“Javës Evropiane të Lëvizshmërisë” i është bashkuar të premten edhe qyteti i Shkodrës përmes “Ditës së biçikletave”, një traditë kjo e hershme e këtij qyteti, që ka nisur në fillim të shekullit të kaluar. Shkodra është qyteti që vazhdon të ketë numrin me të madh të biçikletave, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. “Dita e biçikletave” synon të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve për të përdorur mjete ekologjike në lëvizje si dhe autoritetet për të shtuar përpjekjet për sigurimin e infrastrukturës së nevojshme për lëvizjen me biçikleta.
Qyteti me traditën më të hershme në Shqipëri për përdorimin e biçikletave, Shkodra, i ka kushtuar një ditë të veçantë festive këtij mjeti, që vazhdon të përdoret edhe sot e kësaj dite nga rreth 30 përqind e banorëve, ç’ka e rendit Shkodrën në qytetin e pestë në Evropë për nga përdorimi i biçikletave, kjo gjithnjë në raport me numrin e banorëve. Mësuesja Suela Durra thotë se “Dita e biçikletave” është pjesë e veprimtarive për “Javën Europiane të Lëvizshmërisë” dhe synon të nxisë sa më shumë përdorimin e biçikletës për të mbrojtur shëndetin dhe mjedisin natyror.
“Ne këtu jemi për të përcjellë një traditë të hershme të Shkodrës. Shkodra ka përdorur biçikletën si mjet transporti atëherë kur kishte pak, ose aspak makina në qytet dhe gjyshet, nënat, motrat dhe prindërit tanë përdornin biçikletën jo vetëm për të shku tek puna, por edhe për të bërë erzet pasdite, siç quhen në Shkodër”.
Në Shkodër, biçikleta nuk është vetëm një mjet sportiv, por edhe një mjet i përditshëm për argëtim dhe punë. Në përdorimin e biçikletës janë përfshirë edhe një pjesë e madhe e grave dhe vajzave të këtij qyteti.
“Për vajzat dhe gratë shkodrane është një ndër mjetet e transportit, lëvizjes nëpër qytetin e Shkodrës, për të shku në punë, për të ba vizita, kudo. Biçikleta asht ma e pranishme se makinat sot në qytetin e Shkodrës”.
Përdorimi i biçikletave në Shkodër lidhet jo vetëm me traditën e hershme të banorëve, por edhe nevojën për të shmangur ndotjen e ajrit, që shkaktohet nga numri i madh i makinave që, gjithnjë e më shumë, po qarkullojnë në qytet. Sipas një studimi të Bankës Botërore, Shqipëria ka 83 vdekje për 100 mijë banorë nga faktorët e ndotjes ambientale, një vlerë kjo e lartë krahasuar me vendet në zhvillim.
Mirsad Basha, i cili drejton shoqatën mjedisore “EKO Mendje”, thotë se pasioni i qytetarëve të Shkodrës për biçikletat duhet mbështetur me sa më shumë korsi të posaçme, pasi trafiku në rrugë sa vjen e shtohet.
“Më tepër duhen shtuar korsitë e biçikletave dhe me kriju një kulturë personale që shumë mirë mundesh me lëviz në qytet me biçikletë. Shikojmë që disa korsi biçikletash janë shtu, disa kilometra janë shtu. Dhe, shpresojmë që të shtohet sa më shumë numri dhe njerëzit të edukohen me lëvizshmërinë e tyre, sepse njerëzit kanë nevojë për të pasë korsinë e tyre të biçikletave për të mos shkelur rregullat e trafikut. Kështu, sa më shumë biçikleta, aq më të shëndetshëm”.
Vitet e fundit Shkodra po i kushton vëmendje ndërtimit të korsive për biçikleta, për të mbështetur lëvizjen e tyre, por edhe për të mbrojtur mjedisin. Sipas kryebashkiakut Benet Beci, së fundmi janë ndërtuar rreth 2 kilometër korsi të reja për lëvizjen e sigurtë dhe pa ndërprerje të biçikletave, gjë që do të shtohet në të ardhmen.
“Një Shkodër e tillë me biçikleta do të thotë një Shkodër pa ndotje, një Shkodër miqësore me natyrën. Në këtë aspekt do të bëjmë gjithçka që ta forcojmë atë dashuri që ka Shkodra për lëvizjen me biçikleta. Kjo është një nga ditët që duhet të jenë shumë si kjo”.
Biçikleta e parë në Shkodër ka arritur në vitin 1907 nga konsulli suedez në këtë qytet. Megjithëse Shkodra njihet si qyteti i biçikletave, numri i tyre u pakësua ndjeshëm pas vitit 1990 për shkak të numrit gjithnjë në rritje të automjeteve dhe pasigurisë që ata krijuan për lëvizje në rrugë. Por, vitet e fundit, shumë prej qytetarëve i janë rikthyer traditës së lëvizjes me biçikletë, duke kërkuar edhe përmirësimin e infrastrukturës së tyre.