Kam njëzet e një vite që jetoj në SHBA dhe mbajë dy shtetësi, atë shqiptare dhe amerikane. Por fatkeqësisht nuk e paskam ditur se Shqipëria qenkërka mbretëri dhe se mbreti quhet Matthews Palmer. Ai që këtu nga SHBA urdhëron që ky dekret i Presidentit të Shqipërisë të zbatohet dhe ky tjetri të mos zbatohet. Cudi e madhe për mosdijen time, por cudi akoma më e madhe për politikanët e shtetarët shqiptarë që s’mund të bëjnë politikë për vendin e tyre dhe s’mund të qeverisin pa mbret?!!
Shkëlqesia juaj Palmer, me intervistës që i dhatë VOA-së, na treguat se keni njohuri fare të cekta për kauzën, veprimtarinë e opozitës shqiptare në këto gjashtë vitet e fundit dhe shkaqet e lënies mandateve, daljes në demostrata dhe mos hyrjes ne zgjedhjet vendore më 30 qershor 2019 etj. Ju thatë se nuk ka asgjë jo normale në qoftë se nuk voton njera palë! Po pse këtu në SHBA kritikohet Koreja e Veriut që voton me një kandidat? Ose, këtu në SHBA a ka ndodhur ndonjë herë që të mund të bëhen zgjedhjet vendore me një kandidat? Nëse jo, pse një fars e tillë duhet të bëhet në vendlindjen time që e ka emrin Shqipëri dhe që ju u bëtë shtytësi e mbështetësi kryesor i këtij neokomunizmi? Kjo është përgjegjësia juaj si shtetar në Administratën Amerikane, që me brutalizëm të merrni nëpërkëmbë dekretet e Presidentit të Shqipërisë dhe vullnetin e më shumë se gjysmës së popullatës shqiptare (opozitës)? Si taksapagues amerikan, unë protestoj ashpër kundër qëndrimeve tuaja të njëanëshme , të pa drejta, madje gjykoj edhe të pa nderëshme.
Nuk ju kam dëgjuar( Shkëlqesia Juaj Palmer), të flisni asnjë fjalë të vetme për kanabizimin e gjithë Shqipërisë, për sjelljen e kriminelëve në Parlament, në institucionet shtetërore qëndrore e lokale, për lidhjet e qeverisë së Edi Ramës me bandat kriminale, për korrupsionin galopant, për vjedhjen e vërtetuar të zgjedhjeve në Peshkopi e ato qendërore të 2017-tës!? Apo e keni mik Edi Ramën dhe s’mund ti thoni këto gjëra që unë përmenda më lart?
Por ju kam dëgjuar ( në 2017-tën) ti thoni Lulzim Bashës: po vure edhe një presje në dokumentin bashklidhur do ta quaj refuzim dhe do të keni gjithë përgjegjësinë për të ardhmen. Ashtu sic e trysnuat në intervistë (e sipër përmendur) se mund të shpallet non grata,organizatë e zezë apo edhe terroriste!!?
A e shihni ju Palmer se demokracia në Shqipëri është në buzë të humnerës dhe përplasja civile mund të bëhet realitet? A e shihni ju dhe vartësit tuaj në Tiranë se Shqipëria është kthyer në një shtet të tipit totalitar edhe me mbështetjen tuaj? A keni përgjegjesi edhe ju që Shqipëria për më shumë se një vit e gjysëm është pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë dhe pa një Prokurori funksionale? Pse ju e filluat reformën në drejtësi nga lart duke krijuar këtë paralizë të përgjithëshme institucionale? A ishit ju ata që morët përsipër drjetimin dhe menaxhimin e kësaj reforme? A e ndjeni vehten ndopak fajtorë për këtë katraurë qe gatuat?
Këto që po ju a them juve publikisht në këtë shkrim, ju a kam bërë me dije më parë edhe kolegëve të mi amerikan në Partinë Republikane. Në të njejtën kohë jam duke shpresuar që ta shohim njeri-tjetrin në sy, në një debat në Komisionin e Jashtëm të Kongresit Amerikan duke ju treguar ligjvënësve se si një shtetar amerikan transformohet në një “mbret” për një vend të vogël sic është Shqipëria. Por kjo Shqipëria e vogël nuk aq e “vogël” sa e imagjinon Palmeri, por është dashamiri më i madh i amerikanëve në botë. Palmer-at shkojnë e vijnë, por miqësia shqiptaro-amerikane i ka rrënjët larg që me Presidentin Willson njëqind vite më parë.
Komentet