Kanë shkëmbyer mendime Ylli Manjani dhe Elida Buçpapaj, në lidhje me opinionin “Narrativë: Adi Krasta, Ylli Manjani, Anna Shkreli dhe Barrakudat”, të cilat po ia sjellim lexuesit si më poshtë:
Kritika është gjëja e duhur në komunikimin publik
Fort e nderuar zonjë.
Pikë së pari të falenderoj për vemendjen që më kushton, pavarësisht përbetimit që nuk do ndiqni më emisionin ku unë jap opinionin tim ashtu si e kam.
Faleminderit vërtetë.
Së dyti, kritika është gjëja e duhur në komunikimin publik dhe kritika juaj meriton respekt.
Nga ana tjetër dëshiroj të saktësoj se unë kurrë të vërtetën qe kam nuk them për gjysëm. E them ashtu si kam dhe të plotë, pavarësisht kostos.
Me sa kuptova, kritika Juaj bazohet në ndasinë artificiale “e majta” dhe e “djathta” dhe, mbi këtë bazë përpiqeni që gjeni një konflikt interesi ndërmjet meje që sipas Jush jam “i majti” me Belindin “e djathtë”.
Ky “konflikt interesi” vjen nga fakti se unë fola mirë për prindërit “e majtë” të Annës “pa anë”.
Kështu?
Nëse do ekzistonte vetëm këndvështrimi Juaj në këtë botë, kjo e fundit do ishte shkatërruar me kohë.
Por njerëzit janë të lirë të mendojnë e të shprehin opinionin e tyre siç e kanë. Kjo liri na lejon edhe Ju e mua të komunikojmë edhe kur nuk pëlqehemi në ato që themi.
Ato që unë kam thënë për Belindin dhe prindërit e Annës janë e vërteta ime që buron nga njohje por edhe nga vështrimi kritik.
Ju mund të mos dakordësoheni me mua por unë këtë kam për të thënë.
Konflikti i interesit, si definicion qëndron kur në një mes të një marrdhënie qëndron interesi. Këtë të fundit nuk pashë ta kishe përmendur diku në aesyetimin tënd.
Po ta përsëris, Artan dhe Ledi Shkreli si i njoh unë jetojnë me punën dhe djersën e tyre pa i patur borxh askujt. Mund të mos biesh në një mendje me pikpamjet e tyre, që sjanë detyrimisht të majta, por ata nuk janë hileqarë dhe mashtrues. Janë dy qytetarë të mirë. Këtë të vërtetë e them pa u ndjerë fare në “konflikt interesi”, sepse nuk kam asnjë interes në këtë mes.
Kurse Belindi, po është djalë i ri që meriton mbështetje. Le ta zëmë se unë qenkam “i majtë” çfarë, nuk kam të drejtë të mbështes një kandidat qoftë edhe “të djathtë”? Seriozisht?!
Nejse, gjykova të komunikoj direkt me Ju, gjithnjë me konsideratë të lartë për vemendjen që më keni kushtuar.
Ju përshëndes.
————————
S’kam iluzione për partitë, jane establishmenti i ndyrë, por tek Njeriu besoj
I nderuar Z. Ylli Manjani,
së pari, ad literam, unë nuk iu referova profilit Tuaj, megjithë rezervat, por të A Show.
Ajo që shpreha unë zuri fill ngase aty u fyen portalët, gazetarët për opinionet e tyre si barrakuda, gazetarët u quajtën të poshtër.
Kur televizionet përfaqësojnë partitë, qëllimi i tyre është imponues dhe trushplares sepse heqin kostumin e pushtetit të katërt dhe veshin atë partiak. Dhe ne Shqipëri nuk ka mediume të pavarura.
Reagimi im është shkruar me shumë kujdes, rinia eshte kauza ime sot. Edhe qëllimi se përse unë shkruaj, sipas mendjes time, nuk është kurrë destruktiv, shkatërrues. Edhe në rastin Tuaj, nuk them asgjë kundërshuese, por e shpreh në mënyrë afirmative.
Sot s’kam iluzione për partitë, jane establishmenti i ndyrë, por tek Njeriu besoj.
Natyrisht, jeni i majtë dhe kjo s’ka asgjë të keqe, nuk mbështesni Sali Berishën dhe kjo diçka krejt normale në një sistem pluralist, por unë pyes, nëse do te kete vetëm të majtë a nuk po rrezikojmë të kthehemi në sistem monist!
Dhe këtu e kam hallin sepse PD është fundosur dhe assesi nuk përfaqëson atë kah politik të asaj pjese të elektoratit që përbën opozitën me orientim të djathtë.
Natyrisht, Ju nuk keni asnjë konflikt interesi në kontekstin e asaj që unë shkruaj, as të asaj që Ju thatë, nuk vë në dyshim as ato që Ju shprehni, pra edhe kur i referoheni prindërve të vajzës, unë kam simpati për nënën e vajzës si gjuhëtare, si zonjë pra unë nuk vë në dyshim as integritetin, as ato që thoni Ju.
Ajo që më shqetëson është katapultimi, bijtë e Etërve, trashëgimtarët, nepotizmi. Ketu ne Zvicer kemi 10 vjet Ilir Xhelil Gjonin që vijon luftën e klasave me stil modern.
Por kam parasysh edhe veten time kur në vitin 2011 mbështesja për kryetar bashkie Lulzim Bashën pa asnjë kontribut, me urdhër të Njëshit ! Dhe në kulmin e zhgënjimit kam të drejtë legjitime te dal me konkluzionin se ky tranzicion horrorr ka ndodhur sepse pushteti është shpërdorur nën syte tanë dhe nën opiumin e opinionistëve që i kanë shërbyer interesave vetiake, prandaj partiake por jo kurrë opinionit publik dhe shqiptarëve.
Pra të mos e zhgjas, ndaj Jush nuk shpreh asgjë që mund t’Ju bëj të ndiheni i cënuar.
Kur kam folur për konflikt interesi, favoritizëm, i jam referuar kandidatit, sepse mendoj se nuk mund të përfaqësojë PD, kur në krahun tjetër të politikës, në kontekstin e ngushtë familjar ndodhen zyrtarë të lartë prane Edvin Ramës dhe PS. Raportet mes dhëndërrit dhe vjehërrit, janë si midis babës e birit, tipike shqiptare, diçka shumë e bukur brenda familjes.
Por kryesorja është se PD po vijon trashëgiminë e Lul Bashës, duke ia zgjatur pushtetin atij qe eshte shkaku kryesor i kësaj kataklizme.
Megjithatë, unë nuk mbështes kurrë tezën se është më e mirë e keqja më e vogël. E mira është 180 gradë ndryshe nga e keqja. Dmth ai vend, Atdheu ynë i përbashkët dhe sidomos i Bijve tanë, i të gjithë Bijve tanë pa asnjë dallim shpëton vetëm kur në Shqipëri të vendoset shteti i së drejtës, kur të respektohet çdo gërmë e tij.
Respekte,
Elida Buçpapaj
Narrativë: Adi Krasta, Ylli Manjani, Anna Shkreli, Belind Këlliçi dhe Barrakudat – Nga Elida Buçpapaj