Java e parë e Bertit, Robert Papës në ambasadë. Bomba tek “Vefa” thuajse i mori jetën. Akti më i rëndë ato ditë i terroristëve komunistë. “Fillimi i revolucionit Leninist”, e quajti “Heritage Foundation – Fondacioni i Trashëgimisë”, nga më prestigjiozët në Amerikë. Kohë më vonë, në auditorin kryesor të tij, në formë amfiteatri, në konferencën mbi rëndësinë e evidentimit të krimeve të komunizmit, ku të ftuar ishin ambasada të ish-vendeve komuniste, organizata dhe shoqata me qendër në Uashington, si dhe ish të dënuar dhe persekutuar nga regjimi komunist në vende të ndryshme të botës, foli edhe heroi antikomunist Pëllumb Lamaj, i cili në mënyrë të detajuar tregoi për torturat mbi trupin e tij të njomë.
“I shikoni këto duar”!
Pëllumbi zgjati duart përpara.
“Me ditë të tëra m’i shtrëngonin me hekura që futeshin thellë në mish dhe mbuloheshin me gjak”.
Heshtje frike pushtoi të pranishmit, kamerat u drejtuan nga ai, aparatët fotografikë fiksonin duart me shenja prangash. Në fund të takimit foli edhe drejtori i “Fondacionit të Kujtesës së Viktimave të Komunizmit”, Lee Edwards, mbi rëndësinë e një muzeu si “Holokausti”. Në pjesën e fundit, pyetje-përgjigje, ku shumë të pranishëm ishin të interesuar të dinin se çfarë e pengonte ngritjen e muzeut, bëra edhe unë një pyetje.
“Zoti Edwards, a është e interesuar qeveria amerikane të ekspozohen krimet e komunizmit”?
Zoti Edwards u zu ngushtë, shikoi përreth, nuk e priti pyetjen.
“Nuk mendoj se ka kundërshtim”.
Tha dhe fjalën e mori dikush tjetër që vazhdoi me pyetje të tjera. Në fillim të konferencës përfaqësuesi i ambasadës hungareze, ambasadori, i kishte dhuruar drejtorit në fjalë një çek prej një milion dollarësh nga qeveria e tij. Eh, hungarezët, të parët i vunë gjoksin tankeve sovjetike, të parët edhe tani.
Kishim filluar punë në ambasadën e re. E bukur, katërkatëshe, historike, me pamje në njërën nga avenjutë kryesore të kryeqytetit. Presidenti Berisha na e la detyrë, kur erdhi në takimin historik me Presidentin Klinton.
“Në kryeqytetin e botës, vendin mik të kombit tonë, na duhet një ambasadë dinjitoze, Mustafa filloni të shikoni”!
Në katin e dhjetë tek një ndërtesë e vjetër në rrugën K, dy dhoma dhe një furrik kishin shërbyer si Ambasada e Shqipërisë në Amerikë. Atje kishim përgatitur edhe vizitën më të rëndësishme në historinë e kombit. Vizitë që nisi miqësinë me Presidentin Klinton dhe që do të pasonte me çlirimin e Dardanisë, po nga ai president. Me ndihmën e miqve në Departamentin e Shtetit ngritëm një grup pune, Barbara financiere e dëgjuar dhe Rima arkitekte me emër. Një vit të tërë kërkuam vendet më prominante të kryeqytetit dhe fati e solli të gjenim godinën që kemi edhe sot. Aprovimin për ambasadë duhej ta jepnin edhe banorët e lagjes. U mblodhën në sallë të madhe, ishim të pranishëm edhe ne të ambasadës. Midis të tjerëve kundërshtoi edhe një i moshuar, me tipare të errta, si prej arabi.
“Këta nuk kanë bukë të hanë, e jo të mbajnë një ambasadë”!
Zhurmë karrigesh, u kthyen koka në drejtimin tonë.
“Është grek”.
Pëshpëriti Barbara.
“Banon në një apartament larg godinës, kontaktoi edhe me ne”.
Ta dinte i ngrati se jo shumë vite më vonë, vendi i orgjinës që pretendonte se ishte, do të kërkonte derë më derë që të mos shuhej. Në të njëjtën kohë ambasada amerikane në Tiranë trefishonte hapsirën e saj. E prisnin krahëhapur shqiptarët.
“Dua të blej pak ushqim edhe për fëmijën”.
Tha Berti, që nuk e kishte marrë ende patentën nga zyra e protokollit. Morëm mikrobusin, me të bënim pazaret, ishte i vjetër, mbi dyqind mijë milje. Prishej rrugës. Në atë gjendje e kishte dhuruar një biznesmen i fuqishëm, shqiptar nga Detroiti. Legjenda për të shkonte edhe më tej. Në qendër të Tiranës kishte hapur një restorant, nga më të shtrenjtët. E kishte blerë. Të kishte ndikuar edhe mikrobusi? Pronarët e vërtetë prisnin me vite tek zyra e privatizimit.
Për të shkuar nga supermarketi “Giant”, pranë ambasadës, deri tek shtëpia e Bertit na duhej një çerek ore me makinë. Ndaluam në një kryqëzim. Ishte ndezur sinjali i verdhë. E kisha bërë zakon që të mos kaloja, kur sinjali i verdhë më zinte pa hyrë në kryqëzim. Po prisnim pas të kuqit të hapej jeshili. Rruga ishte me dy linja nga të dyja krahët. Berti po tregonte i revoltuar.
“Nuk më besuan, dukej sikur nuk ishin të interesuar të dëgjonin”.
Ishte kthyer nga një takim në Departamentin e Shtetit. U hap sinjali jeshil. Në anën tjetër nuk kishte makina. Fillova të marr kthesën ngadalë, kthesë U. Pa hyrë mirë në linjën time, nga dheu mbinë katër makina të policisë. Dy na prenë rrugën përpara, dy prapa.
Kështu kishte ndodhur edhe me diplomatët e Alisë në Nju Jork. Na e treguan në ambasadë. Incidente të tilla kishte plot. Dy kampet armike ushtronin presion mbi diplomatët, sipas baticës dhe zbaticës së luftës së ftohtë. Miku im Gaspër Kici, i arratisur dhe jetonte në Amerikë që nga viti 45-së, më kishte këshilluar të isha i kujdesshëm.
“Është herët për amerikanët të dallojnë se cili është me ta”.
Moska ishte kampione për akte të tilla. Ambasadorit francez në Moskë, mikut të presidentit Charles de Gaulle, KGB-ja ia kishte bërë edhe më zi. E kishin rrahur për vdekje. I kishin futur një agjente të bukur, përkthyese, ambasadori kishte rënë në dashuri. E kishte ftuar në shtëpinë e saj bukuroshja dhe kur kishin arritur qiellin e shtatë, dera ishte shqyer me forcë. Tre sampistë, ai që e godiste më shumë hiqej si bashkëshorti i saj. Hante dru ambasadori dhe nuk ndihej. Urdhërin e kishin marrë të prerë – të mos e godisnin në fytyrë. Ambasadori atë natë do të merrte pjesë në një pritje, ku do të fliste për miqësinë e dy vendeve. Vajti i ngrati në pritje, me zor qëndronte në këmbë. Sa herë përmendte fjalën miqësi, bosët e krimit përplasnin duart me të qeshura. Ambasadori nuk pranoi të bashkëpunojë, të nesërmen njoftoi mikun e tij, presidentin, i cili i lënduar rëndë e degdisi në një vend të humbur të Francës deri sa ndërroi jetë.
Diplomatët e Ramizit kishin marrë një bukuroshe në makinën e misjonit. Ajo, agjente e fshehtë. Kishte ekspozuar pjesë të trupit, kur të uriturit kishin filluar të josheshin me xhevahiret e saj, policia i kishte ndaluar. Se çfarë kishte ndodhur më tej, asnjëherë nuk u mësua saktë. Një gjë mbeti enigmë, diplomati Hoxha, njëri prej tyre, bëri karjerë të gjatë në diplomaci. Ambasador i të gjitha ngjyrave që pasuan. U akuzua i ngrati se kishte humbur edhe një kompjutër me sekrete. Punë që asnjëherë nuk u dihet fundi.
Po rrinim në makinë pa lëvizur. Katër oficerë policie u afruan tek mikrobusi. Më pranë derës, femër. Ula xhamin.
“Dokumentat”!
Foli ajo me ton urdhërues.
“Përse”?
Pyeta i qetë.
“U kthyet me shigjetë të kuqe”!
Më shikoi me inat.
“Nuk kishte shigjetë të kuqe, dritë jeshile po”.
Ruajta qetsinë.
“Me shigjetë të kuqe”.
Nguli këmbë. U afrua një civil. I bënte me shenjë të shikonte brenda.
“Fëmija nuk është në karrigen për fëmijë”!
“Ka mbushur moshën”.
Ndërhyri Berti që ishte në sediljen e parë të pasagjerit. Civili u afrua të hapë derën.
“Mos e prek derën, jam diplomat, hapni rrugën”!
U panë sy ndër sy dhe ikën.
“Të lumtë”!
Shpërtheu Ardita, gruaja e Bertit, mbesa e Hasan Prishtinës, që ishte ulur prapa meje. Ato ditë Shqipëria digjej. Fshatari shqiptar që kishte mohur orgjinën e të parëve, Tenet, kishta hyrë disa herë në jug.
kush i nxjerr shkrimet tij, po ky eshte nje mitoman, nje megalloman,nje psikopat i dekompensuar qe do lidh dhe duhet cuar tek psikiatriku, po une e njof mire kete zagarin e dekompensuar!!!!