Sonte është një natë e madhe për Shkëndijën. Skuadra e madhe shqiptare nga Maqedonia do ta zhvillojë ndeshjen më të rëndësishme në historinë e saj. Të mbështetur nga tifozët e shumtë shqiptarë kuqezinjtë do të përpiqen ta shkruajnë historinë në Shkup shkruan Zëri. Ata kërkojnë fitore kundër Gentit për t’u kualifikuar për herë të parë në Europa League. “Ecologu” i Lazim Destanit ka ofruar premi të majme për futbollistë, vetëm e vetëm që të “flitet” edhe shqip në edicionin e ri të garave evropiane
Shkëndija ka mbetur shpresa e vetme e gjithë shqiptarëve për t’i përfaqësuar në garat evropiane në edicionin e ri. Skuadra e madhe shqiptare nga Maqedonia të enjten mbrëma, në stadiumin “Filipi i Dytë”, në Shkup, do ta zhvillojë ndeshjen më të madhe në historinë e saj.
Tetovarët do ta zhvillojnë takimin kthyes ndaj Gentit, prej të cilit ka pësuar humbje prej 2:1 në ndeshjen e parë të “Play-Off”-it për Europa League.
Pavarësisht humbjes, shqiptarët kishin zhvilluar lojë shumë të mirë në Belgjikë dhe kjo ka bërë që Shkëndija dhe tifozët e saj shqiptarë ta presin ndeshjen kthyese me besim të madh se do t’ia dalin ta përmbysin disavantazhin dhe të kualifikohen për herë të parë në fazën e grupeve të Europa Leagues.
Trajneri i ekipit shqiptar, Bruno Akrapovic, ka thënë të mërkurën se djelmoshat e tij janë të gatshëm për sfidën e së enjtes, duke shprehur besimin se Shkëndija e tij ka mundësi ta eliminojë Gentin e fortë.
Por, për këtë ai ka kërkuar angazhim maksimal nga futbollistët, por edhe përkrahje të tifozëve.
Në anën tjetër, edhe kapiteni Ferhan Hasani ka pohuar se bashkë me shokë janë plotësisht të gatshëm për t’u ballafaquar me potencialin e belgëve, të cilët futbollisti i njohur shqiptar beson se do t’i mposhtë Shkëndija e tij. “Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e lojës.
Do të ballafaqohemi me një kundërshtar të fortë, por në ndeshjen e parë pamë që kemi ekip cilësor dhe mund të përballemi me kundërshtarin”, ka deklaruar Hasani. Ndeshjen ndaj Gentit ai e konsideron historike për Shkëndijën dhe futbollin shqiptar.
“Për ne ky është një moment historik dhe besoj se të gjithë do ta japim më të mirën për të fituar dhe për t’u kualifikuar në grupet e Europa Leagues”, ka potencuar Hasani.
Ai ka kujtuar se derisa ka arritur në “Play-Off” Shkëndija ka arritur t’i kalojë tri skuadra tjera të forta, kështu që nuk është e pamundur për ta kaluar edhe Gentin.
“Nëse luajmë si në ndeshjet tjera, në mënyrë ekipore e kolektive, atëherë besoj se mund ta arrijmë qëllimin”, tha Hasani.
Klubi kuqezi viteve të fundit është rritur, është bërë evropian falë investimeve dhe menaxhimit superior nga kompania gjigante shqiptare “Ecolog” dhe pronari i saj Lazim Destani.
Biznesmeni i njohur shqiptar e ëndërron qe shumë vite pjesëmarrjen e Shkëndijës në Europa League, sikurse çdo tifoz tjetër shqiptar në Maqedoni, të cilët krenohen me Shkëndijën, e cila është duke e marrë primatin në futbollin e shtetit fqinj.
Për ta kënaqur çdo shqiptar Destani u ka ofruar premi të majme futbollistëve, në mënyrë që t’ua shtojë akoma më shumë dëshirën e vullnetin për ta mposhtur ekipin belg.
“Bonuset gjithmonë janë motivuese për futbollistë. Por kësaj here nuk kryen punë bonusi sa dëshira për fitore. Motivi ynë është kualifikimi në grupet e Europa Leagues”, tha kapiteni i kuqezinjve.
Shkëndija nuk ka qenë asnjëherë më afër pjesëmarrjes në një garë të madhe evropiane. Por klubi kuqezi ka shprehur nevojë edhe për përkrahje sa më të madhe të tifozëve.
Shkëndija i ka zbritur çmimet e biletave, duke i ftuar tifozët shqiptarë nga Maqedonia, Kosova e Shqipëria që të bashkohen në Shkup për t’i ndihmuar skuadrës.
Çmimi i një bilete do të kushtojë më pak se 2 euro, ndërsa është vërejtur edhe interesimi i madh i tifozëve për t’i dalë në ndihmë Shkëndijës.
Përpos Shkëndijës të enjten luan edhe Partizani, i cili thuajse i ka humbur gjasat për kualifikim sikurse që janë eliminuar ekipet tjera shqiptare. Ndeshja ndërmjet Shkëndijës dhe Gentit do të fillojë prej orës 20:00.
Komentet