Në foto: z.Zaloshnja duke përveshur mëngën e z.Bojaxhi
I dashur Shef Edi!
Unë shkencëtari mediatik i preferuar i rilindjes, kam në duar sondazhin e radhës të realizuar sipas një metode eliptike të përzgjedhjes së rastësishme sipas satelitit.
Pra kjo metodë konsiston këtu:
Mora gjithë kandidatët politikanë i vura sot në radhë, kyça sytë dhe përzgjodha.
Koinçidoi që sondazhi do bëhej për Gjergj Bojaxhiun. Lidhur dhe me ngjarjet e fundit ku të gjithë mësuan se Gjergji është miliarder, u vërtetua se energjia ime është në harmoni me Universin, sepse vetëm kjo mund të shpjegonte që me sy kyçur mund të përzgjidhja Gjergj Bojaxhiun.
Atëherë sondazhin e vazhdova sipas rendit eliptik të përzgjedhjes rastësore me satelit. Mora një hartë të Tiranës kyça sytë dhe caktova 10 pika.
Tre pika ishin institucione; kështu që sipas regullave nuk u morën në konsideratë fare.
Katër ishin shtëpi të kohës së Enverit me banues të moshës së tretë. Njëra koinçidoi të ishte shtëpia e tezes time.
Një pikë tjetër më qëlloi ajo banjua publike që është tek Liqeni dhe që tashmë është shkatëruar.
Ndërsa pika e fundit ishte një lokal metalarësh.
Atëherë më duhej të bëja sondazhin me shtëpitë, pasi banjua publike kishte vetëm ca qenë të cilët ishin vaksinuar dhe ishin lëshuar rrugëve për të zbukuruar skenografinë, ndërsa tek lokali i metalarëve s’ma mbante të shkoja se kam frikë nga tipat me mjekër, madje ja shpreha si shqetësim dhe Gjergjit kur u kthye nga Himalajet, se ngjante si metalar.
E fillova nga tezja meqenëse na erdhi për vizitë në fundjavë dhe e kisha nga dhoma tjetër.
Shkoj në dhomë dhe tezja nuk ishte, i thirra sa kisha fuqi: “O Tezeeeeee”
U përgjigj nga tualeti. U afrova tek dera e tualetit dhe e pyeta:
“O teze a do ta votoje Gjergj Bojaxhiun tani që doli sheshit se është miliarder dhe ka bërë lekë të paparë?”
Tezja m’u përgjigj direkt:
“Pooo, merri tek portofoli që e ke mbi komodinë, po m’i ke borxh personal ama.”
E shënova direkt përgjigjen ‘PO’ në fletore.
Duke qenë se sondazhet e mia e kanë përherë marzhin e gabimit të barabartë me 1, e duke qenë se rrethanat e sollën që të pyesja vetëm tezen, duke shtuar këtu dhe faktin që laj-thaj 1 teze kam, krijohet bindja e shëndoshë eliptike se elektorati dhe votuesi shqiptar ka pasuruar shpirtin dhe zemrën kur ka mësuar se si i kishte pasuruar Gjergj Bojaxhiu xhepat.
Pra i dashur Shef Edi, mund të themi pa frikë, se tani që shqiptarët mësuan se Gjergji Bojaxhi është miliarder; do krruajnë astarët e xhepave për t’i dhënë atij dhe qindrakën e fundit; me qëllim që Gjergji t’i mbrojë këta qytetarë të varfër në xhepa por të pasur në shpirt, nga ky sistem i ndyrë dhe i padrejtë, që siç na ke mësuar ti Shef Edi, duhet dhe ta shajmë nga pak, por pa e bërë baltë.
Dëgjohemi në sondime të tjera eliptike apo trapezoidale sipas rastit.
Eliptikisht i joti, E.Zaloshnja.
*E-mail i mbërritur në redaksi me ‘forward’ nga adresa: [email protected]
(HashtagAlbania)
Komentet