Sovrani erdhi, pau, foli dhe iku nga qyteti i boshatisur. Për dy ditë me radhë, ai mblodhi aty vartësit, për të dëgjuar jo atë që i thoshin ata, por atë që për mendimin e tij, ata do të duhet t’i thoshin. Dhe ia doli. Nën masa të plota sigurie, ata ia rrëfyen përrallën nga e kaluara dhe andrrën e së ardhmes, siç do të duhej.
Një legjion i tërë njerëzish të përzgjedhur, të rrahur me vaj e me uthull nga njëra parti dhe nga tjetra, i rendën pas, duke e matur hapin, fjalën dhe duke ia përsëritur idetë, fjalët kyçe, mërmëritjet dhe heshtjen që fliste vetë.
Dhe sovrani mëshirëplotë pikërisht këtë parapëlqente: një turme dëgjuesish të vëmendshëm, kuriozë, të stërvitur për durim ndaj përçartjeve, që nuk bzajnë, mbasi kështu del në pah dobia e tij ringritëse për qytetin. E si mund të bënte ai figurë të mirë po qe se do të ishte i rrethuar nga legjionarë që kundërshtojnë, propozojnë, kërkojnë dhe vendosin radhën e duhur të punëve të domosdoshme për qytetin dhe krahinën e rrënuar nga kotësia e “armiqve”?! Atë nuk e guxon as i zoti i bekuar i shtëpisë, jo më të tjerët, të ardhurit rishtas nga partizat e shuara, të ndaluara apo të vulosura! Shumica e njerëzve pritën më kot një fjalë mbi radhën e punëve, por nuk dëgjuan asgjë, mbasi radhë nuk ka, paratë janë mbaruar ndër investimet strategjike, idetë janë fishkur prej moteve të kalueme në majë të pallatit ku ëndërrimet nuk ndalen. Të tjerë dëgjues nuk ishin në gjendje të gjykonin. U përkasin spektatorëve që mbarten nga njëri tubim në tjetrin dhe e kanë të ndaluar arsyetimin. Për njerëzit e partisë, përherë radha e punëve është një çështje Pallati, ndërkohë Pallati e Sovrani janë gjithmonë, të padepërtueshëm dhe të paprekshëm. I përkasin Tiranës fuqiplotë mbi ne. Ama morëm vesht se Pallati do të mbushet tash e mbrapa me një armatë të re njerëzish të rinj, të devotshëm, besnikë fillestarë, një gjeneratë e re që synon energjikisht karrierën dhe do ta lulëzojë shoqërinë që gëzon dhe kulmon. Shoqëria do të regjimentohet tanimë plotësisht! Pluralizmi ka vdekur! Desidenca është degdisur. Rinia është nëpër punëra të mëdha transportuese nëpër udhët e komunikacionit global. Fusha e kërcimit mbarë e mbrapshtë është e hapur dhe asnjë rrezik përmbysjeje nuk ka më për ne. Rotacionin do ta kryejmë vetëm mes nesh, por ama kur Sovranit t’i mbushet mendja vetë. Princi i Kullave, i Pluhurit dhe i Djegësve të rrijë krejt i qetë. Radha po mbërrin. Për pak do i trokasë në derë. Rivalët kanë kohë që po ecejakin ndër dyert e theqafjes. Askush nuk mund ta rrezikojë më autoritetin e udhëheqjes bipolare me imunitet, të çimentuar me aq mundim, në këto vite kur njerëzit e devotshëm dhe besnikë ia panë hajrin organizimit të regjimentuar. Pse të mos futen tanimë të gjithë, pa dallim, në rreshtin Sovran, që ka në dorë fatin tonë, jetën dhe vdekjen, kulaçin ose kërbaçin?! Pse Shkodra duhet të bëjë përjashtim nga e gjithë përkulja e gëzueshme e Shqipërisë në pozicionin vendnumëro?!
Ç’nevojë të përdorën tanket shëtitëse në një vend pa rini, pa studentë dhe pa të ardhme?! Pse të importohen kuadrot e Pallatit, kur kaq shumë të mbetur në nahije rrotullohen nëpër këmbët princore vullnetarisht?!
Pse Shkodra të vijojë në kundërrymë, kur Portat e Pallatit janë hapur sot me ceremoni deklarative edhe ndaj “armiqve” të parrezikshëm të kohës së kalueme?!
A nuk e kanë ata tanimë edhe një garant të vërtetë të emëruar publikisht?!
Ja pra, nuk ka pse të ngurrojë askush trokasë në portat e Urdhrit të të Bekuarve! Strategjia e dajakut, e rubinetave të mbyllura dhe e pikatores ka funksionuar plotësisht. Ajo u përket tri mandateve të kalueme. I katërti është i jueji o fatlumë të Gegnisë. Vëmendja do jetë këtu. Veç pak durim. Çdo gjë është e mundshme dhe e realizueshme: Dera e Shtëpisë së Madhe të Tallavasë Shtetërore është e hapur për të gjithë. Kështu erdhën këto punë, që vallen ta hedhim të gjithë në një Pallat Madhështor, kufizat të zhduken, portat të ngatërrohen, institucionet të rrënohen, drejtësia të përgjumet dhe të gjithë të akomodohen nën të njëjtën Kupolë të Lirisë, Demokracisë, Socializmit dhe Internacionalizmit. Pallati i ngritur me ketë rast nuk është më vatër mediokriteti, as vendgrumbullim njerëzish të rëndomtë. Ai është tanimë qendra e vetme rrezëllitëse e shoqërisë. Ndaj burra, të gjithë rreth Pallatit dhe Sovranit! Pse jo?! Atdheu tanimë ka veç një derë për të hyrë, për të jetuar, për të gëzuar dhe në fund për të kaluar në amshim. Ngjashëm edhe Europa dhe Perëndimi ka në këtë vend veç një bashkësi të besueshme dhe të përkushtuar ndaj lirisë, ligjit, rendit, demokracisë, parlamentarizmit dhe ekonomisë së tregut.
Shënojeni lajmin: nga familjet që për 50 vite rrethuan me tela dhe e ndanë Shqipërinë nga Europa, Amerika dhe Perëndimi ka rilindur brezi më entuziast proamerikan dhe proeuropian i bashkëkohësisë arbnore, i cili pasi ka mohuar me vendosmëri etërit shtypës dhe i ka kërkuar falje Popullit dhe Aleatëve, ia ka dalë të jetë elita më e orientuar strategjikisht për të ardhmen e vendit, për rrjedhojë dhe më e besueshmja në finalizimin e këtij procesi aq të shumëpritur nga desidenca e vërtetë, tanimë e varfëruar, e shuar dhe e shpërbërë nga rrahjet e partive të prodhuara nga pluralizmi i pilotuar prej vendimmarrjeve të PPSH-së. Pse qyteti ynë do të duhet të vijojë edhe me tej të ketë dyshime tek ata?! Pse qyteti ynë duhet ta refuzojë këtë derë me Zemër të Madhe, që ta dërgon vetë thirrësin dhe ftuesin direkt në vatrën e vet, në Pjacën e Idromenos?! Në asnjë mënyrë! Ne do të ndryshojmë! Në fund të fundit, njerëz jemi, me vuajtje përjashtimore të pambarimta; kujtesën e kemi të shkurtër, dikund harrojmë, më së shumti falim: nuk mund të ndahemi më nga kooperativa e madhe, që sjell bollëk dhe pasurim të menjëhershëm, kur din të ecësh në rreshtin ku të kanë vendosur dhe kur e merr vetë të gjithë përgjegjësinë për fajet aksidentale. Edhe ne do të jemi pjesë e këtij vendi të njerëzve të lumtur, me qytete gumëzhitese, tërë dritë, jetë, gëzim, prosperitet të pandalun dhe rini që e sheh të ardhmen vetëm në vendin e të parëve.