Qëllohen me armë në rrugën që lidh Shkodrën me Thethin. Automjeti me trupat e vrarë gjendet në një greminë
Në Shqipëri dy turisët çekë janë gjetur të vrarë në rrugën që lidh Shkodrën me Thethin, një zonë e frekuentuar malore në veri të vendit. Të dy turistët kanë qenë duke udhëtuar me një makinë, tip fuoristradë e cila është gjetur në një greminë, rreth 15 metra poshtë rrugës.
Ende nuk është e qartë dinamike e ngjarjes që mendohet se ka ndodhur rreth orës 20.30 të mbrëmjes. Në automjetin e tyre dalloheshin shenjat e lëna nga plumbat e një arme që dyshohet të ketë qenë kallashnikov. Ndërsa hetimet nisën menjëherë pas ngjarjes, gjasat janë që turistëve çekë t’u jetë ngritur një pritë me qëllim grabitjen e tyre. Një nga variantet është se pasi janë grabitur , janë qëlluar dhe më pas automjeti është shtyrë drejt humnerës, ndërsa sipas një tjetër versioni paraprak, me shumë mundësi turistët kanë refuzuar të ndalojnë dhe automjeti i tyre ka dalë nga rruga pasi është qëlluar.
Lidhur me ngarjen e rëndë, në të cilën mendohet se mund të ketë patur më shumë se një vrasës, është angazhuar dhe zëvendës drejtori i Përgjithshëm i policisë, i cili ka shkuar në vendin ku ka ndodhur krimi, si dhe dy njësi të repartit special RENEA. Disa shtëpi të zonës aty pranë janë kontrolluar, ndërsa janë shoqëruar të paktën 16 persona. Sipas disa njoftimeveve të para, ekspertët kanë gjetur disa shenja gishtërinjsh që dyshohet se mund t’i përkasin autorëve të krimit.
14 vjet më parë, tre të rinj po çekë, u zhdukën në gusht të vitit 2001 po në very të Shqipërisë. Fati i tyre ka mbetur ende mister, pas gjithë kësaj kohe.
Komentet