1. Kështu pra! Shkodra dje, në mbrëmjen e 31 gushtit 2016, mbas gati 65 vjetëve bëri përurimin e dytë të stadiumit të saj, më parë “Vojo Kushi”, sot “Loro Boriçi”. Bukur! Dhe papritmas, arkivi im që rigjallërohet. Rigjallërohet duke nxjerrë prej vetes një shkrim me titullin: “Shkodër! A nuk e kupton se nuk të duan?”, botuar në gazetën “Panorama Sport” të 23 janarit 2014. Dhe mjaftuan vetëm 30 muaj që shkrimi të triumfojë. Qe shkruar për vendimin e njëanshëm të ndërtimit të stadiumit të Elbasanit, para atij të Shkodrës.
Historia u përmbys dhe brenda 30 muajve, Shqipëria bëri atë që as na shkonte ndër mend: rindërtoi dhe modernizoi dy stadiume. Bukur, vërtet bukur! Kur u botua ky shkrim “revoltues”, askush prej shtetarëve apo qeveritarëve nuk bëzanë. Vetëm nga mjedisi i lidershipit të FSHF-së u dëgjua justifikimi se “Elbasani është më afër Rinasit”. Përralla! Këtë e pata përmbysur qysh atëherë, e tash u vetëpërmbys vetë ky lidership “FSHF-ist”, i cili po vetë ngre siparin e pjesëmarrjes së Shqipërisë në Kupën e Botës, mu në stadiumin e Shkodrës.
Një heshtje e rëndë pat rënë mbi shkrimin e “Panorama Sport”, me përjashtim të shkodranëve të mi, të cilët nuk i ndalnin përgëzimet. E pra: çka ndodhi që mbas disa muajve krejt papritmas u dëgjua “vendimi se do të rindërtohet edhe stadiumi i Shkodrës? A vërtet po tregonin se e donin Shkodrën? Ndërkaq, shkodranët vunë buzën në gaz dhe thanë: “duan të na marrin me të mirë”. Madje, kësaj radhe me një gjest “material”, se me gjeste fjalësh i kishin marrë me të mirë kushedi sa herë… Paska qenë shumë e lehtë, teksa shohim se brenda 30 muajve stadiumi “Loro Boriçi” u kthye vërtet në “kombëtar”. Pa mundur megjithatë të provojmë se “Shkodrën vërtet e duan”.
Pata përdorur thënien profetike të Platonit për Sokratin: “Amicus Plato, sed magis amica veritas” (“E kam mik Platonin, por më mik kam të vërtetën”), E mandej qeshë nxe paksa tek shkrova: “Kjo nuk është assesi as demokraci. Kjo është prepotencë, madje prepotencë disi vetjake (personale) ose e një rrethi të ngushtë dy, tre apo katër vetjak. Qofshim të gabuar! Është vërtet e çuditshme ndërkaq se si Partia Komuniste pat vendosur që stadiumin e saj të parë ta ndërtonte mu në Shkodër.
Mbasi e kishte torturuar deri në skaj, mbasi kishte tmerruar edhe foshnjat në djep me krismat e pushkatimeve të përnatshme të atdhetarëve në Zallin e Kirit, mbasi kishte ngritur nja 6 burgje për intelektualët kundërshtarë, mbasi ia kishte marrë frymën edhe futbollit, tek ia kishte rrëmbyer gjithë lojtarët për klubet e mëdhenj të dikastereve ushtarake të saj, papritmas Partia i ndërtoi stadiumin “Vojo Kushi”, të parin e Mbasluftës. Për fat e kam vënë edhe unë një gur mbi themelet e tij, teksa si nxënës do të bënim edhe ne në të orët tona të punës vullnetare”.
Dhe mbasi e pleqëroi bukur e mirë, ajo pat nxjerrë vendimin e Këshillit të Ministrave për t’i dhënë Shkodrës sportive stadiumin. Ngaqë nuk kishte çka t’i bënte historisë, e ndoshta desht edhe asokohe ta merrte pra me të mirë qytetin e kulturës dhe të sporteve. Sepse, përveç të tjerave, frikën ia pati gjithmonë, deri në janarin e vitit 1990. Nuk e di për sot. Nuk kam bërë ndonjë kushedi se çka, por për harruesit shembullorë më duhet të kujtoj se jam i pari që qysh në vitin 2010 përmes gazetës, kësaj të përditshmeje “Panorama”, kam nisur ciklin e shkrimeve të pandalshëm për mosprishjen e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”.
Dhe duke vazhduar me tregimet për vlerat e tij historike, për ruajtjen e pistës së atletikës së lehtë që ia rrënuan pa mëshirë këto dit të vitit 2016. Dhe që më dolën… zëra në shkretëtirë! Jam shumë i vogël për të fituar mbi një prepotencë të tejskajshme. E përsëris se nuk jam një fanatik i Shkodrës, prej së cilës jam larguar tash plot 57 vjet, por kam qytetarinë e baraspeshuar të një shkodrani të një prej familjeve më të vjetra të saj. E kësisoj ndieja dhimbje edhe për fatin e braktisur të atij që unë e shkruaj përherë si “Stadiumi Kombëtar Loro Boriçi”.
Kështu, “kombëtar” u emërtua më 29 mars 2003, kur për herë të parë në histori aty u zhvillua një ndeshje e madhe e Kampionatit Europian, Shqipëri-Rusi, 3-1, që bëri bujë në gjithë Europën. Nuk ishte as De Biasi dhe pothuajse as kjo FSHF e sotme, dhe as kjo Kombëtare e sotme. Ishte Shqipëria e Hans Peter Briegelit, e cila në 11-shin e saj prej të 14-tëve kishte plot 13 futbollistë që kishte nxjerrë futbolli i tokës së Republikës së Shqipërisë.
Jo si Kombëtarja e sotme fort e bukur, e cila për ndeshjen e tashme me Maqedoninë, nga 25 lojtarë, plot 16 nuk i ka nxjerrë kjo tokë!… Edhe vetëm për këtë ngjarje të papërsëritshme të futbollit shqiptar, Stadiumi Kombëtar “Loro Boriçi” nuk mund të kishte rival për të qenë ai i pari prej të gjithë stadiumeve të qyteteve të Shqipërisë për të zëvendësuar Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” për ndeshjet e Kombëtares,.
U vërtetua plotësisht ajo që shkrova dy vjet më parë se përrallat që thoshin se “rindërtimi i tij kërkonte shpenzime më të mëdha se një stadium tjetër cilido qoftë”, tash u pa se nuk rezistuan assesi. Aq më pak për Federatën Shqiptare të Futbollit, e cila prej vitesh konsiderohet një federatë e pasur, ndërsa tash, mbas “EURO 2016” është tejet e pasur. Pa shkuar te shteti, te shteti shqiptar, të cilit i kujtoja se pothuajse në të gjithë stadiumet e rinj modernë të ndërtuar vitet e fundit në Europë, një pjesë e financave të tyre është dhënë nga vetë qeveritë përkatëse.
E dija si mijëra të tjerë që Shqipëria sportive kishte humbur shumë nga kujtesa historike kombëtare, teksa nuk po kishte rend mendimesh, meritash, suksesesh, e aq më pak rend historik të zhvillimit kombëtar. Dhe në këtë kontekst më lind pyetja: Po Korça, Vlora e Durrësi, që gjithashtu janë epiqendra futbolli, kur do ta kenë stadiumin e tyre modern?… Ndërkaq, historia më thoshte se kishte qenë 1 maj 1952. Dhe pikërisht në këtë ditë të 1 majit 1952, Partia kërkonte të përuronte në Shkodër, stadiumin e parë të Mbasluftës me mënyrën më të papranueshme përmes një ndeshjeje lokale, Dinamo e Shkodrës-Spartak i Shkodrës!
Historia e këtij ndërtimi kishte nisur vetëm dy vjet më parë, më 27 maj 1950, në orën 18:30, në prani të rreth 400 qytetarëve shkodranë para portreteve gjigante të Stalinit dhe të Enver Hoxhës. Gurin e parë do ta vinte numri 2 i pushtetit komunist, zëvendëskryeministri dhe sekretari i KQ të Byrosë Politike të Partisë, Tuk Jakova, shkodran autentik, të cilin, ashtu drastikisht, siç do të binte forca e skuadrës së Shkodrës në hierarkinë e futbollit shqiptar, po ashtu do të binte edhe pushteti i tij për të mbërritur deri në burgosje e vdekje të parakohshme (1914- 1959). Do t’i kthehej në kërcënuese deri ajo që kishte thënë se kjo abetare tosknisht, nuk iu shkonte fort për shtat gegëve atje të lart, në Veriun e Malcisë.
Dialektologjinë ia quanin përçarje. “Stadiumi i Shkodrës,- tha Tuk Jakova në fjalën zyrtare të tij në atë të 27 majit 1950,– është një vepër paqeje e qeverisë dhe popullit tonë, një qendër vëllazërimi dhe bashkimi, shkollë për përgatitjen e një rinie të fortë, të shëndetshme e të gëzuar”. U tha se vetë Tuk Jakova kishte qenë nxitësi i parë për t’i dhënë Shkodrës një stadium. Kur do ta rrëzonte pa mëshirë Enver Hoxha, nuk do ta kursente assesi edhe me sulmin si lokalist shkodran mu këtë Tuk Jakovë të majës së pushtetit e të Partisë, komisari legjendar i Brigadës së Parë Sulmuese në Luftën Antifashiste, “Hero i Popullit”.
Kështu niste historia e stadiumit të parë të ndërtuar në Shqipërinë Komuniste, të cilit do t’i vihej emri i Vojo Kushit, “Hero i Popullit” nga Shkodra, në të vërtetë një sportist i mirë i Gjimnazit të Shkodrës i rënë në luftën për çlirim mbas një qëndrese heroike të tij në një rrugë të Tiranës. Për të mbërritur kështu, brenda dy vjetëve te përurimi i 1 majit 1952, ku Llazar Lipivani, kryetar i Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve pranë Këshillit të Ministrave, pret shiritin.
Projektuesi dhe drejtuesi teknik i punimeve, i paharrueshmi Irfan Tërshana, Paraluftës pedagog i edukimit fizik po i Gjimnazit të Shkodrës, ishte megjithatë, në qendër të vëmendjes edhe ai me fjalën e tij. E çfarë stadiumi ishte ai, ashtu i ngritur në vetëm pesë shkallë, me një kapacitet afër 10.000 vendesh, me një terren mjaft të mirë për kohën, megjithatë? E vërteta është se ky stadium i ndërtuar edhe me kontributin vullnetar të banorëve të Shkodrës do të mbeste me kaq për mbi 35 vjet të tana. Kam qenë i pranishëm në atë përurim si qindra nxënës të Shkodrës, që disa herë kishim vënë pra, çuditërisht, edhe ne gurin tonë në themelet e tij!
Për fat të keq, paksa edhe mbi varrezat e vjetra osmane të qytetit, të zhdukura tashmâ! Ky pra ishte stadiumi i parë i Shqipërisë komuniste. Për oportunitet politik, Partia donte të bënte megjithatë një gjest në “respekt” të qytetit sportiv, i cili i kishte themeluar Shqipërisë të gjithë sportet, i kishte dhënë ndeshjen e parë zyrtare të futbollit (1913), kishte qenë kampioni i parë i futbollit të Shqipërisë së Mbaslufës (1945, 1946).
Në fushën e vjetër të tij ishte bërë themelimi ndërkombëtar i Kombëtares së Shqipërisë në ndeshjen e saj të parë ndaj përfaqësueses së një kombi tjetër, themelim ndërkombëtar i saj, pra: 22 shtator 1946, Shqipëri–Mali i Zi, 5-0, me 7 lojtarë shkodranë në 11-she, me të cilët mbas pak javëve Shqipëria do të bëhej kampione e Ballkanit: Tahiri, Dibra, Gjeloshi, Fakja, Juka, Boriçi, Mirashi. Nuk e di nëse janë diku në një muze foto e tyre, apo ndoshta ende sot quhen armiq Dodë Tahiri e Bahri Kavaja… 2. Shkodër! A me të vërtetë të duan?…
Edhe mu për të gjitha këto arsye, rindërtimi i pjesshëm, e mandej ndërtimi i plotë i Stadiumit Kombëtar “Loro Boriçi”, nuk mund të kishte rivalë. Ky ishte qyteti sportiv, i cili kishte mposhtur deri dhe një Hajduk të Splitit, një Dozha të Budapestit, një Austria të Vjenës. Ky ishte stadiumi që kishte regjistruar rastin e vetëm në historinë e Shqipërisë, ku një klub kishte fituar ndaj Kombëtares së një shteti tjetër: Vllaznia–Algjeria 3-0, në 1976. Ky ishte stadiumi ku madje kishin paraqitur rezultatet e tyre të nivelit botëror në atletikë të lehtë të mëdhenj të botës, një Skobla, një Mandlik, një Odlozhil dhe deri te legjendari Nih Chin Chin.
Ky ishte stadiumi, i cili me trajnerin Ramazan Ragami u kishte dhënë kombëtareve të Shqipërisë arritjen më të bujshme të derisotme në historinë e futbollit shqiptar: Shpresa e Shqipërisë midis 8 më të mirave të Europës: Shkodër. Stadiumi Kombëtar “Loro Boriçi”, 1983: Shqipëri–RF Gjermane, 1-1 dhe Shqipëri-Austri, 3-0. Ai që njihte mjedisin e tribunave të tij “të brishta”, ndonëse prej guri “osman”, e kupton se pa këto ndeshje Shqipëria nuk do të çudiste Europën atë vit 1983. E ne, veç me shkrime na ka mbetur të festojmë ngjarjet e pakta të mëdha, për të cilat harron lidershipi i Federatës Shqiptare, por edhe vetë kultura e ministria e saj, pra edhe vetë qeveria shqiptare, ndonëse për propaganda të njëanshme nuk përton kurrë, teksa e ka trashëgim nga Partia e dikurshme.
Kjo ishte Shkodra, ajo e cila 70 vjet më parë, më 22 shtator 1946, me fitoren spektakolare 5-0 ndaj Malit të Zi kishte jetësuar themelimin ndërkombëtar të Kombëtares së Shqipërisë. E përkimi është vërtet fantastik: mu në këtë jubile të 70 vjetëve ngrihet lart stadiumi modern i Shkodrës me emrin e Loro Boriçit, për ne legjendë. Dhe me që jemi në kombëtaret, vështroni tash se çfarë bilanci ka toka e Shkodrës me stadiumin saj në ndeshjet kombëtarase: Shqipëria–Mali i Zi 5-0, Rusia–Shqipëria 3-1, Shqipëria–Sllovenia 0-0, Shqipëria– Mali i Zi 3-2. I vetmi në Shqipëri ku Kombëtarja nuk ka humbur asnjëherë, madje në 4 ndeshje ka fituar tri herë.
Një bilanc modest, natyrisht, por tejet kuptimplotë. Pa shkuar te Vllaznia, Kombëtare e Algjerisë 3-0, apo te Shpresa 1983 në 8-she të Europës, duke u mposhtur në këtë stadium një Gjermani e një Austri! Mirëpo, harresa dhe vetëm harresa. Harruan edhe në 2014 kur as nuk bëzanë për rindërtimin e stadiumit të Shkodrës. E mandej, befas, kur e panë se ndoshta mund të fitoheshin ca pikë politike me qytetin që e kishin pasë gjithmonë kundërshtar, ia lëshuan mbi skenë përkëdheljen që po e quaj “materiale” për rindërtimin e stadiumit.
Po harrohej se kështu po hidheshin poshtë të gjithë argumentet e mëparshëm: të largësisë, të më afërsisë së Elbasanit, të shpenzimeve, e tjerë e tjerë… Ec e gjeje se përse! Po në fund të fundit, kjo tash nuk ka fort rendësi. Dhe duhen përgëzuar megjithatë. Me mëdyshje e “mundime”, por në fund të fundit, i dhanë Shkodrës stadiumin modern. Dhe e risollën Kombëtaren te toka që e themeloi 70 vjet më parë. Pa kujtesë natyrisht.
Pse jo, pa kujtesë qoftë edhe për një qytetar me emrin Muho Asllani, dikur sekretar i Parë i Komitetit të Partisë të Shkodrës, një “komunist” par excellence, i cili deri në kundërshtim me jerarkët e vet të Tiranës kishte ndërmarrë iniciativën për rindërtimin e stadiumit të ashtuquajtur “Vojo Kushi”, sot “Loro Boriçi, që do të mbërrinte deri në 30.000 vende. Ky qe njeriu i parë në Shqipëri që për të ndërtuar një stadium të ri shkatërroi deri në zero një stadium ekzistues. Edhe kjo është histori. Pa kujtesë po aq edhe ndaj një qytetari tjetër, siç është projektuesi dhe arkitekti i mirënjohur i atij rindërtimi, inxhinieri i nderuar Reshat Koçkiqi, të cilit, siç pata shkruar, nuk i mbetej asgjë tjetër, veçse që herë mbas here në mbrëmjet e tij të qeta të tërhiqte nga biblioteka vetjake dosjet e tij të projektit e të rindërtimit të stadiumit, t’i shfletonte ato, e pse jo t’i përkëdhelte paksa e mandej si të ishin libra të vjetër të një bukinisti koleksionist, t’i linte prapë aty prej kah i kishte nxjerrë.
Nuk e di nëse në mbrëmjen e kësaj të mërkure të 31 gushtit 2016, ata ishin diku aty, qoftë dhe si spektatorë të thjeshtë, qoftë dhe në tribunat anësore të veçuara të stadiumit “të ri”, “Loro Boriçi”. Një zgjidhje disi piktoreske arkitektonike kjo, që i lejon edhe kalimtarit të rrugës jashtë stadiumit të marrë paksa edhe ai afshin e fragmenteve të një ndeshjeje futbolli… Natyrisht, nëse nuk është vepruar kështu për të kursyer… Shkodra e di se regjimet nuk e kanë dashtë.
Ndoshta edhe për shkak të historisë, traditave, qytetarisë, pavarësisë së mendimit të saj, kulturës dhe nobilitetit të saj, me të cilat ajo do të vazhdojë të krenohet. Ashtu siç krenohej me faktin se është i vetmi qytet e dikur kryeqytet ilir, romak, venecian e osman. Ashtu siç krenohej me Alpet mahnitëse që i mbërrin për 40 minuta, me liqenin e lumin që i mbërrin për pesë minuta dhe me detin që për ta mbërritë të mjaftojnë vetëm 20 minuta. Vështirë të gjesh diku në botë alternative gjigante kësisoj. Dhe ende nuk është një qytet turistik. Çka për një çast të vë në dyshim nëse vërtet e duan!…
E, Stadiumi që më duket se është shumë pak. I lënë disi pra edhe në gjysmë të rrugës, teksa pista e atletikës nuk ka përfunduar. Kur Shkodra, përveç futbollit, i ka dhënë Shqipërisë mbretëreshën atletikë. Për çka sot ajo mban një rekord botëror: Vllaznia e saj është i vetmi klub atletik me siguri në botë, që shpallet kampion kombëtar i shtetit të saj, pa pasur pistë atletike! Ajo e cila para pak ditëve, përmes atletit të saj Izmir Smajlaj, i dha Shqipërisë arritjen më të madhe që një atlet i saj ka mbërritur deri më sot në Lojërat Olimpike (Rio 2016), por dhe në Kampionatin Europian (2016).
Po, nga ana tjetër, edhe kryeqyteti Tiranë sot është i vetmi kryeqytet në botë pa asnjë pistë atletike!… I kthehem Shkodrës, megjithatë. Asaj, e cila tash, krejt papritmas, u bë qytet ndërkombëtar futbolli. Ishte nisur më 2003-shin me Rusinë 3-1 për Kupën e Kombeve të Europës. Për fatalitet po e konsakrojnë më 2016, po me Rusinë, por e Kupës së Botës: “Russia 2018”, siç thotë emblema zyrtare e FIFA-s! Të duket si një përsëritje shembullore e historisë!.. Kjo qenka Shkodra. Ky qenka shpirti i madh sportiv qytetar i Shkodrës. A thua e kuptuan më në fund, ata, moskuptuesit?
Edhe pse nuk dinë të kujtojnë sadopak rrënimet e dikurshme të Regjimit, i cili pat hedhur në erë Kishën mijëvjeçare të Vaut të Dejës, pat shkallmuar e zhdukur kisha e xhami sa të duash! Pat zhdukur Pazarin e Shkodër me 4000 dyqane! Pat flakur tej në Kir eshtrat e At Fishtës! Pat djegur në oborre kishash, librat më të vjetër shqiptarë e të kulturës kombëtare? Dhe jo në kohën e Inkuizicionit, por më 1967! Jo, jo, nuk ka asnjë përngjasim me këto që po guxoj t’i kujtoj! Ka vetëm një mëdyshje: Shkodër, a me të vërtetë të duan?…
Nuk është një pyetje retorike, mbrapa së cilës vjen pohimi pozitiv. Mbas Stadiumit do të duhej të ringrihej Kafja e Madhe. E para kafe moderne e Shqipërisë, aty ku para saj është fiksuar fotografia e famshme e Asdrenit me Lasgush Poradecin, me Ernest Koliqin e Tefta Tashkon. Aty, kur ka hyrë Gjergj Fishta, njerëzit janë ngritur në këmbë e fëmijët jashtë rrinin në radhë për ta pritur e për t’i puthur dorën. Mbas Stadiumit, do të duhej të pyllëzohej shpati i Taraboshit në breg të Liqenit, deri në kufi me Malin e Zi. Do të duhej të shpërthenin rrugët e reja për në Alpet, bukuritë mahnitëse të të cilave veç të huajt po na i ngrenë lart.
Do të duhej që, ashtu si te Piazza e famshme e stilit vjenez, qoftë dhe në miniaturë, po ashtu si te rruga e Gjuhadolit e Fototeka “Marubi”, të fillojë përtëritja anë e kënd. Deri në kalanë mitike të Rozafës, për t’ia meremetuar rrënimet e kohës, ashtu siç bëjnë vendet e tjera. Do të duhej mandej që edhe rruga ime “Lekë Dukagjini”, që nis në Rus Maxhar e mbërrin deri te qyteti i vjetër, aty përtej Çinarit të Tophanës, të përtërihej e të shndriste sadopak në autenticitetin e saj.
Mandej do të duhej të dilnin disa guximtarë, që të ringrenin të paktën Bezistenin e Pazarit të Vjetër nga themelet, siç ka vepruar bota perëndimore me qytete të tana që u bënë pluhur, qysh nga Drezdeni e Varshava. Mbi të gjitha, do të duhej të ndalnin në Shkodër e të pyesnin veten: Çka i dhamë këtij qyteti antik e modern, të lashtë e europian, në 25 vjet të përmbysjes së atyre që nuk e deshtën e nuk e zhvilluan ekonomikisht? E, mbasi të fillohej me të gjitha këto, atëherë do të thoshim: “Po Shkodër, kuptoje se të duan”.
*Një “antitezë” historike e një shkrimi të dy vjetëve më parë.
Komentet