“Shkolla e mendimit shqiptar” e viteve ‘20-30, siç e ka quajtur Ismail Kadareja, akoma dhe sot nuk është njohur në thellësinë e saj, dhe as është studiuar e as është vlerësuar siç duhet, e kjo ka ndodhur për faj të atyre që kontrollojnë sot Akademinë e Shkencave dhe departamentet përkatëse universitare, të cilët i tremben krahasimit me titanët shqiptarë të mendimit të asaj kohe. I vetmi që nuk i trembet asnjë lloj krahasimi, Ismail Kadare, ka dhënë një vlerësim me superlativa të merituara për shkollën e mendimit shqiptar të asaj kohe, te libri i tij “Mosmarrëveshja: Shqipëria përballë vetvetes”, asaj që e quan “shkolla e mendimit shqiptar” të asaj kohe:
Në vitet ‛20 dhe ‛30, shkolla e mendimit shqiptar ziente nga duhmat aq të njohura shqiptare, megjithatë apostujt nuk u prekën. Ishte koha e zhdehjes, përndryshe koha e mendimit kritik, pikërisht atij mendimi që rilindësit ishin përpjekur gjithsesi ta shmangnin për të mos ligështuar shqiptarët. Përherë e më shpesh, krahas shprehjeve tradicionale: Shqipëri epike ose krenare, përdorej shprehja e re: Shqipëria mendonjëse, thënë ndryshe, Shqipëria që “vret mendjen”, fjalëformimin që mund të ngjante i çuditshëm, por që dëshmonte edhe një herë saktë marrëdhëniet jo fort miqësore të shqiptarit me mendjen e vet. Të kësaj kohe ishin rryma të ndryshme të mendimit politiko-filozofik, ndër të cilat shquhej neo-shqiptarizma e Branko Merxhanit. Shumica e tyre përputheshin tek ideja se pas përndezjes së fisme të rilindësve kishte ardhur koha e gjakftohtësisë dhe kryesorja, e gjykimit kritik të vetvetes. Autoritete të shquara të kohës, si Faik Konica, Zef Valentini, Mithat Frashëri, Mehdi Frashëri, Gjergj Fishta, Mustafa Kruja, Migjeni, Krist Maloki e të tjerë, trajtonin çështje të papara ndonjëherë në klubin shqiptar të mendimit.
Ne akoma nuk jemi të vetëdijshëm se sa shumë i detyrohemi shkollës së mendimit shqiptar të viteve ‘20-30. Një nga arritjet më madhore të kësaj shkolle ishte se ajo krijoi lexuesin modern shqiptar. Njerëzit si Branko Merxhani e dinin se përveç këtij lloji të ri të mendimit shqiptar që ishin duke krijuar, duhet të krijonin edhe vetë lexuesin e tij. Çfarë vlere do të kishte që të trajtoheshin në shtyp temat e mëdha të mendimit shqiptar, ku lexuesi nuk njihte konceptet bazë? Dhe kështu dalëngadalë, në faqet e gazetave dhe revistave të asaj kohe, ndodhi një çudi që erdhi dhe u krijua një lexues sui generis, i ngjashëm me një auditor të madh universitar, në kohën që vendit i mungonte një universitet ku të studiohej, filozofia, sociologjia, antropologjia, psikologjia etj. Ky lexues kishte një etje të madhe për të mësuar. Ai ishte i ngjashëm me turmën e dëgjuesve që ndiqte debatet e filozofëve në agorën e Greqisë së Lashtë. Ishte një lexues që u stërvit me durim nga mendimtarët shqiptarë të kohës. Këta mendimtarë të mëdhenj shqiptarë përbënin elitën intelektuale të kohës. Duke e kuptuar se do të ishin zëra në shkretëtirë në qoftë se nuk do të kishin një shtresë lexuesish të kualifikuar dhe entuziastë që të njihej me tezat e tyre, atëherë e gjithë puna e tyre do të shkonte kot, ata punuan me durim për ta krijuar këtë lloj lexuesi, duke ia nisur që nga mësimi i “abetares” që ishin konceptet bazë që përdornin ata. Nëpërmjet këtij lexuesi pastaj mendimtarët e mëdhenj shqiptarë të kohës shpresonin që të ndikonin në turmat e shqiptarëve indirekt, pasi e dinin se këta lexues entuziastë që ishin formuar me idetë e tyre do të bëheshin propagandistët e tyre nëpër kafenetë shqiptare, të cilat mund të përdoreshin edhe për mirë, varësisht ideve që qarkullonin në to.
Shoqëria shqiptare kishte nevojë të mësonte disa njohuri bazë, duke nisur me atë se çfarë ishte kultura e një shoqërie, filozofia e saj, mendimi. Shqiptarët të cilët sapo kishin kaluar së paku në letër në një shoqëri bashkëkohore europiane, ku me ligj tanimë ishin individë qytetarë dhe jo më fisnorë, duhet të mësonin se tanimë ata ishin pjesë e një bashkësie më të madhe se familja, fisi, bajraku, katundi, krahina, që quhej “shoqëri”. Duhet të mësonin se kishte edhe një shkencë që e studionte shoqërinë dhe quhej “sociologji”. Merxhani përpiqej që këto fakte të njohura për njeriun perëndimor, t’ ia shpjegonte thjesht lexuesit shqiptar të gazetave, në gjuhën që ai e kuptonte. Për këtë qëllim, Merxhani do të shkruante në 1929:
“Një vend, siç ka emrin e vetë, shtëpinë e vetë, karakterin e vetë, ashtu ka edhe sociologjin e tij të veçantë.”
Në kohën që Merxhani shkruante kështu, një tjetër mendimtar i Shqipërisë së kohës, At Zef Valentini, bënte të njëjtën gjë, duke iu mësuar lexuesve shqiptarë konceptet bazë për të qenë pjesëmarrës në debatin e Mendimit Shqiptar. Në një artikull me titull “Kulturë-intelektualitet-diplomë- kulltuk”, të botuar te revista “LEKA” në 1936 At Zef Valentini shkruante me germa kapitale, duke dashur që t’ua gdhendte në mendje shqiptarëve disa koncepte:
“Kulturë kemi kur, tue marrë filozofija gjithë të dhanunat e shqencavet e të fitimevet tjera të psyhes njerëzore, i ban systheme e ja pershtatë per drejtim e rregullim jetës njerëzore d.m.th. Intelektuale, morale e praktike”.
Kështu At Valentini iu thoshte shqiptarëve se një komb mund të ketë vërtet një kulturë vetëm kur ai ka ndërtuar filozofinë e tij, duke e sistemuar me anë të saj kulturën e krijuar prej tij deri në atë çast. Kultura kombëtare shqiptare duhet që domosdoshmërisht të ngrihet në nivelin e filozofisë kombëtare shqiptare, u thoshte shqiptarëve At Valentini, ndryshe kultura shqiptare do të mbetej një kulturë në një stad të ulët zhvillimi. Mendimtarët e mëdhenj shqiptarë të kohës, pa pasur të njëjtat pikëpamje, bënin megjithatë një punë komplementare në edukimin e lexuesit me konceptet bazë. Në 1936 Merxhani shkruante:
“Ka apo s’ ka një kulturë shqiptare? Kjo themë mund të japij një bazë shumë të pasur për punimin e një Sociologjie shqiptare. Duhet të na mbushet mendja se Sociologjia si dhe Psykologjia, që të marrin një formë shkëncore të vërtetë, duhet të zbatohen në çfaqje të gjalla të jetës s’ onë dhe të studiojnë bazat e Shqiptarismës, jo vetëm si një nga Kombet e ndryshme të botës, por si një fakt sociologjik dhe psykologjik të veçantë, që mbase s’ i ngjan as nji tjetri”.
Gjëra të tilla si këto që u thoshte Merxhani, publiku shqiptar nuk i kishte dëgjuar kurrë deri në atë kohë. Shqiptarët e kohës nuk kishin dëgjuar kurrë fjalë të tilla si “sociologji” dhe “psikologji” dhe nuk e dinin se ekzistonin shkenca të tilla. Konceptet që po fuste Merxhani në Mendimin Shqiptar, si ai i mësipërmi i shqiptarizmës që duhet studiuar si një fakt sociologjik dhe psikologjik ishin koncepte të filozofisë shqiptare, jo më thjesht të mendimit shqiptar. Arritja më e madhe e Merxhanit është ndoshta se nën shembullin e tij, edhe të tjerë mendimtarë, u angazhuan në shtyp për t’u mësuar shqiptarëve konceptet bazë. Në atë kohë shqiptarët që lexonin gazeta ndeshnin shumë fjalët “oksidental” dhe “oriental”, por kishin një kuptim të turbullt për to. Askush në shtypin shqiptar nuk e kishte sqaruar kuptimin e këtyre fjalëve kaq shumë të përdorura. I pari do të ishte Krist Maloki që i sqaroi hollësisht këto koncepte në një shkrim me titull “Oriental apo Okcidental”, që u bë i famshëm dhe vlen sot jo më pak se në atë kohë, kur është fjala për t’ua bërë të njohur shqiptarëve këto koncepte që kanë rëndësi të madhe edhe sot në mendimin shqiptar. Maloki veçanërisht u përqendrua në përshkrimin e orientalizmës shqiptare, të cilën e shihte si një plagë të madhe të shoqërisë shqiptare. Ai e përshkruante kështu atë:
“Orientalizma shqiptare asht padyshim një sistem mendimesh, ndjenjash edhe instinkesh, siç do sistem tjetër jeteset, me një botëkuptim dhe filozofi të tijën. Dhe si dallohet dhe veçansohet secila filozofi e secili botëkuptim nëpër disa pikëpamje karakteristike ashtu dallohet e karakterizohet edhe orientalizma shqiptare nëpër disa shprehje simptomatike e jetë filozofike. Si ma të parën karakteristikë t’ orientalit shqiptar duhet t’ marrim proverbin e çdo qelepirxhiu të pashpirt- (një bonmot mjerisht që asht ba bile fjalë popullore!):
Haja qenit, pija qenit
Edhe bjeri karadyzenit!
Orientali shqiptar i pret të gjitha të mirat për vete-qelepir- nga të tjerët; bota për të asht një burim i pashterrun mjetesh, qejfesh e lezetesh të cilët ai i shfrytëzon me çdo mënyrë e metodë, pa pyet se ku nget e ku vret. Detyrë të ndershme apo sakrifica vetmohuese karshi botës peranë s’ njef kurr jo, orientali shqiptar. Përkundrazi ushujza orientale, e pangijshme, i ngjitet trupit kolektiv dhe shoqnor dhe ja thith gjakun pa asnjë droje e skrupull. Dhe në vend që t’ u turpnonte për veprën shkatrrimtare të vetën, orientali shqiptar bahet edhe ma kryenalt, edhe ma kapadai, ma qejfli… dhe i bje karadyzenit”.
Nuk është problemi se në Shqipëri kemi thjesht njerëz orientalë, thoshte Maloki. Problemi është se orientalët shqiptarë kanë krijuar një traditë aq të fortë sa tani mund të flitet për orientalizmën shqiptare si një filozofi shoqërore e orientalëve shqiptarë, sipas përshkrimit që i ka bërë më lart Maloki. Orientali shqiptar ishte në politikë, në qeveri, në gjykata, në diplomaci, në polici, në shtyp, në shkolla, në bashki. Orientali shqiptar ishte deputet, ministër, ambasador, polic, gjykatës, gazetar, mësues, kryetar bashkie. Orientalët shqiptarë ishin me shumicë në të gjitha hallkat e administratës shqiptare. Orientali shqiptar ishte tregtar, dyqanxhi, ishte madje edhe intelektual me diplomë. Dhe të gjithë këta ishin të ushqyer me filozofinë e orientalizmës, të përmendur më lart, aq sa ajo ishte bërë mënyra e tyre e të menduarit. Në fakt, Orientalizma ishte e vetmja filozofi dominuese në Shqipërinë e kohës. Por, pak a shumë këtë lloj kritike ndaj orientalizmës shqiptare e kishin bërë edhe të tjerë para Malokit, duke nisur që nga Faik Konica, Çajupi, Fishta etj. E veçanta e Malokit dhe njëkohësisht merita e madhe e tij ishte se ai nuk e pa Orientalizmin shqiptar si të lidhur vetëm me pushtimin turk, por i gjeti rrënjët e saj edhe te e shkuara bizantine. Ai thoshte:
“Porse e vërteta na detyron edhe për një konstatim tjeter për kah orientalizma shqiptare! Asht një gabim i trash kur thohet shumë herë se orientalizma na ka ardhë sefte nga Azia, apo nëpër religjionin mohamedan, apo edhe nga poplli turk. Jo, kurrsesi, orientalizma e jonë ashtu një dhanti (=darovë) fatale e kristianizmit, me gjithë që e një kristianizmi euro-aziatik.
Po spjegohemi!
Në të VIII-in shekull- aty kah vjeti 740 mb. Kr., do me thanë 600 vjet para se me shkelë Turku n’ Atdheun tonë- u ba Shqipnia provincë e Bizantit, nen Leonin III., të quejtun Isaurios. Dhe nga ky despot i mnershëm u ngushtuen të gjithë shqiptarët me u nda nga kisha romake (=okcidentale) e me u fundos ner labirinthet e errëta të kishës bizantine (=orientale) s’ atëhershme. Por s’ ishte aq fort ndamja (skizma) kishtare sesa njaj shpirt i administratës bizantine, plot angth e myk, që u pllakos si një shpirtër e zezë, si një hije murtaje mbi mbarë kombin shqiptar.
Se shka don me thanë “shpiritë bizantine” e di pothuej secili që ka këndue ndopak ner fletët e historisë së kulturës dhe në literaturën kulturë filozofike. Na këtu po mjaftohemi tuj përmendë vetem se bizantizmi historik asht po njëlloj me orientalizmën shqiptare që u përshkrue ma nalt”.
Teza e Malokit nuk kishte të bënte vetëm me faktin e përmendur prej tij se osmanët kishin huazuar shumë, në mënyrë të gjithanshme, nga Bizanti kur e pushtuan atë, prandaj orientalizma shqiptare ishte një orientalizmë turko-bizantine. Maloki ishte mendimtari i parë shqiptar, i cili tërhoqi vëmendjen për të këqijat në formimin e shqiptarit në periudhën paraturke, atë bizantine. Në fragmentin e mësipërm të shkrimit të Malokit, ku ai analizon rrënjët e orientalizmës shqiptare, si të ardhur që nga koha bizantine, kemi një nga ato tekste ku mendimi shqiptar bën kapërcimin duke u ngritur në nivelin e filozofisë shqiptare. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për një fragment tjetër të këtij artikulli të Malokit kur ai shpall se lufta e së ardhmes në shoqërinë shqiptare ka për të qenë ajo mes oksidentalizmës shqiptare kundër orientalizmës shqiptare. Në fjalët e mëposhtme Maloki shkroi moton e Mendimit Shqiptar të kohës së tij dhe të së ardhmes, shinat në të cilat duhej të formohej mendimi filozofik shqiptar në të ardhmen:
“Por lufta, ma e rrepta që e pret djalërin shqiptare asht ante portas! Kjo luftë dallohet nga të tjerat nëpër drejtimin e saj kundrejt një anmiku të padukshëm, por aq ma të rrezikshëm për qindresën e saj e për shpëtimin e kombit. Lufta e ardhshme asht luftë e djalërisë shqiptare kundra anmikut në zemër të vet, asht luftë mendsie krijuese kundra një mendsie destruktive, asht luftë botëkuptimi drite kundra një botëkuptimi errësinë, asht Lufta e Oksidentalizmës shqiptare kundra Orientalizmës shqiptare…
Dy fronte anmiqësore e shkyjnë sot zemrën e Kombit tonë. Asht mirë që t’ i rrëfejmë djalërisë shqiptare se ku gjinden shatoret e llogoret e saj”.
Këto kanë mbetur dy frontet kryesore në shoqërinë shqiptare dhe në mendimin shqiptar edhe sot e kësaj dite. Pionierët e mendimit shqiptar ndeshnin në pengesa nga më të paimagjinueshmet sot. Shumë bashkëkombës të cilët e mbanin veten për njerëz të shkolluar, njohës të gjuhëve të huaja perëndimore, e shikonin me dyshim punën e tyre dhe u thoshin se ky ishte një mundim prej Sizifi pasi shqipja ishte një gjuhë e papërshtatshme për të shprehur mendime të larta. Faik Konica, i cili i ka damkosur këta njerëz duke i quajtur “Levantinët”, e përshkruan kështu dëmin që ata i sillnin mendimit shqiptar:
“Puisque l’ occasion se presente, dua t’ ju thom dhe një tjatër gjë, si vous voulez biere, me le permettre.
-Certainement, lutem flisni.”
“Këto fjalë të çuditshme i dëgjova një ditë në Tiranë… Dhe kuptova se kisha të bëj me një soj njerëzish që unë bashkë me ca miq- mendjeje i kemi qojtur si njëzet vjet tëhu “Levantinë”. Ata përbëjnë në mes të shqiptarëve një klasë më vete që shquan nga klasat e tjera sin ë të veshurit e në të sjellurit ashtu dhe në mendime e në gjuhë.
Mendimi i themelit nër levantinët (në qoftë se kukllat mund të thuhet se kanë mendime) është që çdo gjë e vjetër në Shqipëri u duket atyre ose e poshtër ose qesharake. Janë plotësisht të bindur se shqipja është një gjuhë e dobët dhe e pazonja të përdoret për të biseduar punë me rëndësi ose për të shfaqur ndjenja të holla. Në këtë pikë shëmbëllejnë me një njeri gjysëm të egër përpara të cilit mund të shtroni një violi të vjetër e të paçmuar, një violi Stradivarius ose Amati të thomi; dhe nga që ai s’ di të nxjerrë nga violiri i rrallë veç një zë si zërin që bën sharra kur takon një gozhdë. Derëbardhi i pagdhendur beson dhe thotë se violiri që pati në dorë s’ ka të bëjë fare me muzikën”.
Të tillë “levantinë” i gjejmë edhe sot me shumicë te shqiptarët. Kur shkruajnë ose flasin ata i mbushin fjalitë me fjalë të huajza, nga gjuhët perëndimore, me arsyen se nuk mund të gjejnë në shqip fjalët që duhen për të shprehur mendime të larta e të komplikuara. Domethënë, sipas tyre, gjuha shqipe nuk është e përshtatshme as për të lëvruar mendimin shqiptar, as për të lëvruar filozofinë shqiptare. Fakti që të tjerë mendimtarë shqiptarë para tyre, që nga rilindasit, kanë shprehur shumë mirë mendime të larta në shqip, pa pasur nevojë për fjalë të huaja të tepërta, nuk iu bën përshtypje. Për kritikën e famshme të Konicës për “Levantinët” bëjnë sikur nuk kanë dëgjuar kurrë. Gjithashtu, bëjnë sikur nuk kanë dëgjuar kurrë edhe për studiuesit e huaj të cilët e kanë njohur mirë Shqipërinë dhe gjuhën shqipe dhe të cilët më shumë se një shekull më parë, janë shprehur se gjuha shqipe do të kalojë në fazën që kanë kaluar dhe gjuhët e tjera ballkanike të pasurimit nëpërmjet lëvrimit të mendimeve në të, pra do të bëhet një gjuhë kulturore. Një tezë të tillë e ka shprehur studiuesi italian Antonio Baldaci më shumë se një shekull më parë, kur thoshte:
“Është e vërtetë se gjuha shqipe është e varfër dhe e thjeshtë. Por po të flasim në përgjithësi, a nuk ishin të varfra dhe të thjeshta edhe gjuhët e tjera të popujve të tjerë ballkanikë para se të hynin në lakoren ngjitëse të parabolës së tyre të përparimit?”
Sot pas më tepër se një shekulli e gjysmë është vërtetuar teza e këtij italiani. Gjuha shqipe me kalimin e kohës u pasurua, falë edhe lëvrimit të saj prej mendimtarëve të mëdhenj të fushave të ndryshme, që nga Fishta te Merxhani, nga Mid’hat Frashëri te Valentini, nga Ernest Koliqi te Vangjel Koça, nga Lasgush Poradeci tek Ismail Kadareja etj., etj. Sot, falë kontributit të këtyre dhe të shumë të tjerëve, shqipja është një gjuhë e përshtatshme për të lëvruar mendimin shqiptar dhe filozofinë shqiptare. Ndoshta pasurimi i shqipes u bë pak me vonesë në krahasim me gjuhët e tjera ballkanike, por duhet thënë se shqiptarëve, para se ta pasuronin gjuhën e tyre iu desh që ta mbronin atë kundër atyre që deshën t’ ua mohojnë fare. Stavro Skëndi ka shkruar:
“Gjuha ka qenë gjithmonë e rëndësishme në lëvizjen kombëtare të kombeve, por shkalla e rëndësisë ka ardhur duke ndryshuar e duke u varur nga ekzistenca e faktorëve të tjerë bashkues. Në Shqipëri, ku forcat ndarëse ishin aq të shumta, roli i gjuhës së përbashkët qe i një rëndësie sipërore. Gjuha i bënte shqiptarët të ndienin që ata qenë të ndryshëm nga turqit dhe grekët dhe, nga kjo anë, nga kushdo i huaj tjetër dhe i falte atyre ndjenjën se i përkisnin të njëjtit komb”.
Shqiptarët kishin një gjuhë të përbashkët, por nuk kishin akoma një alfabet të përbashkët për ta shkruar këtë gjuhë, e aq më pak një gjuhë standarde. Në këto kushte ishte e pamundur që të flitej për ekzistencën e mendimit shqiptar, i cili që të ekzistonte kishte si parakusht gjuhën e shkruar me analfabet të unifikuar, për të mos folur për gjuhën standarde të kuptueshme nga të gjithë shqiptarët. Këtë sfidë, për të cilën kombeve të tjerë më të mëdha se ne u janë dashur shekuj, shqiptarët mundën ta fitojnë çuditërisht brenda më pak se shtatë dekadave, që nga viti 1908 deri në 1972. Kush mund ta besonte në fillim të shekullit XX se shqiptarët të cilët akoma nuk kishin alfabetin e tyre të njësuar, dhe jo më gjuhën standarde, do të arrinin që brenda një kohe kaq të shkurtër, të kishin këto dy arritje madhore. Mund të ketë diskutime për gjuhën e njësuar, sikur ajo u bë me urdhër nga lart, nga regjimi komunist, e sikur u krijua duke përjashtuar gegërishten. Të dy këto kritika nuk u vërtetuan nga koha. Shqipëria nuk kishte as Akademi të Shkencave, e cila u krijua në të njëjtin vit me gjuhën letrare të njësuar, në 1972. A duhet mohuar Akademia e Shkencave se atë e krijoi regjimi komunist? Sigurisht që shteti shqiptar nuk mund të krijonte Akademi Shkencash që me shpalljen e Pavarësisë, duhet të kalonte një kohë për këtë, të krijohej një universitet, institute studimore, e të gjitha këto kërkonin kohë.
Gjuha letrare e njësuar sot është bërë një gjuhë e cila ka unifikuar Mendimin Shqiptar, nga Shqipëria në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare në Maqedoni, Luginën e Preshevës, Malin e Zi, diasporë. Është e vërtetë se gjuha standarde ka mangësi dhe duhet përsosur, se ka vend gjithmonë pasurimi i saj me leksikun e pasur të gegërishtes, gjë për të cilën askush nuk i ka penguar autorët me origjinë gege që ta bëjnë. Dhe me kalimin e kohës këto prurje nga gegërishtja duhet të pasqyrohen në fjalorët e gjuhës shqipe dhe t’ u shërbejnë lëvruesve të Mendimit Shqiptar dhe lexuesve të tij.
Sot Mendimi Shqiptar ka në dispozicion një gjuhë të njësuar për t’ u shprehur idetë e tij dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme për evolucionin intelektual të kombit shqiptar. Sot asnjë autor nuk mund të ankohet si dikur se idetë e tij janë keqkuptuar për shkak të dialektit në të cilin shkruan, nga lexuesit që flasin në dialekt tjetër. Mendimtarët e sotëm shqiptarë, kanë lehtësi të tilla që paraardhësit e tyre vetëm mund t’i ëndërronin.
Merxhani e dashuronte thellësisht popullin shqiptar, dhe ishte i vendosur t’ i shërbente atij ndonëse nga kjo pësoi shumë privacione, për 10-12 vitet që qëndroi në Shqipëri. Në Turqi ai mund të bënte një karrierë të madhe si gazetar, me pagesë shumë më të madhe se në Shqipëri, siç tregoi edhe karriera e tij pas largimit nga Shqipëria në 1939. Por ai ishte një idealist, ashtu si kolegët e tij bashkëkohës të shkollës së Mendimit Shqiptar.
Për fat të keq idealizmi ka qenë dhe është një cilësi e rrallë ndër mendimtarët shqiptarë. Mendimtarët me veti të këqija kanë qenë dhe janë më të shumtë. Si vetinë më të keqe të Mendimit Shqiptar Ernest Koliqi shikonte atë që ka ardhur nga pesimizmi që është cilësi e natyrës së shqiptarëve, dhe që është kritika dërmuese, dashakeqe:
“Kritika dërmuese, irracionale ndaj veprave që rrahin tema të Mendimit Shqiptar, është një gjë që ndodh shpesh në debatin publik shqiptar, dhe është padyshim një shfaqje e asaj vetie të keqe të karakterit shqiptar, të cilën Mid’ hat Frashëri e ka quajtur si burim të gjithë vetive të tjera të këqija dhe që është kotësia. Dashakeqët, kur nuk e varrosin dot një vepër me heshtje, që mund të jet edhe mënyra e preferuar e tyre, kërkojnë ta shkatërrojnë atë me kritika tendencioze, pa pyetur se kështu i bëjnë një dëm të madh Mendimit Shqiptar. Veçanërisht i keq është ky dëm kur bëhet ndaj një vepre albanologjike, siç thotë Koliqi. Vetë Koliqi është viktimë par excellance e kritikës dërmuese. Atij nuk i jepet akoma vendi meritor si Albanolog përveçse si shkrimtar dhe poet, për shkak të një zgjedhjeje politike që bëri ai në një çast të caktuar në Luftën e Dytë Botërore. Kështu, për shkak të Koliqit politikan, që është ana më e parëndësishme e veprimtarisë së tij, duhet të mos marrë vendin meritor Koliqi shkrimtar dhe studiues. Dhe ata njerëz në aulat akademike që rrudhin buzët kur dëgjojnë emrin e Koliqit, nuk kanë të gjithë së bashku asnjë grimcë të vlerës së tij si shkrimtar dhe studiues”.
Dhe sa kohë, që në Akademinë shqiptare dhe departamentet universitare ,që merren me çështjet e mendimit shqiptar do vazhdojnë të qëndrojnë si kala mediokriteti të mbrojtur nga njerëz që ruajnë fort privilegjet e tyre të pamerituara, duke përjashtuar nga Panteoni i Mendimit Shqiptar, letërsisë shqipe dhe Albanologjisë titanë si Koliqi, Merxhani , At Valentini dhe të tjerë do të jetë e vështirë që mendimi shqiptar të ngjitet në nivelin e filozofisë shqiptare.
Komentet