I dashur mik dhe përkrahës,
Kontrasti në mes të Serbisë dhe Kosovës nuk mund të ishte më dramatik. Në Serbi, një grup i vogël udhëheqësish kontrollojnë vendin dhe kanë lidhje të forta me Rusinë. Në Kosovë, kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani përfaqësojnë demokracinë që ka të bëjë me lirinë.
Ironia është se disa pjesë të Evropës Perëndimore dhe disa anëtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit i janë përkulur Serbisë, duke i kërkuar vazhdimisht Kosovës që t’i bëjë lëshime Beogradit dhe, në veçanti, duke insistuar që të krijohet Asociacioni i Komunave Serbe dhe që kryeministri Kurti të ulet në tryezën e bisedimeve pa e njohur më parë Serbia Kosovën si shtet të pavarur.
Qeveria serbe vazhdon të refuzojë integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës dhe të përqafojë Rusinë. Ndërkohë, në vend që ta njohë Kosovën si forcë demokratike në Evropën Juglindore, Perëndimi ka vendosur sanksione ndaj Kosovës dhe pesë qeveri – Greqia, Sllovakia, Rumania, Qiproja dhe Spanja – kanë refuzuar të njohin pavarësinë e Kosovës. Si rezultat, Kosova nuk ka qenë në gjendje që të bëhet plotësisht e pavarur dhe anëtare e Bashkimit Evropian që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008.
Gati dy dekada më vonë, zgjedhjet parlamentare të Kosovës do të mbahen më 9 shkurt 2025. Për partitë më të mëdha politike në Kosovë do të jetë e rëndësishme që të lënë anash garën e tyre për pushtet dhe të mbështesin kthimin e partisë qeverisëse Vetvendosje të kryeministrit Kurti. Pse? Sepse qeveria aktuale ka treguar se po punon për të mbrojtur interesat e vendit dhe ka pasur forcën për t’u bërë ballë hapave që e kishin copëtuar Kosovën në një kohë kur demokracia është në krizë në disa pjesë të Evropës Perëndimore dhe Lindore.
Siç tha Serge Schmemann, një anëtar i bordit redaktues të New York Times i specializuar në çështjet ndërkombëtare, në artikullin e tij të opinionit të 12 janarit 2025 në The Times, (duke cituar një koleg): “Është e vështirë të udhëtosh në Evropë këto ditë apo edhe të jetosh në Uashington pa e ditur se demokracia liberale tani ka probleme serioze në botë.”
Ironia është se Kosovës i janë vendosur sanksionet kur ajo duhet të njihet si një demokraci dhe e cila nuk ka nevojë të jetë në krizë nëse të gjitha partitë politike bashkohen për njohjen evropiane. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që partitë politike të Kosovës të qëndrojnë pas përkushtimit të Kosovës për sigurinë dhe prosperitetin e Kosovës dhe të rajonit.
Është veçanërisht e rëndësishme që me presidentin e zgjedhur Donald Trump është emëruar Richard Grenelli si i dërguari i misioneve speciale, i cili ka një histori të favorizimit në mënyrë jo proporcionale të Serbisë, të mbështetjes së refuzimit të Serbisë që të njeh pavarësinë e Kosovës dhe të presionit e bërë ndaj Kosovës për të bërë lëshime politike dhe ekonomike. Me fillimin e administratës Trump, nuk ka asnjë garanci për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.
Fatmirësisht, ka shumë zëra të rëndësishëm që pajtohen me Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane se duhet të ndërmerren hapa për të njohur Kosovën si një zë i lirisë dhe për të sjellë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Evropën Juglindore, duke i qëndruar ballë së pari rolit të luajtur antishqiptarë të presidentit serb Aleksandar Vuçiqit dhe partnerëve të tij.
Besnik Biislimi, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës dhe krye-negociatori në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja me Serbinë, deklaroi më 30 tetor 2024 se, “Në një anë Serbia dërgon letra përkushtimi ndaj Komisionit Evropian ku shpreh vullnetin për të zbatuar obligimet që dalin nga procesi i dialogut, vetëm që të mund të marrin miliona euro nga BE-ja dhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Në anën tjetër, ata vazhdojnë të shkelin marrëveshjet, integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës dhe bëjnë çdo përpjekje duke vazhduar që të bllokojnë rrugën përpara të procesit të normalizimit”.
Atë ditë Bislimi bëri thirrje për heqjen e masave të padrejta ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, duke deklaruar se ato mbeten në fuqi edhe pasi gjetjet e Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, rekomanduan heqjen e tyre.
Ka ardhur koha për të vlerësuar qartë rolin destabilizues të Serbisë në Ballkanin Perëndimor, me lidhjet e saj me Rusinë dhe Kinën, dhe aderimin e Kosovës ndaj vlerave demokratike të Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Evropës Perëndimore.
Të gjitha të mirat,
Shirley Cloyes DioGuardi
Këshilltare për Çështjet e Ballkanit