Thonë se gjenitë nuk kanë vdekje, po kanë dhe ata një fund. Është pak, fare pak ajo që mbetet nga fundi i tyre, ndërkohë që jeton në përjetësi vepra që lanë pas. Rasti i Mentor Xhemalit, “gjenerali i këngës”, siç njihej ndryshe, ka të veçantën e vet. Nuk ka lënë ai vepra të dukshme, por ka lënë një univers me këngë, të bukura e unikale në llojin e vet.
Ka lënë hymne e shpërthime muzikore me kreshpa njëra më e lartë se tjetra, ku vezullon ndër to kryehimni “Për ty Atdhe”, ritmi i të cilit të bën të ndjehesh krenar për dheun e të parëve dhe bukuritë e pashoqe të Atdheut. Mentori i madh që shkëlqeu me artin e tij, jo vetëm në skenat shqipare po në mbarë botën, është pak t’i thuash gjeni në fushën e muzikës. Ndërkaq, është pak të thuash sa i thjeshtë, sikundër shfaqej, madje deri në naivitet. Ai u fut në rrugën e këngës nga rreshtat partizane, ku zëri i sprovuar me lirikat e buzë-Vjosës, do merrte trajtën e marrsheve kumbuese.
E pak nga pak mandej do merrte udhën e artistit profesionist që do rritej dita ditës duke befasuar me shpërthimin e zërit jo vetëm mjeshtërit e mëdhenj të muzikës shqiptare, po dhe korifejtë e artit muzikor europian. Ka mbetur në fondin e art të muzikës shqiptare arti I tij I patjetërsueshëm, po pak fare pak kanë dijeni brezat e sotëm për jetën e tij, për atë që shpërfaqte në përditshmeri si koleg, qytetar, shok, prind, njeri. Atë për të cilën ai nuk merakosej fort. Se nuk ishte gjeniu si te kënga, por i zakonshmi, i urti, i thjeshti, i dashuri si fëmijë.
Ai djali i Përmetit që e merr malli për qytetin, për një gotë raki me miqtë buzë Vjosës, që refuzoi dikur dashurinë e vajzës së gjeneralit rus dhe ofertën e Konservatorit të Vjenës për tu punësuar aty. Dhe nuk u pendua asnjëherë për mënyrën si e organizoi jetën, paçka se kaloi jo pak vështirësi e andralla. Diçka përtej asaj që dihet tashmë për mjeshtrin e madh, rrëfen për gazetën “Panorama” Maksi Xhemali, i biri, i vetmi nga familjarët që ka trashëguar pasionin e tij për këngën. Gjatë një bisede te “Kafe Pata”, e preferuara e dikurshme e Mentor Xhemalit, mikut të pronarit, ish-basketbollist i shquar, ai na tregoi histori e episode të shumta nga jeta dhe vepra e gjeniut të famshëm….
Zoti Maksi, çfarë shkolle ka bërë Mentor Xhemali për muzikën në rininë e tij para se të shkonte në Koservatorin “Çajkovski” në Moskë?
Mentor Xhemali ka pasur vetëm tri klasë shkollë para se të shkonte në Konservatorin e Moskës. Ai qysh fëmijë, akoma pa mbushur 16 vjeç ka punuar hamall në portin e Sarandës. Aty ka kënduar për herë të parë me shokët e punës. Pastaj, shkoi partizan në çetën “Koto Hoxhi” e më vonë në Brigadën e VI sulmuse. Luftoi betejë më betejë, madje deri në Vishegrad të Jugosllavisë. Këngët partizane i mësoi e këndoi qysh në vitet e luftës. Dhe ato i kishte fort për zemër deri sa vdiq, sidomos atë të Grykës së Mezhgoranit që bënte fjalë për Asim Zenelin. Shumkush nga bashkëkohësit e njihte si interpretuesin më të mirë të këngëve partizane…
Pastaj, iu bashkua trupave profesionale të këngës…
Në fakt, ai ka qënë një zgjedhja e mjeshtrit Gaqo Avrazi që ia kishte vënë syrin që në vitet e luftës dhe menjëherë pas çlirimit e ftoi për ta bërë pjesë të asamblit të ushtrisë. Aty e nisi artin profesionist. Ai ishte nga të parët që shkoi për tu shkolluar jashtë shtetit. Shkoi në akademitë më prestigjoze të kohës me bagazhin e këngëve të luftës dhe zërin bubullimë që ia vlersonin shumë profesorët e huaj. Vetëm kur më pyesin për shkollën, kujtonte Mentori, ndjehesha keq…
Kur u kthye nga studimet që kreu jashtë shtetit dhe ku vazhdoi më tej?
Nga studimet në Moskë u kthye në fillim të viteve ’50 dhe fill që aty në Teatrin e Operës dhe Baletit ku shërbeu me pasion e përkushtim deri në vitin 1980. Ka qënë një nga basët më të mirë të trupës. Një këngëtar lirik me një zë të veçantë. Kolegët e donin dhe e vlerësonin shumë. E donin sakaq dhe dashamirësit e këngës dhe artit. Megjithëatë dashuria e parë e tij mbetej grupi i këngëtarëve të Përmetit me Laver Bariun në krye. Tek ata e kishte shpirtin dhe herë pas herë kthehej atje për t’ia marrë këngës si ngaherë e për të konsumuar dhe një gotë raki…
Ka qënë një periudhë kur Mentor Xhemalin e ndaluan të dilte në skenë. Thonë për çështje politike, për zbutje të luftës së klasave. Së paku, kështu flitej atëherë nën zë midis kolegëve…
Mentor Xhemali nuk kishte lidhje me politikën, nuk dinte ai të merrej me të tilla gjëra që mbanin erë politikë. Gjithçka për të fillonte e mbaronte te kënga. Asaj i ishte dhënë shpirtërisht dhe ndjehej i lumtur. Llafet, komentet, ankesat, për të ishin të padobishme. Që nga koha e partizanllëkut Mentori runate të njëjën linjë, të njëtën vendosmëri e dashuri për atdheun. A kishte dhe ai gjëra që stononin? Patjetër që kishte. Raportin me rakinë, bie fjala ia quanin një lloj vesi. Punonte, lodhej, djersinte dhe e kërkonte në fund një dopio.
E kërkonte dhe e shijonte me shok e miq të mirë. Shpesh, shkonte e takohej në Përmet me Ylli Zeqirin e Laver Bariun dhe aty buzë Vjosës bëhej çakërqejf me ta. I kishte shok të hershëm e nuk u nda kurrë me ta. Kishte qëlluar që dhe kur kthehej nga Parisi do shkonte patjetër tek ata e do t’i kthejej zakonit të vjetër me gotën e rakisë. Kishte raste patjetër që edhe e tepronte.
Ndoshta kur e tepronte me pijen, i shpëtonte dhe ndonjë fjalë e padëshiruar për kohën…
Ka pasur dhe raste të tilla, por pa qeder ama. Jam Mentori, thoshte në kësi rastesh dhe mos ma vini re dhe po më shpëtoi ndonjë fjalë e tepërt…
Ndoshta i ka shpëtuar ndonjë fjalë kundër regjimit, prandaj e kanë ndaluar atëherë të dilte në skenë….
Nuk ishte fjalë e pamenduar, po tjetër gjë. Është një histori e harruar tashmë që ka ndodhur shumë vite më parë. Ka qënë një lloj ndëshkimi i pakomunikuar. Po e vërteta është se për gjashtë muaj Mentor Xhemali nuk e pa skenën me sy. Ai e kujtonte si periudhën më të rëndë të jetës së tij. Se nuk ishte e lehtë për të. Pa këngën e skenën ai nuk e konceptonte jetën. Në thelb në thelb, e patën ndaluar të delte në skenë se kishte qënë në një lloj gostie në Këlcyrë te një familje me biografi të keqe. E kjo për kohën ishte zbutje e luftës së klasave…
Pra, e morën në qafë ballistët…
Nuk mund ta them tamam kështu. Po gostia me ta, krejt e rastit u bë shkak që ai të shpallej i padëshirueshëm për Partinë për një farë kohe.
Vetëm për një farë kohe, po si u rehabilitua?
Rehabilitimi erdhi direkt nga Enver Hoxha, që thoshnin se ishte një nga fansat më të mëdhenj të këngëve të tij.
Me urdhër të Enverit…
Ta tregoj si ka qënë puna e ndëshkimit një herë. Nuk e di me çfarë rasti Mentori kishte shkuar në Këlcyrë, se shkonte shpesh atëherë. Aty, miku i tij Ylli Zeqiri i kishte thënë se i kishte ftuar në gosti një i njohur i hershëm në fashtin buzë Vjosës dhe Mentori nuk e kishte bërë dysh fjalën. Dhe shkuan. I zoti i shtëpisë kishte qënë një nga eksponentët e ballit në zonë. Një emër i dëgjuar, po dhe një burrë zotni. E gjetën shtruar dhe filluan nga avazi me ato këngët e njohura përmetare. Prania e tyre e ndezi keqazi gostinë. Ç’të të them.
Këngë e valle deri në të gdhirë. Të nesërmen pastaj, dikush u kujtua dhe nxitoi të raportojë se Mentor Xhemali, i besuari i Partisë ishte bërë njësh me familjen e ballistit të njohur. Dhe fjala shkoi rrufe sa nga Komiteti i Partisë së Përmetit në aparatin e Komitetit Qëndror. Nuk e di çfarë është shkruar konkretisht në ato relacione, por di që menjëherë pas tyre Mentor Xhemalin e ndaluan të dilte në skenë. Mbaj mend që u bë keq fare atëherë, aq sa nuk mund të flisje me të.
Sidoqoftë, publikut nuk i ra në sy mungesa e Mentorit në skenë…
Nuk i ra në sy publikut, po i ra në sy Enverit. Megjithëse koha e ndalimit nuk zgjati më shumë se gjashtë muaj. Enveri që thoshnin se punonte ne zyrë me këngën e Mentorit, kërkoi ta sqaronin pse nuk dilte në skenë. Nuk e di si ja shpjeguan, por me sa mësouam më vonë ndëshkimi i tij i ishte dukur një marrëzi. Ka kënduar me ballistët i kishin thënë. E po pastaj, kishte ndërhyrë Enveri. Ka zbutur luftën e klasave, e kishin sqaruar më tej. Po çfarë e lidh Merntorin e shkretë me luftën e klasave, kishte thënë në fund Enveri dhe kishte urdhëruar ta shikonte në skenë me patjetër. Kishte urdhëruar këtë dhe kishte porositur sekretarin për ta shoqëruar te shtëpia jonë…
Pas gjithë kësaj Enveri erdhi në shtëpinë tuaj dhe bisedoi me Mentorin?
Ka qënë diçka befasuese. Atëherë rrinim në një shpëpi përdhese afër shkollës së Kuqe. Në darkë erdhën ata të Komitetit të Partisë së Tiranës dhe na njoftuan se të nesërmen do vinte shoku Enver. Vet shoku Enver? Reagoi aty për aty Mentori. Po, po, shpejguan ata duke porositur të rregullonim shtëpinë. Ja me këto që kemi biro, tha nëna. Si folën kaq ikën për t’u kthyer të nesërmen qysh herët. Kishin sjellë me vete ca karrike e një tavolinë dhe nuk më kujteohet diçka tjetër. Fill më vonë erdhi Enveri me Nexhmijen. Po ku je Mentor Xhemali, iu drejtua Enveri sa hyri. Bujrum shoku Enver, i tha Mentori duke e drejtuar nga tavolina që kishim vendosur në mes të kuzhinës.
Dhe filloi një bisedë e shtruar. Më thanë se kishte kënduar me ballistët e Këlcyrës, iu drejtua me shpoti Enveri. Ndodhi, ndodhi ajo shoku Enver, ashtu erdhën punët, u mundua të jusfifikohej Mentori. Po si kështu o Mentor, këndove me ata që bëre pushkë gjatë luftës, shtoi Enveri, duke i kujtuar faktin që kishte qënë partizan i Brigadës së VI dhe anëtar Partie. Iku tashmë, ia preu Mentori, nuk do ndodhë më. Ashtu pra, ta ruajmë Partinë dhe idealin, shtoi Enveri dhe aty për aty mori në duar motrën që vinte vërdallë nëpër shtëpi pa e njohur mysafirin…
Foli gjatë Enveri në atë bisedë për gostinë me ballistët në Këlcyrë?
Foli gjatë po me shaka më shumë se me qortime. Ndërkohë, Mentori mundohej t’i sqaronte rethanat në të cilat ishte ndodhur në atë gosti të gabuar. Prapëseprapë mund ta evitoje, i tha Enveri. E mo se nuk ishte ndonjë gabim i madh, i tha një çast me guxim Mentori dhe aty për aty, vazhdoi me një lloj humori. Gabimi është gabim, sqaroi Enveri. Sidoqoftë, jo ndonjë gabim i madh, tha Mentori.
Gosti ishte, pa politikë, me këngë e valle. Unë këndoja për Partinë, për partizanët e Asim Zenelin, ata këndonin për Ali Këlcyrën. Nuk u bashkuam kurrë në këngë, sikundër dhe në luftë. Ja ashtu, thuaj, ia bëri Enveri dhe si ndenji dhe pak u çua duke i kujtuar se të nesërmen duhej të shkonte me patjetër në Teatrin e Operës.
Me një fjalë, pa ndërhyrjen e Enverit Mentor Xhemali do mbetej jashtë skenës dhe një këngëtar I harruar.
Unë tregoj atë që kam parë e dëgjuar vet, por çfarë kanë ndodhur në ato zyrat e kopetentëve nuk i mësova asnjëherë. Fakt është që Mentori që të nesërmen e kësaj vizite u paraqit te Teatri i Operës. Aty e pritën sikur nuk kishte ndodhur gjë. Po dhe Mentori nuk pyeti më gjatë po e nisi aty ku e kishte lënë. Pikërisht në atë periudhë realizoi dhe të famshëm këngë “Për ty Atdhe”, që shpërtheu anë e kënd si një himn madhështor…
Ndërkohë, zyrtarisht nuk ia vunë më në dukje atë gostinë e Këlcyrës…
E kush t’ia vinte në dukje kur e kishte mbyllur i Madhi. Iku ajo u harrua. Nuk e zgjati më njeri historinë e saj…
A kishte privilegje Mentor Xhemali si “Artist i Popullit”?
Nuk e di për çfarë privilegjesh bëhet fjalë, por di të them që ai jetonte si njeri i zakonshëm në një shtëpi përdhese afër “Shkollës së Kuqe” që dhe atë na i hoqën pas viteve ’90 se i doli pronari. Bënte jetë normale me rrogën që kishte. I vetmi shpenzim eksta që kishte ishte gota e rakisë që konsumote me shokë e me miq…
BIOGRAFIA/ Kush ishte Mentor Xhemali
I rritur me këngët e dasmave anës Vjosës që i vogël, Mentor Xhemali i ditëlindjes 1924, u bë i njohur qysh mbas mbarimit të luftës me zërin e tij të rrallë në Asamblin e Ushtrisë, ku spikati për talentin e spikatur si bas dhe këngëtar lirik dhe mjeshtër i baladave. Ishte “Artisti i Popullit”, Gaqo Avrazi, që e kishte përzgjedhur qysh në rreshtat partiane dhe e mbështeti fuqimisht për ta barë artist profesionist. Në vitin 1952, shkoi për të kryer studimet e larta në Konservatorin P.I.
Çajkovski në degën e kantos. Aty u njoh dhe miqësua me basin bullgar me famë botërore Nikolla Georev. Rikthimi në atdhe pas diplomimit pasoi me fillimin e punës si korist në korin e operas në Tiranë, për të vijuar pak më vonë në profesionin e tij, atë të solistit të parë si këngetar klasik në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku shkëlqeu si një bas bariton shpërthyes dhe emocionues, një zë brilant i dashur për të gjithë. Pastaj, shpërtheu nëpër skena me madhështinë dhe interprentimet e tij mbresëlënëse.
Në arkivin e Operës kanë mbetur veprat e Xhemalit, njëra më e mirë nga tjetra duke filluar nga “Nusja e shitur”, “Traviata”, “Jolanda”, rolin te “Berberi i Seviljes” etj. Sakaq, ai ka prefomuar si rrallkush në koncerte jashtë vendit, duke filluar me ish-Jugosllavinë më 1947, ish-Bashkimin Sovjetik 1949, Poloni 1955, Gjermani, Çeki, Hungari, Bullgari 1959, Austri 1960, Finlandë 1963, Kinë 1963, Kubë 1965, Turqi, 1967, Austri, Finlandë dhe Poloni. Në këto koncerte ka marrë disa çmime dinjitoze. Ai do mbetet një nga figurat më të shquara të artit vokal, një nga baset më të mëdhenj, një emër i nderuar i artit dhe muzikës shqiptare. Momentale në repertorin e tij ka qënë kënga himn “Për ty Atdhe”. Ka marrë një sërë dekoratash dhe titullin “Artist i Popullit”. Ndërkohë, është nderuar me titullin “Nder i kombit”. Vdiq në vitin 1992 në Tiranë.