Teksti i mëposhtëm është shkëputur nga takimi i LQSHA që drejtohet nga ish Kongresmeni Amerikan me prejardhje arbëreshe JOE DIOGUARDI dhe bashkëshortja e tij, ekspertja e Ballkanit SHIRLEY CLOYES DIOGUARDI me Senatorin Demokrat Amerikan :
“LIDERSHIPI JUAJ DO TË BËJË NDRYSHIMIN SENATOR MENENDEZ”-
“Sot është një ditë e mrekullueshme. Jemi shumë të lumtur senator Menendez, që keni patur mundësi të na bashkoheni në shtëpinë e anëtarit tonë të Bordit Ekzekutiv prej 30 vitesh Agim Aliçkaj me anëtarët dhe mbështetësit e tjerë të Ligës.
Si kryetar i Komisionit të fuqishëm të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, ju jeni shumë më përpara se të gjithë për çështjen e konfliktit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ju e kuptoni më mirë se kushdo se zgjidhja qëndron në njohjen reciproke, jo në krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Është më e rëndësishmja për ne të dëgjojmë vlerësimin tuaj për situatën dhe mënyrën se si duhet të zgjidhet.
Ne kemi mbështetur Presidentin Biden si një nga liderët që e kupton situatën. Por ai si duket e ka lënë çështjen te individët e Departamentit të Shtetit me mentalitetin të vjetër e të dështuar.
Ata janë renditur pas Bashkimit Evropian, të cilit për të marrë vendime i duhet konsnsus, përderisa shumë nga anëtarët e tij janë pro-serb dhe pesë nga ata nuk e njohin ende pavarësinë e Kosovës.
Ne mbështesim qeverinë aktuale të Kosovës dhe kryeministrin Kurti. Ata kanë bërë një përparim domethënës në ndërtimin e demokracisë dhe luftimin e korrupsionit.
Për këto arsye shpresojmë që ju do të mbani Dëgjimin e parë në Kongres për të trajtuar këtë çështje dhe për t’i kundërshtuar qëndrimet e Departamentit të Shtetit. Kur ata dhe të tjerët, veçanërisht pesë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, të shohin lidershipin tuaj, mund të ndryshojnë në mënyrë dramatike.
Së fundi, nëse nuk e ndalojmë përzierjen e Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor, do të jetojmë në një kohë dhe vend tjetër shumë të rrezikshëm.