Ka kohë që zjen çështja e ndërtesës të teatrit kombëtar. Gati si në një dramë e dilemë tragjike hamletiane: Ta prishim apo të mos ta prishim?
Teatri kombëtar si përmbajtje është i marrë fund për shkaqe të ndryshme, drama shqip është pothuajse inekzistente, tani kur flitet të prishet apo jo teatri, formulimi logjik është midis shprehjes dhe mosshprehjes. Bëhet fjalë në fakt për ndërtesën sepse për përmbajtjen e teatrit, fatkeqësisht degraduar nga politika kulturore dhe artistike krejt çfarosëse, as nuk bëhet fjalë .
Ta prishim apo mos ta prishim teatrin kombëtar, kur teatri është prishur!!! Jo, shprehja fsheh dhimbjen. Duke sikur psiqika e nëndheshme në këtë shprehje kërkon të mos pranojë faktin se drama shqip nuk lëvrohet më, nuk vihet më në skenë. Kur pashë Mirush Kabashin dhe Robert Ndrenikën, këta dy mjeshtra të mëdhenj të kombit, që ose recituan ose monologuan duke shprehur habinë e tyre, ndjeva se fjala e tyre politike ishte e bllokuar, dhe rregjistri i shprehjes së tyre shkonte drejt fjalës artisitike. Fjala artistike censuron fjalën politike. Sepse populli që të mblidhet atje ku e thërresin kërkon figura gati mitologjike aktorësh. Dikush tha aty se gjenerata e lavdishme nuk është më. Mjeshtrit që kanë arritur absoluten vlerore kanë ngelur dy ose tre kokrra.
Gjithsesi, përtej planeve të një aleance mes administratorësh me pushtet publik të hapësirave urbane dhe lobive të ndërtimit që shënohen me të drejtë me gisht nga protestuesit kundër idesë dhe projektligjit për prishjen e ndërtesës të teatrit, unë shoh dhe një simptomë psikanalitike, pra një sjellje e strukturuar në nën-ndërgjejgje. Simptomat janë, dhe duhet një përqasje psikanalitike jo medoemos frojdiste për ta nxjerrë neurozën kolektive në dritë.
Pyetja ime është: Pse duan ta shkallmojnë ndërtesën e teatrit për të bërë ndërtime aty, kur ende Tirana në qendër ka plot hapësira të lira?
Nevoja për hapësirë vitale sigurisht është ethëshme për betonizuesit hekurthyes, por ka ende vende akoma të pashfrytëzuara jo shumë larg metra në vijë ajrore nga aty. Pse pikërisht aty? Pse e ndërlikojnë situatën duke bashkuar në një të vetme shkallmimin e një vlere të pashoqe dhe të papërsëritshme të kujtesës kombëtare me krijimin e hapësirave pra trojeve të lira për ndërtim?
Nga ana racionale kjo nuk kuptohet lehtë. Por veç anës racionale, mendoj se ka një aspekt psikologjik, pra psikanalitik, që mund të shpjegojë gjithçka. Eshtë një nëndërgjegje kolektive vendim-marrëse që i bashkon të dy anët në një dhe prodhon krizë njësoj si gjendjet e skizofrenisë, si simptomat neurotike, ku pacienti kërkon të bëjë një veprim, dhe po atë çast prodhon edhe mekanizmat e frenimit të këtij veprimi, duke u luhatur si në një lisharëse psikologjiko-politike.
Pse kemi të bëjmë me impulse të interpretuara psikanalitikisht?
Pse kemi të bëjmë me një simbolikë vetëvrasjeje kolektive?
Pse ndërtesa e teatrit përpara sesa të jetë viktima e pafajshme e etjes ndërtuese, është shenja simbolike e një eutanazie mazokiste kolektive?
Ta marrim në shqyrtim çështjen duke analizuar shtresat e saj njera pas tjetrës.
Duhet thënë se radha e shkallmimit të ndërtesës të teatrit po vjen pasi janë shkatërruar një sërë vlerash paraprake. Ndërtesa e tearit është hallka e fundit simbolike e një sistemi shkatërrues që na ka pllakosur ndër vite. E para, sikurse theksova, ishte vlera e teatrit shqiptar, e dramës shqiptare, që u shkallmua. Teatri nuk mund të vihet nën urdhërat e politikës, ai është revoltë, madje koncentrat kritike racionale multisimbolike. Pastaj me shkallmimin e dramës shqiptare, mori goditje edhe vetë trupa artistike e aktorëve që në shumicën e radhëve janë të papunë që luajnë dramën dhe tragjedinë e tyre në rrugët e qytetit, në kafenetë e tij, ose në apartamentet e banimit duke u zbruhur në muskuj e në tru me paga të vogla ose me pensione qesharake.
Nuk ishte vetëm teatrit dhe trupa e aktorëve, por goditje ka marrë vetë arti kombëtar shqiptar. A e fshiu televizioni dhe politika gllabëruese e kanaleve televizive, a e fshiu globalizimi, a fshiu emigrimi i brendshëm që e boshatisi territorin shqiptar, a e fshiu Interneti, këtë e debatojmë njëherë tjetër sepse këtu dy mendje bëhen bashkë po aq sa mund të bëhen bashkë dy kokrra misri ndodhur në stomaqet e dy gjelave këndeza në majë të gardheve përballë njeri tjetrit. Por, një gjë dihet, një produkt sa populist pa shije, sa një arti kozmopolit, pse jo me vlera, e përmbytën artin shqiptar sikurse shega e importit e mundi shegën e vendit.
Por, iku dhe u shpartallua edhe hapësira urbane. Kaotike, pa formë, pa plan, e betonizuar, pa delikatesë, kjo hapësirë shpartalloi edhe shpërndarjen demografike proporcionale të vendit, duke na dhënë tablonë ku fshati rrethon qytetin dhe qytetin shkatërron vendin. Shikoni se kush merr më shumë ndihma sociale. Qytetarët. Atje janë mbledhur energjitë parazite të kombit, ndërkohë që njerëzit e papunë mezi presin t’i kthehen jetës të integruar profesionale.
Ra puna. Por, u shkatërruan edhe mjaft simbolika që shprehin solidaritete sociale. Ku ka sindikata? Ku ka shoqata funksionale? Ku partitë janë më shumë sesa organizma që rreth liderit, veç disa militantëve të ndershëm, mblidhen shtresa përfituesish të gatshëm për vende pune?
Ndërtesa e teatrit është rënia e fundit. Shkallmimi i fundit. Ra arti shqiptar, ra drama shqiptare, ra trupa e aktorëve, ra kultura artistike e popullsisë, ra qyteti duke u kthyer në fjetore e vend ndihmash sociale, ra arkitektura dhe vlerat e së kaluarës, ra trashëgimia kulturore. Tani duhet të bjerë edhe ndërtesa e teatrit sikurse bie një kokër mollë pasi ke prerë trungun e pemës dhe degët që e mbanin.
Po përse kjo përmbyllje obsesive te shkallimi i ndërtesës të teatrit? Pse kokolepset puna dhe mblidhet e pështillet te ndërtesa e teatrit kombëtar? Që te emërtimi. Quhej tetarit popullor, nuk ishte popullor. Quhet kombëtar nuk është kombëtar. Quhet ashtu sikurse nuk është, quhet ashtu sikurse nuk ka qenë. Këtu fillon shkallmimi i ndërtesës që mund të bëhet edhe për gjysëm ore. Tetari u shpartallua për disa dekada, ndërtesën e prishin brenda disa minutash. Minutat ngrihen mbi dekada.
Arsyeja nuk ka fuqi ta shpjegojë se përse shkallmimet arrijnë kulmin te dëshira për t’i venë minat ndërtesës të teatrit? Arsyeja jo, por nëndërgjegja nëse shpjegohet e bën të kuptueshme se përse historia ka ngecur aty.
Cfarë simbolizon e pandërgjegjshmja e teatrit, i cili projektohet materialisht te ndërtesa e tij?
Së pari teatri është lojë, është maskë.
A nuk është se ka kaq shumë hipokrizi në jetë, tonë sociale, sidomos në politikën që na drejton? Thonë se jemi në demokraci, por kush nuk e di se cili është vendi i qytetarit në sistemin tonë politik sot? Cili është vendi i publikut në komunikimin masiv sot? Sa i lirë është qytetari sot të shprehet ta zemë në radiotelevizionin publik? Sa shoqëria jonë ngre njeriu me vlera dhe ul atë me vese morale? Kuptohet se midis atyre që na propagandohen dhe atyre që ndodhin realisht ka një hendek të madh. Hipokrizia është sheshit. Por, sui generis loja sociale dhe politike është lojë si gjithë të tjerat, dhe pra mishërohet te kulmi i lojës, te loja aktoriale, te teatri.
Inati me teatrin, fshirja e ndërtesës të teatrit në nën-ndërgjegje ka dëshirën e pathënë për fshehjen e lojës, fshehjen e fshehjes.
Teatri është treguesi më sintetike i skizofrenisë midis aktorit artist dhe aktorit njeri. Dy fytyra, si në politikë. Dy fytyra si edhe publiku që qan ndonëse e di që drama në skenë është lojë. Loja është pseudongjarje, por më e vërtetë sesa një ngjarje e vërtetë, edhe reagimi i publikut është pseudoreagim sepse edhe qan edhe luan, edhe voton edhe luan, edhe shkon në mitingje edhe voton. Fshirja e ndërtesës të teatrit në rrafshin psikologjik është ikje nga fajësia e dyfytyrësisë që na mundon si komb e si politikë.
Ja sindromi i parë.
Së dyti teatri që simbolizohet nga ndërtesa e tij si një lloj stigmati material trupor, është një shfaqje me spektatorë. Dhe kjo mbledh në vetvete dhe bën komb si në simptomat neurotike dy elemente të ndërlidhur ngushtë me njeri tjetrin.
E para që spektatori gjykon shfaqjen.
Sidomos në pushimet mes akteve dhe pastaj pas shfaqjes. Në shfaqje ndofta është i magjepsur, i manipuluar, por jashtë saj, nis të gjykojë dramën, personazhet, lojën aktoriale, rregjinë, skenografinë, vetë aktorët. Koha i jep të drejta spektatorit dhe jo aktorit. Spektatori gjykon në fund aktorin. Por, kjo simbolikisht është shqetësuese për pushtetarin, vendim-marrësin, elitat sunduese. Prandaj ndërtesa e teatrit paguan haraçet e dramës të teatrit, e teatrit si art skenik, sepse atje spektatiori gjykon shfaqjen dhe aktorët. Opinioni gjykon politikën. Sigurisht kjo nuk sjell qetësi shpirtërore për këta të fundit prandaj shkreptimat e rrufeve bien mbi ndërtesën e teatrit që në fakt paguan sipas një sistemi zhvendosës, aq i njohur në psikologjinë analitike, haraçet simbolike që teatri duhet t’i paguajë politikës.
Por, së dyti, spektatori në një shfaqje të dobët edhe mund të largohet nga salla.
Tmerri i aktorëve, ai inkoshienti, i pathënëshmi, është pikërisht ky: Po sikur të ikin të gjithë, po sikur të nisin të më fërshëllejnë? Një ikje e spektatorëve nga salla për shkak të lojës të keqe të aktorëve i ngjan simbolikisht një ikjeje masive në emigracion, që e le politikën të luajë pjesën pa spektatorë, i ngjan një injorimi të procesit të votimit ku elektorati nuk vjen te kutitë ku hidhet vota. Eshtë vërtet një ëndër e keqe që duhet fshirë. Kjo bën të fshihet ndërtesa, kjo bën që te ndërtesa në fakt shprehin inatin për teatrin.
Se treti, teatri është midis realitetit dhe mitit që nga koha e tragjedive greke aq bukur rrëfyer nga Frederik Niçka kur flet për artin skenik që luhatej midis Apolonit dhe Dionisit.
Marshall Mc Luhan rrëfen në veprat e tij se në Londrën e shekullit 18 dhe 19, aktorët që luanin role negative duhej të iknin nga deriçkat e ndërtesave të teatrit. Përballë përndryshe i priste një turmë spektatorësh që donin t’i ndëshkonin për rolet negative që kishin pasur në skenë. Donin t’i rrihnin. Aktori është miti zëvëndësues i mitologjisë të politikanit përpara turmave. Eshtë hija e politikanit, është personi që ka protagonizëm, është heroi që luan heroin. Eshtë heroi prej gjasme që mund të merret si heroi i vërtetë, që prodhon dëshirën dhe urinë për heronj.
Politika ka rivalitet me të gjitha fushat e tjera ku ngjizen individë që kanë pushtet moral mbi masat. A nuk u rrasën burgjeve klerikët ose u vranë? A nuk u shpartalluan nëpunësit? A nuk u çuan në derexhe të fundit njerëzit e drejtësisë? A nuk i shpartalloi profesorët ligji për arsimin e lartë? A nuk i hapërdamë futbollistët e kombëtares sa hap e mbyll sytë pasi i hypëm në një autobuz të hapur shëtitur rrugëve si Akili duke tërhequr rreth Lanës trupin e Hektorit? Ndërtesa e teatrit tërheq mbi vete inatin me teatrin, sepse arti skenik prodhon plastikë individësh të adhuruar nga turmat. Inkoshienca e politikanit e do këtë, të luajë vetëm në skenat e vendit. Skena e mitingut të mos konkurrohet nga skena e tetarit, nga auditoret, të mos brohorasi tifozi futbollistin në fushë. E gjitha do të ishte një energji e ikur kot politikisht.
Prandaj ka një urrejtje simbolike që përplaset te muert e dobëta të ndërtesës të teatrit, e cila në fakt paguan inatin kolektiv politik kundër teatrit.
Pse kemi atje një vetëvrasje simbolike kolektive?
Sepse pasi mbi teatrin shfryn instinkti i thanatosit që mundon, dihet sikurse thamë që shkallmimi i ndërtesës të teatrit është fundi i një procesi, ku pastaj gjithçka mbaron. Kap fundin e vet. Nuk ngelet asgjë më. Eshtë përmbyllja e asgjësimit. E vetëasgjësimit. Dihet se gjithçka kërkon të marri estetikën e një shfaqjeje. Pra, të një drame që luhet me spektatorë. Nuk thoshte kot Shopenhaueri se njeriu vendos në skenë ikjen e vet nga kjo botë dhe kundron me sytë e mendjes se çfarë do të bënin të tjerët kur ai nuk do të ishte më. Tundim i madh njerëzor. Edhe bukuri edhe tmerr, një botë vetëm me spektatorë, pa aktorë. Jo kjo nuk duhet t’i shkojë askujt ndërmend. E këtu duhet goditur teatri, me ligj, sepse ai është pikërisht një vetëvrasje me gjykatës që komentojnë. Ne na duhet një vetëvrasje pa spektatorë, pra nuk na duhet as simboli i ndërtesës të teatrit.
Teatri është ndërgjegja kombëtare.
Teatri dhe shtypi janë dy instrumentet që kanë formuar kombet moderne. Ndërtesa e teatrit është mitra ku është ngjizur kombi. Tetari është demokraci e mirëfilltë sepse është dialog me rregulla, pa zhurma, ku çdo tingull ka kuptimin e vet, si në demokracitë e vjetra orale. Cfarë do të realizojë ky dialog racional që i nësnhtrohet kodeve të shenjta dhe që luhet jo prapa skene por para syve të spektatorit,: përballë dritave të skenës?
Unë mendoj se askush nuk do të jetë në gjendje ta shkallmojnë ndërtesën e teatrit. Sikur të mos doja edhe unë siguri për atë ndërtesë sublime do të kisha thirrur: Lerini ta shohim a do të kenë fuqinë psikologjike ta prishim dot? Unë nuk besoj se ka nga ata që e përballojnë fajësimin që sjell kënaqësia e çastit për ta fshirë nga fusha pamore diçka që sjell trauma të papërballueshme. Vetëfajësimi eternel pastaj do të bënte një brejtje të pabërballueshme. Me gisht do të shënohej kushdo që do ta ndërmerrte atë akt jashtë kontrollit të arsyes. Dhe në gjunjë do të binte duke qarë me lotë, pa mundur më të riparonte atë që u shkatërua pikërisht se ka ngjizur kombin dhe që simbolizon demokracinë. Atë që me heshtjen, ndoshta me amiantin e vet, na tregon se kush jemi e nga se vuajmë.
Komentet