Savra është një lagje e jashtme e qytetit të Lushnjes, vetëm 3 kilometra larg saj. Një lagje e varfër dhe pa formë, larg, shumë larg Europës, ku duam të shkojmë. Një lagje e ndërtuar në kohën e diktaturës komuniste dhe shëndrruar në një geto për mbi 1.500 jetë njerëzish. Pikërisht këtu, regjimi i egër komunist, ngriti një kamp internimi për kundërshtarët e tij politik. Njerëzit, që vuajtën këtu ferrin dantesk për më shumë se 40 vjet, qysh nga koha e krijimit të kampit, e quajtën Savrën gulagun shqiptar, pas atij të Spaçit, Gradishtës dhe Tepelenës.Njeriu, që shoqëron grupin e xhirimit të A1 Report dhe të Shqiptarja.com në një udhëtim të trishtë, por të nevojshëm në këtë lagje të harruar, është mësuesi i vjetër i fshatit, Vasfi Belliu. Ndërgjegja e tij e rënduar, edhe për shkak të moshës, nuk është e qetë. Si dëshmitar i kohës së diktaturës këmbët e sjellin herë pas here në ish kampin e internimit, ku jeta vazhdon të paraqitet si një gërmadhë e së shkuarës. Pamje e rëndë, trishtuese. Një mëhallë me shtëpi dhe baranga të pabanueshme, që shërbyen si strehë përmbi 70 familje me njerëz të pafajshëm.
Njerëz që, si gladiatorët në rendin skllavopronar, i nxirrnin çdo ditë në sheshet e mizeries të ndesheshin me vdekjen. Hijet e së djeshmes në kasollet, që duket sikur po japin shpirt, lëkunden si fantazma në dhomat e rënduara me kujtime të trishta. Në çdo kasolle çdo objekt, çdo send, fsheh mijra sekrete nga jeta e vështirë e banorëve të internuar nga regjimi i egër komunist. Lagjia, ose kampi i internimit, edhe sot e kësaj dite, është disi e veçuar nga dy lagjet e tjera të Savrës dhe pothuaj askush nuk është kujdesur më për këtë pjesëz Shqipërie, ku memoria e historisë është gati të shfaqë tragjeditë e mijra njerëzve, që jëtuan nën diktaturë, në një qiell gri dhe nën një pushtet absolut nën ndikimin e vdekjes.
Në këto baranga, që u ngjajnë fantazmave, deri 24 vite më parë kanë jetuar familjet e internuara të 5 ishkryeministrave shqiptarë të para Luftës së Dytë Botërore. Në Savër jetuan familjet e Koço Kotes, të Fejzi Alizotit, Mehdi Frashërit, Mustafa Mërlikës dhe Fiqiri Dines. Por edhe të Hasan Dostit e Abaz Kupit, si edhe familja e ishprefektit të Tiranës, Qazim Mulletit dhe dhjetra familje të tjera të njerëzve të deklasuar, që diktatura e egër i vuri nën kthetrat e vdekjes.
Behari dhe Lavdiu, miq në të dy kohët
Në Savër nuk ka qetësi. Koha duket sikur ka ngelur në vend, gulagu i djeshëm vuan edhe sot mungesën e infrastrukturës dhe banorët e shfaqin me trishtim atë që po ndodh ende në Savër. E trishtuar edhe një grua e thyer në moshë. E internuar dikur në Roskovec të Fierit, ajo jeton një tjetër dramë, atë të varfërisë dhe kushteve të këqia të jetesës; dramë që Bukuroshe Çako e quan një internim të dytë, por të ftohtë dhe jo të egër dhe ballpërballë me vdekjen, si në diktaturë. Pas vitit 1990, të internuarit e braktisën gulagun e Savrës dhe u shpërndanë në Tiranë, në Europë dhe në Amerikë.I vetmi dëshmitar i asaj kohe, i mbetur ende gjallë në Savër, është pikërisht një burrë i braktisur, reth të 50-tave. I harruar nga të gjitha qeveritë dhe pushtetet. Ky është Lavdi Kaba, lindur i internuar, qysh në bark të nënës së tij të mirë dhe të pafajshme, ashtu si dhe krijesa e saj. Familja e Lavdiut, ardhur këtu nga fillimi i viteve ’60 të shekullit të kaluar nga Dibra, ishte një prej të shumtave, të internuara në Savër, pasi babai i tij u shpall armik i popullit dhe i diktaturës komuniste.Ah, dhe për fat të keq, ai dhe familja e Lavdiut, jetojnë ende si në kohën e diktaturës, në një internim të dytë, rrethuar nga skamja dhe varfëria e thellë, papunësia dhe mungesa e perspektivës. Në të njëjtën kasolle, në kasollen ku jetoi kohën e internimit pra, mes mjerimit dhe standarteve mizerabël. Nuk është në gjendje të shfaqet para kameras dhe qëndron larg saj. Shtëpia ku jeton Lavdiu i harruar nga të gjitha qeveritë, pas rënies së diktaturës, është e njëjta shtëpi, e njëjta kasolle. Me mure balte dhe me kallama. Me tavanin, që ka vite që është amortizuar krejtësisht dhe, po të mos ishin fqinjët, Behari dhe disa burra të tjerë të fshatit, ndoshta…ndoshta ai tavan do të ishte bërë shkak i mbylljes së jetës dhe i tragjedisë pafund të Lavdiut, gruas dhe dy fëmijëve të tij.O Zot, çfarë tmerri! Kasollja, në anë të kopshtit ka një tjetër barangë me çati teneqeje dhe dritareza, ku merimangat jetojnë të pashqetësuara dhe, poshtë saj, një biçikletë e kohës së “nemces”, prehet e qetë, bashkë me një tufë objektesh dhe sendesh pune, përdorur në arat e Savrës, kur Lavdiu dhe prindërit punonin në kooperativë, rrethuar nga togat e ushtarëve. Në dhomën e ndenjes, vetëm dy divanë të vjetër, gjithë po ata të kohës së internimit. Një televizor i dhuruar mbi një tavolinë pa shkëlqim, disa varëse rrobash, një raft i vogël enësh, dy komodina, mbi njërën prej të cilave qëndron një makinë qepëse dhe, në qoshen e murit, nga ana e derës, një pemë e vogël krishtlindjesh, ende e pambledhur.Ndërsa ngjitur me dhomën e ndenies, dhoma e gjumit të dy fëmijëve. Unë psherëtij gjatë. Në dhomë ka vetëm një krevat dopio, vendosur aty qyshse dy fëmijët ishin akoma të vegjël. Sot, që djali është rritur dhe mëson në gjimnaz, fle poshtë, në dysheme; ndërsa lart, fle e motra. Lavdiu nuk është në shtëpi. As zonja e tij, e cila ka dalë të bëjë ndonjë lek me ndonjë punë pastrim shtëpish në qytet. Lavdiu është në qendër të fshatit dhe, pasi ne kryejmë xhirimet në shtëpinë e tij, nisemi ta takojmë. Trishtimi është i madh, rruga deri në qendër, akoma më e trishtuar.Lagjen e kampit e ndan me qendrën një rrugë mbushur me baltë, ashtu si edhe mjaft rrugica të tjera të fshatit. Thonë se Bashkia e qytetit ka ndërmarë një operacion të gjerë për hapjen e kanaleve të ujrave të zeza, që janë bërë gangrenë dhe vatër e infeksioneve për banorët e fshatit. Dhe se, së shpejti, edhe rrugët do të asfaltohen. Behari beson pak në premtimet e pushtetarëve, por gjene është optimist, se qeveria e re do të bëjë diçka për Savrën e tij. Ashtu siç do të bëjë edhe për Lavdiun, banorin e vetëm ngelur në fshat nga kampi i internimit qysh prej kohës së diktaturës.
Rrëfim rrënqethës
Lavdiu është aty, në një kafene të vogël, me tavolina dhe karrike të ndyra, në qendër të lagjes, që i ngjan një fshati. Bën ftohtë, fryn erë dhe ai ka veshur një xhiakovento të trashë, që gati sa nuk i mbulon këmbët. Ai ka ftohtë. Ai ka uri. Ai është zhytur thuajse në melankoli të plotë. Afrohemi me Beharin dhe, pas prezantimit, Lavdiu më sheh mosbesues. “Nuk kam ç’them më, ju i patë të gjitha tek shtëpia. Ju lutem, më lini rehat. Ohhhh…” Ai, ve pëllëmbën e dorës së djathtë mbi fytyrë dhe unë shoh, si ai burrë i lodhur nga jeta, qan. Më mblidhet një lëmsh në grykë dhe nuk mund të flas më.
Pas disa minutash, e pyes: “Keni pasur vizitorë në shtëpi? Deputeti i zonës? Kryetari i Bashkisë? Ose kryeplaku i lagjes?” “Jo, nuk ka ardhur askush…Por, do vijnë…Gati e kam votën. Unë, votoj. Ata, nuk vijnë…” “Dhe punë, nuk mundesh të shkosh?” “Ku është puna? Unë jam jetim; unë jetoj me ndihma. Unë…” – dhe ai përmbytet sërish në lot.
Kurrë, kurrë nuk kisha parë një burrë të lënduar aq shumë. Vendosa të mos e pyes më. Ose më saktë, nuk dija ç’ta pyesja më. Ai njeri ishte këtu, në Savër, qysh prej ditës së lindjes, i internuar. Dhe vazhdonte të jetonte një tjetër internim, një tjetër izolim, atë të shpirtit të tij të plagosur. Për shkak të harrimit. Të braktisjes, të varfërisë dhe skamjes, të injorimit dhe përbuzjes, gati-gati prej të gjithëve. O Zot, si ka mundësi? Si?
Apel
Njerëz me pushtet dhe njerëz të ligjit! Ejani në Savër! Ejani ballpërballë me Lavdiun dhe flisni me të! Shikojeni të vërtetën e gulagut shqiptar në sy dhe më pas reflektoni dhe çlirojani prangat e skamjes, të varfërisë dhe të mizeries dëshmitarit të vetëm të mbetur ende gjallë në ishkampin e internimit, në Savër. Që ai të mos mbajë më emrin gladiator në luftë me vdekjen dhe të keqen. Njerëz, duajeni njeriun e mirë Lavdi Kaba dhe të gjithë ata, që vuajtën nën diktaturë në kampet e tmerrshme të internimit, këto lagje të errta të ferrit dantesk, që shfaqen herë pas here në realitetin dhe kujtesën tonë të përbashkët… –
Duhen bërë muze po më parë të çojmë ca vite KASTËN e Tiranës e të JETOJ aty..
Deri kur te mos denohen krimet nga zbatimi i marveshjes te Katovices, nuk ka e nuk do te kete isha kurr. Statuko 75 vjeçare
Po qe ishin armiq populli ishin armiqe…te pakten ne kohen e socialismit kishin pak buke edhe pune…problemi sipas mendinit tim eshte ky internimi i dyte…internimi shoqeror dhe ekonomik i kapitalismi