Që në fillim të fjalës së tij në krah të kryeministres italiane Giorgia Meloni, kryeministri shqiptar Edi Rama zbrazi një lumë akuzash për të përditshmen e njohur italiane “Domani” për të cilën tha me ironi se flet për “të nesërmen”. Rama e akuzoi atë se ka thënë gjysmë të vërteta për qendrat e emigrantëve dhe si dhe për krimin shqiptar.
“Një mirëseardhje të ngrohtë për të gjithë dhe veçanërisht për gazetarët italianë. Më lejoni të shpreh lehtësimin dhe kënaqësinë time që t’ju shoh të gjithëve këtu shëndoshë e mirë në këtë zonë që sipas një gazete italiane e cila merret me të nesërmen, zemra, thelbi i kriminalitetit shqiptar është vendi ku veprojnë klanet të cilat lidhen me trafikun e qenieve njerëzore” – tha Rama.
Të gjithë shihnin njëri – tjetrin duke pyetur: “Për çfarë po flet ky?” Ajo që kishte acaruar kryeministrin shqiptar u zbulua më pas dhe bëhej fjalë për një shkrim të botuar në 1 qershor me titullin: “Qendrat e emigrantëve në Shqipëri u ngritën në bastionin e klaneve kriminale”. Në shkrimin e gjatë gazetarët Marika Ikonomu dhe Giovanni Tizian kishin vizituar fillimisht SPAK-un të cilin e krahasonin me prokurorinë anti-mafia të Giovanni Falcone. Aty kanë takuar edhe prokuroren Elida Kaçkini.
“Zona ku po ngrihen qendrat bën pjesë në bashkinë Lezhë. Kjo është një zonë ku krimi i organizuar lulëzon. Kjo konfirmohet nga operacionet e fundit të SPAK në zonë. Një prokuror tjetër i kësaj “super-prokurorie” ka hetuar aferat e grupeve të ndryshme aktive në bashkinë ku po punohet për qendrat e emigrantëve. Një deklaratë publike e Spak ka plot detaje për plane të keqbërjes dhe korrupsionit, trafikut të drogës dhe vrasjeve.
Janë sekuestruar mbi 2 milionë euro cash dhe mes të hetuarve gjendet edhe drejtori i policisë vendore të Lezhës, shefi i narkotikëve të po kësaj zyre dhe ish-deputeti Arben Ndoka, i akuzuar për planifikimin e kryerjes së një vrasjeje. Ndoka është i lidhur me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, aq sa pas arrestimit të tij opozita akuzoi kryeministrin me fjalë shumë të ashpra.
Ndër bizneset më të begata për krimin e organizuar shqiptar edhe në ato zona, jo shumë larg kufirit me Malin e Zi dhe Kosovën, është trafikimi i qenieve njerëzore” – thuhet në shkrimin e “Domani”, cituar nga lapsi.al, që flet më pas edhe për hetimet mbi disa kompani që bashkëpunonin për trafikimin në BE të punëtorëve nga Bangladeshi.
Dhe Ramës, mesa duket ky shkrim i kishte prishur humorin. Në deklaratën e tij nuk e kurseu ironinë, por edhe akuzën.
“Më duhet t’ju rrëfej që e kemi marrë shumë seriozisht këtë “zbulim” shqetësues dhe meqenëse gazeta e të nesërmes thoshte edhe që Prokuroria po merret me zbulimin e këtyre klaneve, do të thotë që po merremi së bashku me Prokurorinë e posaçme për krimet e rënda dhe na siguruan që ky klan nuk ekziston as në këtë zonë dhe as në vende apo në zona të tjera të Shqipërisë, ku sigurisht, veprojnë grupe kriminaliteti, por sipas prokurorisë së posaçme, e cila është pjesë e rrjetit Eurojust, nuk ekzistojnë premisat për të folur për një mafie shqiptare, një koncept ky mjaft i përdorur kohët e fundit për të hedhur baltë mbi Shqipërinë, por duke cituar kreun e Prokurorisë së Posaçme shumë të nderuar, nuk mund të themi që në këtë vend ekzistojnë struktura, të cilat u ngjajnë organizatave mafioze të llojit Cosa Nostra, Ndragheta, Camorrra apo Sacra Corona Unita sepse grupet kriminale shqiptare nuk kanë hierarki të tyre dhe veprojnë në rrethe të ngushta familjare apo shoqërore” – tha Rama.
Nuk ka vonuar as përgjigja e “Domani” pas konferencës për shtyp. Në një editorial të gazetarit Giovanni Tizian thuhet që në titull se “Rama po gënjen duke shkuar deri në surrealizëm kur mohon ekzistencën e mafies në vendin e tij”, citon lapsi.al.
“Porti i Shëngjinit u shndërrua në skenën e një farse me kryeministren Giorgia Meloni dhe kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Dy kampionë në artin e viktimizimit, ata kërkojnë armiq kudo për të shmangur problemet reale. Meloni është i shqetësuar për zgjedhjet e ardhshme evropiane. Konfirmimi është udhëtimi i kotë, një reklamë elektorale, në gjykatën e socialistit Rama për të ritheksuar se qendrat do të ndërtohen, pavarësisht vonesave, kritikave dhe atyre gazetarëve që vazhdojnë të ndërhyjnë në çështjen ku do të shpenzohen 1 miliard euro” – thuhet në shkrim që vizitës së Melonit i ka vënë moton “Për një grusht vota” të cilën e akuzon edhe “për heshtjen përballë monologut të Ramës, i cili sulmoi gazetën tonë, shërbimin publik (Report) dhe shkon deri në surrealizëm duke mohuar ekzistencën e mafies në vendin e tij. Nëse nuk do të kishte ndodhur vërtet, mund të dukej si komploti i një filmi fantastiko-shkencor”.
“Rama akuzoi “Domani” se i ka dhënë një imazh “mafioz” të Shqipërisë. Faji ynë është që kemi publikuar një raport me titull “Qendrat e emigrantëve në bastionin e klaneve”. Sipas Ramës “nuk ka mafia” dhe koncepti shërben vetëm “për të hedhur baltë”. Madje, ai arrin deri aty sa jep analizën e tij për fenomenin mafioz në përgjithësi: “Grupet kriminale shqiptare nuk janë mafioze, sepse nuk kanë një strukturë nga lart-poshtë, por horizontale”. E tha vërtet. Por është një gënjeshtër.
Aleatët më të mirë të “grupeve shqiptare” janë klanet ‘Ndrangheta dhe Camorra, të cilat kanë një strukturë horizontale. Në Itali ka edhe procese që vërtetojnë aleancën mafioze mes klaneve shqiptare, kalabreze dhe kampaniane. Një treshe që së bashku menaxhon më shumë se gjysmën e trafikut të kokainës që hyn në Evropë. Ata kanë kontakte të drejtpërdrejta me kartelet kolumbiane dhe meksikane. Në Holandë ata kanë hyrë në një sipërmarrje të vërtetë të përbashkët për të shfrytëzuar sa më shumë portin e Roterdamit. Madje Rama shkon deri aty sa thotë se ka folur me superprokuren e Tiranës dhe se prokurorja autoritare i ka konfirmuar shpjegimet e tij.
Nuk e dimë përmbajtjen e dialogut mes prokurores dhe kryeministrit, por është kurioze që një kryeministër të sjellë zyrën që në fund të majit kreu një hetim delikat në bashkinë e Lezhës. Një rrëfim për këtë investigim e kemi dhënë në artikullin e publikuar dhe kontestuar nga Rama.
Lezha është bashkia në të cilën do të vendosen qendrat italiane të migracionit. Lista e krimeve të dyshuara ndaj të arrestuarve janë: vrasje, tentativë vrasje, korrupsion, shpërdorim detyre, trafik migrantësh, rrahje, lojëra të fatit, bixhoz, kërcënime. Të përfshirë në këtë operacion kompleks të prokurorisë gjejmë policë nga Lezha, drejtues klanesh dhe një politikan, ish-deputetin socialist Arben Ndoka, i akuzuar gjithashtu se ka dhënë informacione për të kryer një vrasje. Ndoka konsiderohet shumë i afërt me rrethin e kryeministrit. Dhe ndoshta ishte përmendja e këtij emri që e mërziti më shumë partnerin e ri politik të Melonit?
Gënjeshtrat e Ramës për mafian të kujtojnë ato të politikanëve sicilianë demokristiane që bërtisnin “po çfarë mafie”. E bënin për të fshehur ekzistencën e një fuqie kriminale që po gllabëronte vendin. Ishte sistemi i portretizuar nga Leonardo Sciascia në “Dita e Bufit”. Një epokë e largët. Ndoshta jo për Shqipërinë” – e mbyll Domani./LAPSI