Kryetari i opozitës, Sali Berisha, postoi sot një mesazh ku shkruante se vizita e fshehtë e drejtores së Shërbimit Inteligjent të Shqipërisë në Beograd është një kërcënim për sigurinë e Kosovës, Shqipërisë, rajonit dhe NATO-s.
“Kjo vizitë e saj në Beograd për kohën që zhvillohet, por dhe background-in e shkarkimit të saj nga autoritetet e Kosovës, dëshmon se ajo u emërua në atë post si një urë lidhëse konfidenciale midis Ramës dhe sivllaut të tij Vuçiç, në bashkërendimin e veprimtarive të tyre kundër Kosovës dhe jo vetëm,” shkruante Berisha, duke iu referuar lajmeve të medieve kosovare për shkarkimin e Hysenit në Kosovë për shkak të lidhjeve të dyshuara për Serbinë.
Interesant është fakti se SHISH nuk e ka përgënjeshtruar kurrë këtë vizitë.
Në mënyrë indirekte, ky lajm u konfirmua nga SHISH dhe mediat e Edi Ramës, të cilët shpërndanë një ‘fake news’ për të zhurmuar deklaratën e Sali Berishës.
Kryetari demokrat, Sali Berisha nuk deklaroi kurrë se vizita ka ndodhur prej dhjetë ditësh, por kjo ishte një shpikje e medieve të Ramës për të mbuluar saktësinë e lajmit.
Portali kosovar ‘Nacionale’ dhe më pas televizioni i Ramës, Top Channel dhe një seri portalesh shqiptare të qeverisë si Tema e Dita, raportuan se vizita nuk ka ndodhur për shkak se me 22 maj, Vlora Hyseni ka qenë në Shqipëri në një ceremoni të organizuar për stërvitjen Defender 2023. Madje publikuan edhe disa pamje për këtë gjë, pa asnjë lidhje me faktin e denoncuar nga Berisha. Kryetari demokrat shkruan në komentin e tij se drejtoresha e SHISH e ka nisur punën e saj me një vizitë sekrete në Beograd, pa përmendur 10 ditët e fundit.
Por nga ana tjetër, lajmin për vizitën e Hysenit në Beograd gjatë dhjetë ditëve të fundit e kanë shpërndarë para pak ditësh disa portale të gazetarëve pro-qeveritarë si Pamfleti dhe Prapaskena.
Ky është një tjetër konfirmim se vizita ka ndodhur, por më e rënda në këtë histori është përpjekja e qeverisë përmes medieve të saj për të hedhur një ‘fake news’ në qarkullim kundër kreut të opozitës.
Kujtojmë se Vlora Hyseni u shkarkua nga posti i nëndrejtoreshës së agjencisë së inteligjencës në Kosovë pas dyshimeve për lidhje me Serbinë.
Katapultimi i saj në krye të SHISH në Shqipëri ishte një lajm i rëndë që vinte në kohën kur Rama e kishte vendosur nën kontroll këtë institucion përmes një këshilltari personal.