Në futbollin grek mund të kishte ndodhur një nga tragjeditë më të mëdha në fushë. Presidenti i PAOK ka hyrë në fushë i armatosur dhe ka tentuar të godasë gjyqtarin kryesor të ndeshjes kundër AEK.
Ai ka tërhequr më pas skuadrën nga fusha për shkak të një episodi shumë të çuditshëm gjatë përballjes mes dy skuadrave që luftojnë për titull.
Në minutën e 84-t të ndeshjes që luhej në Selanik, Varela shënoi me kokë golin e avantazhit për PAOK, por gjyqtari, pas sinjalizimit të vijërojtësit, e anuloi duke menduar se Maurizio kishte penguar portierin.
Protestave të lojtarëve në fushë iu shtuan edhe ato të presidentit të klubit, Ivan Savidis, i cili zbriti nga tribuna dhe hyri në fushë, me pistoletë në brez, duke u thënë lojtarëve që të linin ndeshjen, edhe pse ata refuzuan fillimisht.
Më pas, bashkë me drejtorin teknik, Ljubos Mishel, kërcënoi gjyqtarin e ndeshjes dhe u desh ndërhyrja e forcave të sigurisë për ta larguar nga fusha e lojës mes një kaosi të pabesueshëm.
Ky episod duket se do t’i kushtojë shumë shtrenjtë PAOK, që dukej se po shkonte drejt titullit kampion, por nëse ndëshkohet përsëri nga federata greke, do të përfundojë kampionatin larg kreut të renditjes.
Komentet