ish-klasat e përmbysura të regjimit të Zogut, pushkatoheshin klerikët për besimet fetare dhe kundërshtarët politik ballistë e zogistë; madje edhe shokët e bashkëluftëtarët e të sëmurit për pushtet, Qoftëlargut, i cili i mbytur në haluçinacione shihte ëndrra se po i kurdisnin kurthe e puçe ‘t’i rrëmbenin pushtetin.
*** Pushkatoi edhe poetë e shkrimtarë; po edhe me varje në litar. Shumë burgosi, ca i telendisi në vende të shkreta rrethuar me tela me gjemba, po sikur të mos mjaftonte kjo egërsi shpellare, aplikoi dhunën psikologjike nëpërmejt sigurimit ndaj shkrimtarëve dhe artistëve liberal, njëri prej të cilëve ishte edhe Agim Gjakova.
7
Siç e cika më sipër, shkrimtaria e Gjakovës në tërsinë e saj përshkohet nga një qasje kritike opozitare. Bindjet e tij si shkrimtar liberal nuk i ndrroi në asnjë rast, nuk ra në ujdi as me veten as me askend tjetër, çka është përcaktuese e portretit të tij si krijues dhe qytetar me integritet. Kjo nuk do të thotë se ai ka dalë haptas kundër parimeve të realizmit socialist. Si qytetar e shkrimtar i kujdesshëm dhe i matur, e lexonte mirë semantikën e Nenit 55. Ndaj aplikimi i parimit të aisberut ka qenë i pranishëm në veprat e tij, por sa herë kritika e tij ishte e dukshme, emri i futej nëpër rrathë të kuq.
8
Duke përsiatur mbi librat e Gjakovës: 1. Poezi: “Dhe thonë se paqe ka në botë”, “Kangët e Drinit të Bardhë”, “Perspektivë”, “ I gjuaj andrrat me gurë”, “Deti”, “Saga flurore”. 2. Romane: “Dritehijet e një qyteti”, “Në kërkim të së vërtetës”, “Nanë Bora” (një ndër romanet më të vlertë për tragjendinë e Kosovës), “Loja e kafkave”, “Korridoret e. gjelbërta. 3.Tregime:“Nën hijen e pavdeksisë”, “Shtëpia në udhëkryq” dhe romani për fëmijë: “Themelet e reja”. 4. Drama: “Ishulli i argjentë”. 5. Skenare filmash (të xhiruar) “Nusja”,“Guri i besës”,”Fundi i një gjakmarrje”.6. Publicistika, – p r a, duke përsiatur mbi librat më me vlera të Agim Gjakovës, arrij në përfundimin se është shkrimtar shumëdimensional, me individualitet të spikatur veprat e të cilit përcjellin mesazhe të fuqishme, të ndryshme e të larmishne, njerzore dhe universal, që i flasin të djeshmes, të sotmes dhe të ardhshmes.
9
Mjetet artistike dhe figurative që aplikon janë të shumta e të larmishme, krahas realistes aplikon edhe elemente të realizmit kritik, të fantastikes, grotesken dhe elemente të realizmit në zhvillim, si dhe metafora e simbole të ndryshme sipas temës dhe tipologjisë së formave artistike dhe gjinive letrare.
10
Vlerësoj vetëorientimin e autorit në hulumtimin e një tematike të gjerë, komplekse, por dhe specifike, nga realiteti i Shqipërisë në diktaturën komuniste dhe i Kosovës pas Fitores së Mëvehtësisë.
*** Ëndrra e Agim Gjakovës për ta parë Kosovën të Lirë të Pavarme, e gëzoi në ditën e shpalljes së Pavarësisë, por ky qe, një moment entusiazmi e lumturie, fatkeqësisht i shkurtër. Mënyra si u ndërtua shteti, shumica me njerëz të paftë e karrieristë, si u abuzua me lirinë, demokracinë dhe drejtësinë, me ekonominë dhe pronën private, me moralin dhe virtytet që morën arratinë, ku lufta për pushtet u bë kryefjalë e korrupsioni u pëhap si epidemi; të pasuruarit me punë të pista bëjnë jetë përrallore, ndërsa shtresa e varfëra dhe të mjeruarit, zvarritet me rrasën e varrit mbi shpinë, e të tjera e të tjera. – këto e zhgënjyen shkrimtarin…
*** Pena e tij e idhtë shënoi në letrën e bardhë dukuritë më të shëmtuara të jetës. Pasqyrimi padorashka i realitetit, lakuriq, është akuzues, satirizues e provokativ; komikja, dramatikja dhe tragjikja i përshkojnë tejembanë veprat e tij duke përcjellë mesazhe për ndryshimin e filozofisë së qeverisjes, jo si rrotacion, por si sistem ku të drejtojë meritokracia dhe jo shkërdhatokracia.
*** Ky guxim buron nga dashuria e madhe që ka për kosovarët dhe Kosovën, të cilët nuk e meritojnë qeverisjen me drejtuesit karrieristë, ku nepotizmi, miqësitë e klanet e kanë poshtëruar lirinë, demokracinë dhe kanë penguar zhvillimin dinamik dhe progresin që pritej, e të tjera e të tjera.
11
Theksoj se autori duke përshkruar e rrëfyen ngjarje trondoitëse e bëma personazhesh komikë e groteskë, e bën lexuesin ta urrejë të keqen dhe personazhet negativë bartës të saj, çka do të thotë se i refuzon ato. Kjo sipas meje është vlera më e rendësishmë mesazhore.
*** Parë nga ko optikë veprat e shkrimtarit Agim Gjakova përcjellin mesazhe provokative: godit e shkatërro të keqen për të rindërtuar më të mirën, ku filozofia e ndryshimit lexohet në shtresat dhe nënshtresat polisemantike të tekstit letrar e në të njejtën kohë është thirrje për liri, demokraci dhe drejtësi të vërtetë.
Komentet