At PJETER MESHKALLA S.J.
(1901 – 1988) Grafikë nga F.Radovani.
Edhe pse vitet kalojnë…
Edhe sot na ushton ndër veshë zani i atij përbindshit të Shtetit Shqiptar, thirrjet e virrmat e fjalimit programatik të 6 Shkurtit 1967, të pasueme me brohoritje e duartrokitje nga turma e kriminelëve vrasës gjakatarë, komunistë e spijunë të Sigurimit të Shtetit, në shpalljen ma të turpëshme të Shekullit XX, në Atdheun e Kastriotit-Skenderbeut, Dedë Gjo’Lulit, Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, Bajram Currit, Isa Boletinit e Nanë Terezës, mu në zemër t’Evropës: “Shqipëria është Shtet ateist”, ”I VETMI SHTET NĒ BOTĒ ! (Art. 37 e 55 i Kushtetutës së Re: “Shteti nuk njeh më asnjë fe.”). Ky akt i turpshem tregon se kush ishte Ever Hoxha!
Asnjë nga pushtuesit e huej me shekuj të tanë, nuk kanë kërkue me zhburrnue Malët dhe me çveshë nga morali fushat, ashtu si vëproi për gjysëm shekulli okupacioni komunist e terrorist vrastar në Shqipni.
“Të djegim me zjarr…” ligjët e zakonet e një Populli, nga Vermoshi e deri në Himarë e Konispol, të djersitim me gjak shtyllat e Butrintit plak, apo të përdhosim me turp e marre lavdinë e Apolonisë e Krujës heroike, e të mos kursejmë asgja për me formue “njeriun e rinj” si veten.
Kjo ishte një arritje ma e shëmtueme e njeriut të depersonalizuem nga të gjitha tiparët fisnike, burrnore, mikpritëse e bujare të Shqiptarit, këta ishin pikësynimi i atij “Revulucioni Kultural” ashtusi sot.
“Kryqëzonje, kryqëzonje..!”, kjo ishte thirrja e atyne diktatorëve ma të mënershëm të historisë sonë kombëtare!
Vritni, vritni, burgosni, interrnoni, terrorizoni, frikësoni, përdhunoni, çnderoni, spijunoni, shpifni, servijoni, mashtroni, propagandoni, poshtnoni, torturoni e torturoni deri në vdekje dhe, “nëse ju mbetë kush në tortura, nuk do të mbani asnjë përgjegjësi penale…”, kështu, i udhëzonte Gjykata e Lartë Ushtarake e Republikës së Shqipërisë, me shkresë të veçantë, që i dërgonte hetuesve të Klerit Katolik Shqiptar.
(Dosja Nr. 2291, Arkivi Min.Mbrendshme).
Dyertë e Kishave e të Xhamive mbulohën nga “Fletë Rrufetë”. Mbyllet edhe Kathedralia njëqind e sa vjeçare e Shkodres. Përdhunohën varrezat e Kishave dhe tretën në lumin Drinazë Eshtnat e klerikëve atdhetarë të varrosun aty. Shkatërrohën me kulm e thëmel Kisha Monumentale e Shek. XIII e Vaut të Dejës, ku asht kunorzue Gjergj Kastrrioti.
Dhunohet ajo e Zojës Këshillit të Mirë pranë Kalasë “Rozafat”, Xhamija e Parrucës, Kisha e Jezuitëve etj., shkatrrohen. Plaçkitën Kisha e Xhamija dhe përvetësohën edhe ata pak libra të bibliotekave si dhe veprat e artit, të mbetuna nga vjedhjet e maparëshme, fillue që nga viti 1945.
“Duhej luftue e zhdukë pamëshirë Kleri Katolik Shqiptar”.
Arrestohet i pari At Gegë Luma (ashtusi në janar të vitit 1945) e, mbas Tij, Don Mark Hasi, At Pjetër Mëshkalla, Don Frano Illija etj. Terrori dhe ankthi mbizotnojnë kudo, por ato mbledhje që organizohën ndër lagjet e qytetit e kooperativave të fshatrave, që janë mjeti ma i mënerëshëm për me skllavnue një popull të pafajshëm.
Qendrimi heroik i Atyne Martirëve që kanë mbajtë ndër këto mbledhje, mund të thohët pa ndrojtje, se i ngriti Ata në piedestalin e Heronjve të Kombit Shqiptar dhe të Kishës Katolike Shqiptare.
As nuk u trembën, as nuk u tronditën, as nuk u thyen, por fituen Lavdinë e meritueme dhe të përjetëshme:
At Pjetër Mëshkalla, At Gëgë Luma, At Frano Kiri, At Mark Harapi, Imzot Ernesto Çoba, Don Mark Hasi, At Gjergj Vata, Don Ndue Soku, Don Injac Gjoka, Don Marin Shkurti, Don Mikel Beltoja, Don Frano Illija, Don Shtjefen Kurti, Don Nikoll Mazrreku, Don Ndoc Ndoja, Don Pjetër Gruda, Don Nikoll Gjini, At Filip Mazrreku, Don Pashko Muzhani, etj. etj.
Ata u ndodhën para bishave t’egra me kokë njeriu si: Ever Hoxha, Mehmet Shehu, Haxhi Lleshi, Ramiz Alia, Kadri Hazbiu, etj., për të cilët “dyert” e Nurembergut e të Hagës janë të kyçuna, se nuk ka asnjë kod penal që mund të lajnë atë që kanë ba këto kobra katile, tue u zhytë deri në fyt në gjakun e viktimave të tyne të pafajshme, madje tue ua ruejtë edhe lavdatat e dekoratat dhe sot bashkë me kujdesin per pasuesit e tyne.
Shqipnia komuniste per ata Shqiptarë që e kujtojnë edhe sot atë kohë të tmershme nën ata diktator të pashpirtë dhe pa asnjë dukje njerzore, veç mund të kujtojnë “Oborrin e Pilatit”!! Besoj e kujtoni mirë at’ “Oborr” të mënershem edhe sot, kur po “shpopullohet Shqipnia”!
Nuk do të përshkruej imtësi rreth luftës kundër qytetnimit europjan, as kundër elementit katolik në veçansi, mbasi kur të lexoni këte letër që po botoj, besoj se asht e mjaftueshme me kuptue çka do të bahej aso kohe në Shkoder, mbas vitëve 1967:
Kryetarit të Këshillit të Ministrave
Mehmet Shehu
Tiranë
Shkëlqesë,
Pardje, me 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendët sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër tjera, se do të denonconim gjithëshka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjës dhe të fjetjës, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhët ti këthehën; dhe se nuk do t’ushtronim asnjë sherbim fetar, as edhe privatisht: Këte e ka vendosë populli.
Mendova të drejtohem me këte letër Shkëlqesës s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshej, por si njeriu njeriut.
Sa për libra të mij, gjana kishtare etj. le të vinë e ti marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe.
Por, unë dëshroj të çfaqë disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekëshme e Autorit, në mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit.
Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrënija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj përsoni o njaj enti të caktuem, të kërkohët rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditën.
Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vajë, si përfaqësuesin e fesë së vet.
Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë Kishat, tue u rrëzue kumbonarët e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë përsonat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit.
Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetët e propagandës. Si përgjigje, populli ka mbushë Kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Çë vlerë ka atëherë qendrimi i një pakice të pandërgjegjëshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh?
Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohët me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahët synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut.
Njerëzit kane frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”.
E kush po di se cilët janë! –Flitët shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po për këte të Shek. XX-të?
Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë.
Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për té.
Unë tham se, me këte luftë kundra fesë neve edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni.
Kur, në vj. 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë, u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishëm ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjigjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”.
Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejt me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjetë, sa i keni ba vedit.
Nuk më ka shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.
Krytarit të Kësh. të Ministrave Me nderime
Mehmet Shehu Pjetër Meshkalla
në Kryeministri – Tiranë meshtar katolik i Shoqënisë Jezu.
5 Prillë 1967.
***
I nderuem lexues!
Kjo letër i drejtohej kryekatilit Republikes së Shqipnisë.
Me të drejtë Prof. Arshi Pipa, shkruen për At Pjeter Mëshkallen:
“Bir’ i rrebtë i një Nanës së ashpër!”.
***
“Revolucioni Ideologjik e Kultural 1967”
Në Shqipni, solli si pasojë me Klerin Katolik Shqiptar:
TË PUSHKATUEM: (Me gjyqe, pa gjyqe dhe gjyqe të mëshefta)
1.Don ZEF BICI (1919 – 1968)
2.Don MARK DUSHI (1920 – 1968)
3.Don MARIN SHKURTI (1933 – 1969)
4.Don SHTJEFËN KURTI (1898 – 1971)
5.Don MIKEL BELTOJA ( 1935 – 1974)
TË VDEKUN NË BURGJE E KAMPE SHFAROSJE:
6.Imzot ERRNESTO ÇOBA (1913 – 1980)
7.Don ANTON DOÇI (1920 – 1973)
8.Don MARK HASI (1920 – 1981)
9.Don LEC SAHATÇIJA (1906 – 1986)
10.Don NIKOLL GJINI (1911 – 1987)
11.Don PJETËR GRUDA (1922 – 1989)
KLERIKË QË U ZHDUKËN NGA SIGURIMI I SHTETIT KOMUNIST:
12. Don MATISH LISNA (1924 – helmatisë 1958)
13. Don PRENKË NIKÇI (1921 – aksidentalisht 1974)
14. Don LAZËR SHELDIJA (1928 – 1988, asht vra në SHBA)
TË VDEKUN PAK KOHË MBAS TORTURASH NGA SIGURIMI I SHTETIT:
15.FLORIAN BERISHA SJ. (1897 – 1970)
16.Don LAZËR JUBANI (1925 – 1982)
VDIQËN MBASI VUEJTËN DËNIMIN:
17.At ÇIRIL CANI OFM. (1875 – 1967)
18.Don LAZËR DEDI (1919 – 1967)
19.Don PRENKË QAFALIA (1900 – 1967)
20.Don NIKOLL SHLLAKU (1886 – 1967)
21.Don NDRE LUFI (1878 – 1969)
22.At MARK HARAPI SJ. (1890 – 1974)
23.At MARJAN PRELA OFM. (1885 – 1974)
24.At GJON KARMA SJ. (1896 – 1975)
25.Don PAL GJINI (1905 – 1975)
26.At ALFONS ÇUNI OFM. (1900 – 1976)
27.Don NDUE SOKU (1922 – 1976)
28.Don LEKË DREDHAJ (1899 – 1976)
29.At MËHILL MIRAJ OFM. (1909 – 1978)
30.Don INJAC GJOKA (1916 – 1979)
31.At GEGË LUMAJ OFM. (1904 – 1980)
32.At DONAT KURTI OFM. (1903 – 1983)
33.At MËHILL TROSHANI SJ. (1904 – 1983)
34.At SEBASTJAN DEDA OFM. (1916 – 1984)
35.At FILIP MAZRREKU OFM. (1913 – 1984)
36.At FRANO KIRI OFM. (1902 – 1986)
37.At FERDINAND PALI OFM. (1907 – 1986)
38.Don MARIAN ARTA (1905 – 1986)
39.At AUGUSTIN ASHIKU OFM. (1906 – 1986)
40.At PJETËR MËSHKALLA SJ. (1901 – 1988)
***
Vendosja e Diktaturës komuniste në Shqipni në 1944, solli si pasojë, që prej 228 Klerikë Katolik që ishin në vitin 1944-45, me vra e me zhdukë deri në vitin 1990:
66 Klerikë u pushkatuen dhe u mbyten në hetuesi, burgje e kampe shfarosje. Ndersa 65 Klerikë tjerë vuejtën gati 9 shekuj dënime ndër burgje e kampe shfarosje.
Gjithësejt provuen ferrin komunist 131 Meshtarë Katolik.
At Pjeter Meshkalla S.J. ka thanë:
“Kleri Katolik Shqiptar asht kleri ma heroik që ka me cilësue historia në rrugën dymijëvjeçare të Krishtit, sëpse, mbas pesëqind vjet robnije nën Turqi, po të merret historikisht prej vitit 1912, kur Shqipnia u formue si shtet e deri me 1944, që këtu, erdhën në fuqi komunistët, janë vetëm 30 vjet mundësi me formue një Kler Shqiptar e, për 30 vjet, me nxjerrë aq Heronjë sa kemi nxjerrë na, nuk ka asnjë kler në Botë”.
Melbourne, 2 Prill 2024.