Konferenca shkencore “At Donat Kurti, vjollca e letrave shqipe”, u organizua sot në Shkodër nga Provinca Françeskane e Shqipërisë dhe Universiteti “Luigj Gurakuqi” në 120 vjetorin e ndarjes nga jeta të françeskanit At Donat Kurti. Studiuesit që morën pjesë theksuan kontributin e tij shumëplanësh në kulturën kombëtare dhe, në veçanti, në mbledhjen dhe botimin e pasurisë folklorike të popullit. Siç thotë Pater Vitor demaj, At Donat Kurti është bashkautor i “Visare të Kombit”, autor “Kangë kreshnikësh dhe legjendash” dhe i shumë veprave dhe studimeve në fushën e letërsisë, gjuhës dhe besimit.
“Siç thotë edhe At Zef Pllumi, vërtetë ishte vjollca e letrave shqipe. Krijimtaria e tij vërtetë ishte e madhe. Qysh se hyri në kolegjin françeskan dhe mandej u diplomua në Romë, vijoi bashkëpunimin me Hyllin e Dritës, Zanin e Shna Ndout, me Padër Gjergj Fishtën, Padër Anton Harapin, të cilët vërejtën tek At Donat Kurtin një njeri të aftë, të zotin me u marrë me çështje të ndryshme të kulturës shqiptare”
Po sot, në bibliotekën e françeskanëve u hap ekspozita me dorëshkrimet e At Donat Kurtit. Janë 37 vepra në dorëshkrim, pjesa më e madhe kushtuar traditës kombëtare në fushën e folklorit, por edhe të besimit fetar.
Pater Vitor Demaj thotë se, si shumë klerikë të tjerë, pas vendosjes se regjimit komunist, françeskani Donat Kurti arrestohet dhe dënohet nën akuzën e futjes së armëve në kishën françeskane të Shkodrës.
“Pater Donat Kurti u arrestu dhe hyri në burg në vitin 1945, kreu 17 vite nëpër burgjet dhe kampet e internimit, të cilat i ka përshkru mjaft bukur në veprën e tij poetike “Lule m’lule”. Pra, është vërtetë një personalitet që e meriton të kujtohet, meriton të lexohet, meriton të vihet në vëmendjen tonë për kontributin e tij në aspektin shpirtëror dhe në aspektin kulturor, në fusha të caktume të kulturës tonë shqiptare”
Autori i Visareve të Kombit dhe i shumë veprave të tjera me vlerë kombëtare, françeskani At Donat Kurti, u nda nga jeta më 10 nëntor të vitit 1983, në qytetin e Shkodrës, në një kasolle të varfër, në moshën 80 vjeçare, duke lënë pas me dhjetëra studime dhe libra në dorëshkrim, pjesa më e madhe të sapo publikuara në 7 vëllime nga Provinca Françeskane e Shqipërisë.